1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mosmarrëveshjet e shumta rreth Shërbimit të Jashtëm Evropian

1 Dhjetor 2010

Bashkimi Evropian synon që me Shërbimin e Jashtëm Evropian, të forcojë dhe unifikojë prezencën e tij në botë. Ky Shërbim është një prej risive më të mëdha në Marrëveshjen e Lisbonës.

https://p.dw.com/p/QM2P
Catherine Ashton para sfidave të mëdhaFotografi: AP

Shefe e Shërbimit të ri të Jashtëm Evropian është e ngarkuara e BE për punët e jashtme, Catherine Ashton. Dy të tretat e nëpunësve të Shërbimit duhet të jenë nëpunës të Bashkimit Evropian, ndërsa një e treta përfaqësues të ministrive të jashtme të shteteve anëtare. Gjithësej duhet të ketë rreth 3700 diplomatë. Disa prej tyre punojnë në mbi 130 ambasadat e BE-së në mbarë botën. Ato ekzistojnë paralelisht me ambasadat e shteteve anëtare të BE-së.

Mosmarrëveshjet dhe buxheti

Infografik EU Haushaltsentwurf 2011
BE ende pa buxhet për vitin 2011


Krijimi i këtij Shërbimi dhe emërimi i nëpunësve ishte prej fillimit një prej pikave më të kontestuara në Bashkimin Evropian. Shtetet anëtare ishin të interesuara që përmes diplomatëve të tyre në këtë Shërbim të kenë sa më shumë influencë. Parlamenti Evropian nga ana tjetër është i mendimit se Shërbimi i Jashtëm Evropian duhet të jetë sa më i pavarur.

Grindje të shumta ka pasur edhe për kostot e tij. Buxheti fillestar për këtë Shërbim kap shumën prej rreth 10 milionë euro. Por pas vënies në funksion të të gjitha shërbimeve në kuadër të tij, buxheti do të arrijë shumën prej disa miliarda eurosh në vit. Për shumë vende të BE-së dhe europarlamentarë, këto kosto janë tepër të larta, në veçanti në kohën kur duhet kursyer. Grindja rreth kostove të shërbimit diplomatik është pjesë e mosmarrëveshjeve ende të pazgjidhura për buxhetin e BE-së mes Këshillit, Komision dhe Parlamentit Evropian. Në rast vazhdimi të grindjeve, kjo do të ndikonte në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe në krijimin dhe funskionimin e plotë të Shërbimit të Jashtëm.

Përfaqësimi i femrave dhe gjuha gjermane

Deutschland EU Catherine Ashton bei Angela Merkel in Berlin
Ashton dhe Merkel: Femrat duhet të përfaqësohen si duhet.Fotografi: AP

Shumë është biseduar edhe për kohën e shërbimit të diplomatëve dhe kuotat e femrave në të. Nga kuotat në fund është hequr dorë, por Ashton ka premtuar se femrat do të përfaqësohen si duhet dhe se diplomatët, do të rekrutohen sipas mundësive më të mira gjeografike. Megjithatë emërimi i shumë diplomatëve është përcjellë me kritika. Shtetet e vjetëra anëtare të BE-së kanë siguruar shumë pozicione të rëndësishme me influencë. Gjermania, për shembull, ka siguruar postin e ambasadorit në Pekin, ku vendet tjera perëndimore do të prezantohen në nivele më të ulëta. Ekologjistët e Parlamentit Evropian u shprehën se atje është krijuar një lloj "grupi i zotërinjëve të vjetër".

Megjithë kërkesat e Gjermanisë, gjuha gjermane luan në këtë shërbim një rol të parëndësishëm. Ashton ishte e mendimit, se gjermanishtja duhet të ketë një status të veçantë, por këto garanca ndërkohë janë zbehur. Me rastin e prezantimeve për punë, për shembull, gjuha gjermane nuk është kërkuar. Ndërkohë që kërkohej zotërimi i gjuhës angleze dhe franceze.

Autor: Christoph Hasselbach/Bahri Cani

Redaktoi: Eliana Xhani