1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Moska bëri tani që samiti i Kopenhagës të pritet me interesim të madh

19 Nëntor 2009

Samiti BE - Rusi është një prej temave më të komentuara në shtypin e sotëm gjerman.

https://p.dw.com/p/Kave
Takimi i nivelit të lartë në Stokholm
Takimi i nivelit të lartë në StokholmFotografi: AP

"Frankfurter Rundschau" komenton:

"Mbrojtësja e klimës Rusia. Deri tani kemi menduar se këto fjalë nuk shkojnë bashkë. Por është pikërisht Moska që bëri tani që samiti i Kopenhagës të pritet me interesim të madh. Parlajmërimi i Presidentit Medvedjev për uljen e gazrave deri në vitin 2020 ashtu sikur dhe vendet e BE-së, e sjell Uashingtonin dhe Pekinin në një situatë të palakmueshme. Dhe kjo është mirë. Rusia mund ta arrijë lehtë qëllimin për zvogëlimin e lirimit të gazrave të dëmshme me 20 deri 25 përqind, për këtë sinjal nuk duhet nënvlerësuar. Rusia do të heqë dorë nga disa biznese që sjellin para dhe nuk do të mund tu shesë vendeve të tjera gjëra që prodhojnë sasi tepër të mëdha të dioksidit të karbonit. Rusia ndoshta e ka kuptuar me të vërtetë sa e rëndësishme është ruajtja e klimës, dhe kjo do të ishte një sensacion", pohon "Frankfurter Rundschau".

Ndërsa në "Märkische Oderzeitung" lexojmë: "Deri para disa muajve klima mes Rusisë dhe BE-së ishte e akullt. Suedia ka bllokuar për një kohë të gjatë projektin North-Stream. Por tani dominon pragmatizmi, tek i cili kontributin e vet e ka dhënë edhe zbutja e qëndrimit të Stokholmit. Megjithatë çështjet kryesore kanë mbetur ende pa u zgjidhur. BE-ja dhe Rusia kanë rënë dakord për krijimin e një sistemi të paralajmërimeve të hershme, por ky dokument ende mbetet vetëm një qëllim i mirë. Rusia mund të vazhdojë të ndalë në çdo moment furnizimin e Evropës me gaz përmes territorit të Ukrainës, në qoftë se ajo nuk i paguan borxhet e saj."

Autor : Bahri Cani / dpa

Redaktoi : Aida Cama