1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mosmarrëveshjet për misionin në Afganistan rrëzojnë qeverinë në Holandë

20 Shkurt 2010

16 orë diskutime nuk arritën t'i jepnin zgjidhje konfliktit. Kryeministri Balkenende ka deklaruar se do të vazhdojë të qëndrojë në detyrë, por sipas vëzhguesve zgjedhjet e reja janë të pashmangshme.

https://p.dw.com/p/M6Yp
Në foto: kryeministri holandez Jan Peter Balkenende
Kryeministri holandez Balkendene njoftoi prishjen e koalicionit qeverisës.Fotografi: picture-alliance/dpa

Pas një polemike disa muaj të gjatë rreth misionit në Afganistan, qeveria holandeze e kryesuar nga kryeministri Balkenende u shpërbë. As konsultimet maratonë mbrëmjen e së premtes (19.2.), nuk sollën rezultat.

"Gjatë ditës do t'i paraqes Mbretëreshës Beatris dorëheqjen e ministrave dhe sekretarëve të shtetit të Partisë Socialdemokrate të Punës (PvdA)", deklaroi sot herët në mëngjes (20.2.) kryeministri Jan Peter Balkenende në një konferencë për shtyp në Hagë. "M'u desh të konstatoja se nuk ekziston më asnjë mundësi për vazhdimin e punës së kabinetit qeveritar", tha Balkenende.

Tërheqje në 2010 apo në 2011?

Partia Socialdemokrate PvdA, partia e dytë e madhe në koalicion, është rreptësisht kundër zgjatjes së misionit në Afganistan, të kërkuar nga NATO. Vetëm pak ditë më parë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Anders Fogh Rasmussen, kërkoi nga holandezët të qëndronin në Afganistan deri në gusht të 2011-s, për të stërvitur atje forcat vendase të sigurisë. Plani fillestar parashikon që Holanda të fillojë që në gusht të këtij viti tërheqjen hap pas hapi të trupave të saj nga Afganistani.

Diferencat mes kristiandemokratëve dhe socialdemokratëve

Në foto: ministri holandez i Financave Wouter Bos.
Kundër zgjatjes së mandatit: zv/kryeministri holandez dhe ministri i Financave Wouter Bos.Fotografi: AP

Kristiandemokrati Balkenende u përpoq që vendimi për misionin e ushtarëve holandezë në provincën Uruzgan të paktën të shtyhej. Por socialemokratët nuk pranuan. Zv/kryeminsitri Wouter Bos, i partisë PvdA, kishte premtuar më parë se "deri në fund të vitit edhe ushtari i fundit holandez do të largohet nga provinca Uruzgan".

Edhe partneri më i vogël në koalicion, Unioni Kristian konservatoro-protestant, është kundër një zgjatjeje të mandatit për Afganistanin. Holanda ka aktualisht më shumë se 1800 ushtarë të stacionuar në Afganistan. Që prej vitit 2006 atje janë vrarë 21 holandezë.

Strategjia e re e NATO-s

Për të mundur përfundimisht talibanët radikalë-islamikë, numri i trupave ndërkombëtare në Afganistan muajt e ardhshëm do të rritet me 40.000 ushtarë për të arritur në 150.000. Në Helmand, provincë fqinje me Uruzganin, trupat ndërkombëtare dhe ato afgane luftojnë kundër luftëtarëve islamikë në ofensivën më të madhe që prej rrëzimit të regjimit të talibanëve në vitin 2011.

Autor: Eliana Xhani / dpa, rtr, afp

Redaktoi: Mimoza Cika - Kelmendi