1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Modelet e mundshme për Kosovën

21 Nëntor 2007

Deri në përfundimin e bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit ka mbetur shumë pak kohë. Në horizont nuk shihet asnjë mundësi marrëveshjeje. Në tavolinë janë paraqitur shumë propozime. Bahri Cani me një vështrim

https://p.dw.com/p/CPyB
Shqiptarët demostrojnë për pavarësinë
Shqiptarët demostrojnë për pavarësinëFotografi: picture-alliance/dpa

Kosova me autonomi të posaçme në kuadër të Serbisë. Kosova me pavarësi të mbikqyrur. Kosova konfederatë me Serbinë. Ndarje e Kosovës apo shkëmbimi i territoreve me Serbinë. Kosova si Hong Kongu. Statusi neutral i Kosovës, sipas modelit të marrëveshjes së vitit 1972 midis dy Gjermanive. Kosova si ujdhesat Olande, si Portoriko apo Makao. Janë këto disa prej propozimeve dhe modeleve, të cilat janë dëgjuar prej qarqeve serbe dhe ndërkombëtare, gjatë bisedimeve me ndërmjetësimin e Marti Ahtisarit apo trojkës ndërkombëtare.

Koha nuk pret

Delegacioni i Serbisë është i vetëdijshëm se koha po kalon. Prandaj ka shpeshtuar propozimet e modeleve për zgjidhjen e statusit të Kosovës. Kryeministri Vojisllav Koshtunica, shpjegon se në Bruksel ata kanë paraqitur të paktën tri modele, të cilat kanë për bazë autonominë substanciale. "Këto vende janë Kina me Hong Kongun, ujdhesat Olande në Finlandë dhe modeli i tretë është Kosova, në kuadër të Serbisë."

Serbia do që ta mbajë Kosovën me çdo kusht

Koshtunica shpjegon se e përbashkëta e të gjitha këtyre modeleve është: "Respektimi i integritetit territorial, sovranitetit të shteteve ekzistuese dhe mosndryshimi i kufijëve të jashtëm. Në anën tjetër, disa territore, popuj apo minoritete marrin autonominë më të gjerë të mundshme." Propozimet e palës serbe kanë vetëm një qëllim: mbetjen e Kosovës në kuadër të Serbisë dhe rikthimin e sovranitetit atje.

Delegacioni shqiptar kritikon mungesën e seriozitetit

Zëdhënësi i ekipit të unitetit Skender Hyseni bëri të ditur se pala serbe ka përmendur edhe propozime të tjera si Portoriko, Makao apo dhe shembuj të tjerë. "Delegacionit të Kosovës kjo i duhet shumë joserioze, sepse në çdo propozim të Beogradit ne mund të japin shembuj për vendet, që pas një kohe të gjatë shtypjeje dhe represionesh kanë arritur pavarësinë. Si për shembull Timori Lindor."

Kosova ka fatin e vet, të pakrahasueshëm me të tjerë

Mirëpo delegacioni i Prishtinës nuk ka paraqitur koncepte të tilla. Ai sikur dhe një pjesë e konsideruar e bashkësisë ndërkombëtare mendon se: "Kosova është një vend i posaçëm dhe duhet të bëhet shtet i pavarur."

Delegacioni i Prishtinës ka insistuar që prej fillimit në pavarsinë dhe sovranitetin e Kosovës. Gjatë bisedimeve të Vjenës ka bërë lëshime të mëdha për pushtetin lokal. Ndërsa në bisedimet shtesë ka paraqitur traktatin e fqinjësisë së mirë e madje edhe miqësisë me Serbinë, që në këtë moment duket e pamundur.

Kryeministri kosovar Agim Çeku dhe përfaqësuesi amerikan në trojkë, Frank Vizner, në Bruksel kishin qëndrime të ngjashme. Përfaqësuesi i BE Volfgang Ishinger më shumë do të preferonte një status neutral të Kosovës, ndërsa ai rus Aleksander Bocan – Harcenko, jozyrtarisht, ka folur për mundësinë e një konfederate.

Marrëveshja mes palëve gati e pamundur

Zëvendësi i Ahtisarit, Albert Rohan vetëm pas disa takimeve në Vjenë ka dhënë diagnozën që vlen edhe sot: Marrëveshja është gati e pamundur sepse konceptet janë të ndryshme. Njëra palë kërkon pavarësi, tjetra është kundër. Palët kanë shkuar aq larg sa që asnjëra prej tyre nuk mund të bëjë lëshime. Ka mbetur vetëm edhe një shans për kompromis: bisedimet që do të zhvillohen me 26 – 28 nëntor në afërsi të Vjenës. Pastaj topi sërish do të hedhet në fushën e bashkësisë ndërkombëtare.