1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Modele për të ardhmen - laureatët e çmimit alternativ Nobel

1 Tetor 2010

Me projekte të vogla ata arrijnë gjëra të mëdha: Çmimin alternativ Nobel këtë vit e merr një peshkop, një mbrojtës i ambjentit, një punonjës i ndihmës për zhvillimin dhe një organizatë mjekësh.

https://p.dw.com/p/PRZU
Ervin Krojtler, peshkopi austro-brazilian që u nderua me Çmimin alternativ Nobel
Ervin Krojtler (Kräutler), peshkopi austro-brazilian që u nderua me Çmimin alternativ NobelFotografi: Picture alliance / dpa

Në 6 dhjetor, këtë vit do të jepet Right Livelihood Award, i njohur edhe si "çmimi alternativ Nobel." Pastaj në Stokholm do të priten marrësit e çmimeve, midis tyre edhe peshkopi i lindur në Austri, Erwin Kräutler. Nëse ai do të jetë i pranishëm në ceremoninë e marrjes së çmimeve, kjo nuk është edhe aq e sigurtë. Kräutleri drejton Dioqezën më të madhe të Brazilit 'Xingu', angazhohet atje për të drejtën e popujve indigjenë për vetëvendosje dhe lufton kundër shkatërrimit të ambjentit të Amazonas, dhe jeton nën kërcënim të vazhdueshëm. Para tri vjetësh ai mezi arriti t'i shpëtojë një atentati për ta vrarë. Klane të vogla, por brutale të mafias, thotë Kräutleri, nuk njohin skrupuj, kur vjen puna për shfrytëzimin e pasurive të natyrës:

"Një peshkop, i cili përzihet, është natyrisht një peshkop që duhet të mënjanohet. Në këtë rast flitet për eleminim. Dhe pastaj merr edhe kërcënime, që nuk të lënë shteg për keqkuptime: "Ose do ta mbyllësh gojën, ose mund të përjetosh diçka." Po këto janë gjëra me të cilat të duhet të jetosh."

Disa nga bashkëpunëtorët e tij e paguan angazhimin e tyre me vdekje, së fundi mbrojtësja e ambjentit dhe motra e urdhërit fetar, Dorothy Stang, të cilën e vranë në vitin 2005.

'Ndihem i thirrur për të mbrojtur indigjenët'

Kräutleri i lindur në Vorarlberg u dorëzua në vitin 1965 prift dhe shkoi po në të njëjtin vit si misionar në Brazil, jo për t'u marrë me kolonializëm fetar, siç ka thënë njëherë, por për t'u bërë njëri prej "tyre", prej vendasve. Jetesa fizike dhe kulturore e popujve indigjenë është e kërcënuar, thotë Kräutleri, në emër të evangjelizmit ai ndihet i thirrur që ta mbrojë vendin e tyre të origjinës dhe të sigurojë në këtë mënyrë mbijetesën:

"Unë nuk e kam humbur asnjëherë shpresën, ka edhe gjëra, për të cilat kemi rezistuar. E kam fjalën për zonën e indianëve "Raposa Serra do Sol". Ajo ndodhet në një shtet verior federal të Brazilit. Për 30 vjet luftuan popujt indigjenë për këtë zonë, e cila u përket atyre."

Me sukses, një vendim gjykatësish të Gjykatës së Lartë të Brazilit u dha të drejtë banorëve indigjenë. Pronarët e plantazheve tani duhet të largohen nga kjo zonë:

Nimo Besi (Bassey) u nderua me Çmimin alternativ Nobel
Nimo Besi (Bassey) u nderua me Çmimin alternativ NobelFotografi: picture-alliance/dpa

Për suksese të tilla ëndërron Nnimmo Bassey, një laureat tjetër i çmimit këtë vit. Revista "Time Magazine" e kurorëzoi nigerianin në vitin 2009 si "hero të ambjentit".

Veç kësaj, këtë vit dekorohet organizata "Mjekët për të drejtat e njeriut Izrael", sepse ajo angazhohet për të drejtën për shëndet të të gjithë njerëzve në Izrael dhe në Palestinë dhe nepalezi Shrikrishna Upadhyay, me organizatën e tij të ndihmës për zhvillim "Sapros", e cila ka treguar se me mobilizimin e komuniteteve në fshatra mund të kapërcehet varfëria.

Autor: Albrecht Breitschuh/Auron Dodi

Redaktoi: Esat Ahmeti