1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Modernizim i zyrave të gjendjes civile në Shqipëri

Arben Muka5 Shkurt 2007

Projekti i mbështetur nga Komisioni Europian dhe OSBE-ja do të revolucionarizojë gjithë sistemin e adresave, duke bërë një rievidentim nga e para të emërtimeve të çdo rruge e sheshi në qytete e komuna, duke përcaktuar adresat dhe vendndodhjen e çdo ndërtimi të ri dhe të vjetër në to

https://p.dw.com/p/ArYx
Tirana
TiranaFotografi: DW

Procesi paraelektoral për zgjedhjet e 18 shkurtit 2007 regjistroi njërën prej krizave më të rënda politike para disa javëve, gjë që vuri në diskutin vetë zhvillimin e votimeve. Një nga arsyet kryesore të mbajtjes pezull të procesit për afër 4 javë në dhjetorin e kaluar ishte dhe cilësia e siguria e çertifikatave që do të përdoren nga qytetarët në ditën e zgjedhjeve. Shqetësimi i partive të opozitës ishte përdorja e çertifikatave të dyshimta, të cilat mund të ndikojnë në rezultatin e zgjedhjeve. Gjithashtu në procese të mëparshme elektorale ka patur probleme që lidheshin aktivitetin e zyrave të gjendjes civile, si hartimi i listës përfundimtare të votimit, identifikimi i adresave të sakta për qytetarët etj.

Për t’i zgjidhur këto probleme që lidhen drejtpërdrejt me standartet e proceseve zgjedhore e referendare në Shqipëri, përfaqësitë e Komisionit Europian dhe të OSBE-së në Tiranë kanë nisur të mbështesin Ministrinë e Brendshme, konkretisht Drejtorinë e Përgjithshme të Zyrave të Gjendjes Civile të Republikës, me një projekt rreth 22 mujor që do të përmirësojë kuadrin ligjor për sistemin e adresave, si dhe do të asistojë për realizimin e mjeteve të identifikimit dhe modernizimit të zyrave të gjendjes civile.

Sipas drejtorit të zyrave të gjendjes civile të Shqipërise, Adrian Aliko, projekti do të revolucionarizojë gjithë sistemin e adresave, duke bërë një rievidentim nga e para të emërtimeve të çdo rruge e sheshi në qytete e komuna, duke përcaktuar adresat dhe vendndodhjen e çdo ndërtimi të ri dhe të vjetër në to. Sipas Alikos në realizimin e projektit do të bashkëpunojë ngushtë pushteti lokal.

Projekti ka një kosto prej 2.5 milion eurosh, të cilat jepen nga programi CARDS i Bashkimit Europian, ndërkohë që aplikimin do ta menaxhojë zyra e OSBE-së në Shqipëri. Gjithashtu suport me fonde plotësuese në realizimin e projektit do të japin dhe Këshilli i Europës, Zyra e Statistikave të Norvegjisë, si dhe vetë qeveria shqiptare.

Efekti i këtij investimi do të ndjehet në zgjedhjet e pritshme parlamentare te vitit 2009. Ai do të zgjidhë problemin e cilësisë dhe sigurisë së certifikatave dhe cdo dokumenti identifikues që lëshohet nga të gjitha zyrat e gjendjes civile në vend, por dhe nga institucone të tjera, të cilat kanë per detyre shërbime publike për qytetarët.