1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Murati: Diaspora e ka dhënë provimin, radhën e ka qeveria

Bahri Cani22 Mars 2015

Qeveria e Kosovës po përpiqet të përmirësojë kushtet për investimet e diasporës në Kosovë. Por një prej synimeve kryesore është edhe përmirësimi i kushteve të diasporës aty ku jeton, pohon Murati, në bisedë me DW.

https://p.dw.com/p/1Ev95
Valon Murati
Fotografi: DW/B. Cani

Deutsche Welle: Zoti ministër, diaspora është parë deri tani kryesisht vetëm si një burim për remitenca, si një burim që duhet shfrytëzuar, dhe jo si partner. Çfarë do të bëni ju për ta ndryshuar këtë perceptim?

Valon Murati: Ne duhet ta trajtojmë diasporën si partner për zhvillimin e Kosovës dhe jo vetëm si burim financash sa për të mbijetuar. Për ta shndërruar disaporën në një partner të zhvillimit socio-ekonomik të Kosovës, në radhë të parë ne si institucione dhe si shtet duhet ta japim provimin. Kjo nënkupton që përveç reformave në pakon ligjore, duhet të dëshmohemi si intitucione që punojnë në të mirën e vendit në të gjitha nivelet e shtetit - jo vetëm qeveria, edhe pse ajo mbanë përgjegjësinë kryesore. Përveç qeverisë, reforma dhe përmirësime duhet bërë edhe në gjyqësi dhe nivelin komunal, ku duhet të dëshmohet një përkushtim i respektimit të ligjit. Ne duhet të dëshmojmë se jemi të hapur për njerëzit tanë që vijnë nga diaspora. Përfundimisht ne duhet ta bëjmë ofertën në raport me diasporën duke u thënë: ejani investoni, sepse ne kemi arritur kushte që edhe ju të përfitoni.

DW: Zoti minsitër, e gjitha kjo është dëgjuar shpesh, ndaj më intereson: sikur të kishit ju para shumë dhe të jetonit në diasporë, a do të investonit në kushtet e tanishme në Kosovë?

Düsseldorf Valon Murati, Minister für Diaspora der Republik Kosovo
Fotografi: DW/B. Cani

Valon Murati: Kjo është një çështje shumë hipotetike, sepse edhe pozicioni im tani është krejt tjetër. Unë e di që duhet të jemi shumë të kujdesshëm kur bisedojmë me investorët e huaj dhe me diasporën dhe si ministri po punojmë shumë që të krijohen rrjetet e diasporës që mundësojnë një partneritet dhe bashkëpunim. Këtë e ka nisur ministri i kaluar dhe stafi i ministrisë së mëparshme të Diasporës, ndërsa ne jemi duket përkrahur dhe shtyrë përparë këto procese. Qëllimi është që ta mbështesim dhe fuqizojmë uninonin e bizneseve dhe rrjetet e tjera gjithëshqiptare në diasporë. Pra unë dhe të gjithë ministrat e tjerë po përpiqemi të krijojmë kushte për investime, sepse nuk është lehtë tu themi njerëzve që të vijnë dhe investojnë, nëse nuk e kanë kapitalin e sigurt dhe të favorshëm.

DW: Cilat janë prioritetet tuaja dhe çfarë keni bërë ju në këtë ministri deri tani, sepse tani më janë bërë 100 ditë nga kjo qeveri?

Valon Murati: Realisht ne kemi synim ruajtjen e identitetit kulturor dhe kombëtar të diasporës sonë. Këtu bën pjesë edhe mësimi i gjuhës shqipe. Ne jemi në proces dhe besoj se shumë shpejt do të nënshkruarjmë një marrëveshje (marrëveshja do të nënshkruhet ditën e hënë me 23.03.2015 në Tiranë) për programin e gjuhës shqipe në diasporë mes ministrive përkatëse në Shqipëri dhe Kosovë. Ky program është ambicioz dhe nëse realizohet në tre-katër vitet e ardhshme, me siguri që do të plotësojë zbraztësirën e madhe që ka ekzistuar deri tani në mësimin e gjuhës shqipe në diasporë. Kjo nuk i zgjidhë të gjitha problemet si me shkop magjik, por është fillim i mbarë. Në këtë proces duhet të futen edhe autoritetet e Maqedonisë dhe rajoneve të tjera të banuara me shqiptarë, për të mundësuar mësimin e gjuhës. Një element shumë i rëndësishëm është edhe ai kulturor. Ne do të bëjmë edhe një memorandum bashkëpunimi mes ministrive të Kulturës në Kosovë dhe Shqipëri (edhe ky memorandum do të nënshkruhet ditën e hënë në Tiranë), për të shfrytëzuar sa më mirë kapacitetet tona dhe për të organizuar aktivitete kulturore në diasporë. Njëkohësisht jemi duke punuar edhe për përmirësimin e të drejtave civile dhe politike të diasporës. Diaspora jonë duhet të jetë e organizuar sa më mirë politikisht, për të marrë pjesë në institucionet e vendeve ku jeton, por një objektiv ësthë edhe prezantimi i saj në institucionet e Kosovës. Ndërohë që krijimi i kushteve për investime, është prioritet kryesor. Por diaspora e ka dhënë provimin e vet shumë shpesh, tani ne duhet të japim provimin.

