Mjetet e shkatërrimit në masë sfidë për marrëdhëniet gjermano-amerikane. Ministrja Viçorek-Zojl në takimin vjetor të HSFK-së në Berlin. | Gjermania | DW | 16.02.2004
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Mjetet e shkatërrimit në masë sfidë për marrëdhëniet gjermano-amerikane. Ministrja Viçorek-Zojl në takimin vjetor të HSFK-së në Berlin.

Fondacioni nga Heseni për Studime të Paqes dhe Konflikteve (HSFK) me rreth 50 bashkëpunëtorë është instituti më i madh dhe më i vjetër i studimeve për paqe në Gjermani. Ai u themelua në vitin 1970 nga qeveria e landit të Hesenit. Që prej vitit 1999 është anëtar në Këshillin për Çarmatimin të Kombeve të Bashkuara. Drejtori i HSFK-së, profesori Harald Myler u emëruar nga Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Kofi Annan kryetar i këtij këshilli për vitin 2004. Në takimin e fundit të Këshillit në fillim të shkurtit u diskutuan temat: "Terrorizimi me armë të shkatërrimit në masë" si dhe "Çarmatimi dhe pajtimi në parandalimin e konflikteve". Në takimin vjetor të HSFK-së në 12 dhe 13 shkurt në Berlin me temë "Mjetet e shkatërrimit në masë - sfidë për marrëdhëniet gjermano-amerikane" u diskutua kryesisht për klimën aktuale në marrëdhëniet transatlantike mes Evropës dhe ShBA.

Në marrëdhënien transatlantike duket se palët aktualisht po afrohen. Si evropianët ashtu edhe ShBA duan të ndalojnë me masa të rrepta përhapjen e mëtejshme të armëve të shkatërrimit në masë dhe i kanë shpallur luftë terrorizmit ndërkombëtar. Të dyja palët kërkojnë psh që qeveria në Iran t'i japë fund programit të armëve bërthamore. Por Sekretari i Shtetit për Kontrollin e Armatimeve pranë ministrisë amerikane të punëve të jashtme Richard Bolton theksoi se ShBA janë të hapura ndaj të gjitha opsioneve për ndalimin e programit të armëve bërthamore të Iranit. Kjo nënkupton që edhe bombardimi i fabrikave mund të merret në konsideratë. Nga ana e saj qeveria gjermane propozon tone më pajtuese. Ajo dëshiron të arrijë një ndryshim në qëndrimin e qeverisë iraniane me ndihmën e stimujve tregtarë. Shenjat e para për një sukses në angazhimin diplomatik të BE-së në Iran ministrja gjermane për Zhvillimin Hajdemari Viçorek-Zojl i sheh para së gjithash në pranimin nga qeveria iraniane të kontrolleve më të rrepta mbi institutet e saj për studime bërthamore nga Agjensia Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore. "Megjithë shqetësimet përballë zhvillimeve aktuale në Iran", thekson ministrja, "do të ishte shumë e gabuar të kufizohej tani mbështetja për reformatorët": "Duhet kuptuar se në Iran ka forca reformatore ndërshoqërore që gjenden pjesërisht në qeveri e pjesërisht në shoqërinë civile. Qëndrimi ynë është, t'i forcojmë ata në këtë proces - demokratizimi është një proces afatgjatë dhe metoda e shpatës do të sillte rezultatin e kundërt."

Qeveria gjermane i jep rëndësi bashkëpunimit konkret dhe mbështet psh një sistem për përgatitjen profesionale. Në shembullin e Iranit bëhen të qarta ndryshimet në perceptimin e rreziqeve. Njëra palë mbështetet në diplomaci, ndërsa tjetra preferon goditjen precize ushtarake. Megjithatë nocioni siguri është për ministren gjermane të Zhvillimit shumë më i gjerë se ai i strategëve amerikanë. Edhe nëse shkatërrohen stacionet bërthamore në Iran mbeten të tjera rreziqe për sigurinë: mungesa e shtetit të së drejtës, mungesa e lirisë së kërkimeve dhe shtypja e grave. Këtyre u shtohen dhe vatra të tjera reziqesh në botë si uria, varfëria, epidemitë dhe analfabetizmi: "Kjo në fakt është pjesë e strategjisë evropiane. Strategjia evropiane e sigurisë thotë se ka sfida të cilat nuk mund të zgjidhen me veprime ushtarake dhe si rrjedhojë duhen zgjidhur me bashkëpunim në zhvillim, me dialog politik dhe vetëm në raste shumë të rralla konfliktesh edhe ushtarakisht."

Në konferencë u debatuan me forcë pyetjet nëse shtypja e grave apo uria përbëjnë rreziqe për sigurinë. "Në fund të fundit u shpreh Joshua Muravchik nga instituti neokoservativ amerikan "American Enterprise Institute" shumë prej terroristëve vijnë nga familje të pasura". Lidhur me këtë ministrja gjermane u shpreh: "Ky është një argument tepër i konsumuar. Çdokush e di se terroristët nuk janë njerëzit më të privuar por ata shfrytëzojnë zemërimin, urrejtjen dhe varfërinë e njerëzve për agjitacionin e tyre dhe pikërisht kjo bazë nuk u duhet lënë."

Ministrja Viçorek-Zojl kujtoi edhe detyrimin e fuqive bërthamore në Marrëveshjen për Bllokimin e Armëve Atomike për reduktimin e këtyre armëve. "Planet e qeverisë amerikane - tha ministrja - për zhvillimin e të ahstuquajturave mini armë bërthamore dhe për t'i përdorur ato ndoshta kundër terroristëve mund të sillnin një dëm serioz për politikën e mospërhapjes së këtyre armëve." Megjithë kontradiktat egzistuese në interpretimin e rreziqeve, drejtori i Fondacionit të Hesenit për Studime të Paqes dhe Konflikteve, Harald Myler, pledoi për vazhdimin e dialogut transatlantik: "Ne nuk kemi rrugë tjetër. Pikërisht për shkak të interesave të forta për një rend botëror të tolerueshëm që kemi ne gjermanët është i pazëvendësueshëm bashkëpunimi mes Evropës dhe SHBA. Vetëm nga ky bashkëpunim mund të lindë dicka e tillë. Nuk egziston asnjë forcë tjetër që të ishte në gjendje të krijonte një rend të tillë. Por këtë e them pa patur iluzione rreth ndryshimeve të thella në botëkuptim para së gjithash kur bëhet fjalë për rolin e Kombeve të Bashkuara dhe të drejtën ndërkombëtare që ende egzistojnë mes qeverisë aktuale të ShBA dhe mendimit të shumicës evropiane" - thotë Myler.

Harald Myler shpreson që pas zgjedhjeve në ShBA përkrahësit e paqes të kenë shumicën në qeverinë amerikane. Atëherë do të kishte ndoshta më shumë se vetëm çështje praktike në të cilat bashkëpunimi do të ishte me kuptim dhe i mundur.

  • Data 16.02.2004
  • Autor Henriette Wrege
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar7a
  • Data 16.02.2004
  • Autor Henriette Wrege
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar7a