DW: Pikërisht këtë desha të them, sepse diaspora e ka dhënë provimin e saj dhe ka kontribuar që nga fillimi në vitet 70-të e deri. Ajo dërgon çdo vit në Kosovë me qindra miliona euro, ndërkohë që edhe ka investuar shumë. Në anën jetër, institucionet e Kosovës nuk e kanë kuptuar seriozisht dhe nuk kanë mundësuar që të dëgjohet zëri i saj në Kosovë. Kur do të faktorizohet ajo politikisht në Kosovë?

Valon Murati: Një hap kryesor ka qenë edhe krijimi i ministrisë së Diasporës, si një zë për prezantimin e interesave të tyre në Kosovë. Hapi tjetër është që në kuadër të Komisionit Parlamentar për Politikë të Jashtme të shtohet edhe dikasteri i Diasporës, në mënyrë që edhe atje të trajtohet kjo çështje. Vet prezantimi në Kuvendin e Kosovës është një problem më i ndërlikuar, por besoj se do të trajtohet në të ardhmen jo tepër të largët, në kuadër të ndryshimeve të Kushtetutës së Kosovës. Ne duhet ta kemi edhe këtë objektiv dhe besoj se është e drejtë që diaspora të prezantohet edhe në Kuvend. Por kjo kërkon ndryshimin e Kushtetutës, e për këtë nevojiten dy të tretat e votave të deputetëve shqiptarë dhe të minoriteteve.

DW: Ju deri tani keni pasur një diasporë pak a shumë të saktë të regjistruar. Por kohët e fundit në vende të ndryshme kanë ikur rreth 200.000 kosovarë. Keni vendosur kontakte me ta dhe çfarë po bëni ju për rregullimin e statusit të tyre?

Valon Murati: Varësisht prej vendeve, ne kemi biseduar me autoritetet ku janë sistemuar dhe ne kemi nevojë për një strategji kombëtare, shtetërore. Nëse këta njerëz marrin një status në këto vende, ata do t'i takojnë diasporës dhe ne do të kujdesemi edhe për ta. Statusi i tyre është ende i paqartë dhe nuk kemi ingerenca të drejtëpërdrejta për ta, por me siguri që bashkëndjejmë me atë që kanë përjetuar dhe po ndodhë. Në varësi nga situata, ne do të ndërmarrim hapat e duhur.

DW: Si e shpjegoni ju largimin e kaq shumë njerëzve nga Kosova, ndërkohë që Ju dhe qeveria pohoni se po bëni të pamundurën për përmirësimin e gjendjes?

Valon Murati: Faktorët janë të shumtë dhe të jemi të sinqert, nuk kanë të bëjnë vetëm me këtë qeveri. Kjo ka ndodhur fare në fillim të konstituimit të kësaj qeverie, madje edhe më parë. Mendoj se e gjithë politika i ka fajet, të gjitha qeveritë deri tani dhe partitë, mediat dhe shoqëria civile, duke përfshirë edhe përgjegjësinë time si zë politik dhe publik. Mendoj se problemet mund t'i zgjidhim vetëm bashkarisht. Por një pjesë e shkaqeve duhet kërkuar edhe tek izolimi i njerzëve dhe fakti që kosovarët janë të vetmit që nuk mund të udhëtojnë jashtë pa viza. Natyrisht duke mos harruar edhe krizën politike të vitit të kalaur, e cila ka reflektuar shumë në ngecjen e zhvillimit ekonomik, në humbjen e optimizmit dhe futjen e njerëzve në një lloj depresioni me gjendjen.