Miti Ramshtajn: garnizoni ushtarak amerikan dhe dronet | Gjermania | DW | 15.03.2019
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Gjermania

Miti Ramshtajn: garnizoni ushtarak amerikan dhe dronet

Garnizoni ushtarak amerikan në Ramshtajn, Gjermani është i diskutueshëm. Edhe qeveria gjermane kritikohet shpesh se si e trajton situatën, sidomos atë të përdorimit të droneve. Ato kanë përfunduar në gjykatë.

Fokusim, shkrepje, vdekje? Fluturimi i droneve, sidomos i atyre që vrasin ka kohë që diskutohet. Në landin Nordrajn Vestfalen, në Gjykatën administrative janë duke u shqyrtuar dy padi, që kanë të bëjnë me sulmet vrasëse me drone të SHBA. Tre jemenitas kanë ngritur padi, po ashtu si edhe një somalez. Paditë janë ngritur në Gjermani. Paditësit kanë humbur familjarë gjatë sulmeve amerikane me drone në atdhetë e tyre. Këto sulme duhet të jenë bërë nga garnizoni ushtarak amerikan në Ramstein, prandaj paditësit bëjnë përgjegjëse edhe qeverinë gjermane.

Ramshtajn: Është një lokacion ushtarak, për të cilin dihen pak gjëra, dhe për të cilin bëhen shumë diskutime. Baza ushtarake ndodhet në afërsi të Kajzerslauternit, në landin Rajnland Pfalc dhe është pjesë e komunitetit ushtarak të Kajzerslauternit.

Në këtë komunitet jetojnë sipas të dhënave të faqes së internetit më shumë se 54 mijë amerikanë, ushtarakë, familjarë pensionistë. Kjo pikë në Rajnland Pfalc është prezenca më e madhe ushtarake amerikane jashtë SHBA.

Infografik Karte US-Militärstandort Ramstein

Baza ushtarake amerikane Ramshtajn

Të dhënat për dronet

Ramshtajn përdoret kryesisht si pikë mbështetëse për transportet amerikane. Por çfarë ndodh vërtet atje nuk dihet tamam prej kurrkujt, përveç personave ekzekutivë. Pak informacione dalin jashtë. Kështu që edhe detajet për koordinimin e mundshëm të sulmeve me drone nga Ramshtajn, duan kohë të bëhen të njohura. Në vitin 2016, Michael Roth, Sekretar i Shtetit në Ministrinë e Jashtme njoftoi parlamentin gjerman, se SHBA i ka bërë Ministrisë gjermane të Jashtme për herë të parë të ditur se baza në Rajnland Pfalc përdoret si stacion rele telekomunikacioni për të dhënat e trafikut me automjete ajrore që drejtohen pa pilot.

Kjo do të thotë se sinjalet merren automatikisht dhe dërgohen më tej, për të kapërcyer vështirësitë e distancave të mëdha. Për sulmet me drone në Pakistan, Afganistan ose Jemen që drejtohen direkt nga toka amerikane, distanca është shumë e gjatë. Prandaj amerikanët e Ramshtajnit janë të detyruar që të dhënat nga SHBA t'i transmetojnë më tej. Përveç kësaj personeli amerikan planifikon dhe kontrollon në Ramstein operacionet ajrore dhe bën më pas vlerësimin e tyre.

"Nuk ka njohuri"

Deri në këtë momend qeveria gjermane kishte këmbëngulur se "nuk kishte njohuri" për operacionet e SHBA në Ramstajn. Më 2016 ministri i shtetit Roth, dhe më vonë edhe zëdhënësi i qeverisë theksuan se nga Ramstajn as nuk nisen as nuk drejtohen automjete ajrore që drejtohen pa pilot. Kjo u tha edhe sot nga ministria e Jashtme kur u pyet nga Deutsche Welle.

Ramstein Air Base (Imago/StockTrek/T. Ziegenthaler)

Baza ajrore Ramshtajn

Përveç kësaj zëdhënësi i qeverisë gjermane iu referua referencave nga SHBA që kanë siguruar, se aktivitetet ushtarake amerikane në Gjermani "janë në përputhje me ligjet në fuqi". Edhe Ministria e Jashtme e konfirmon këtë: "Ne kemi këmbim të rregullt me partnerët tanë amerikanë për çështjet politike, ushtarake dhe ligjore të forcave të armatosura amerikane në Gjermani. Kjo vetëkupton që në aktivitetet e saj në Ramshtajn, si në gjithë Gjermaninë, SHBA respektojnë ligjet gjermane", u bë e ditur. Artikulli 2 i statusit të trupave të NATO-s e përcakton këtë qartë.

Ndihmë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare?

Për organizatat e të drejtave të njeriut, si Amnesty International është e qartë: Me njohuritë e deritanishme për koordinimin e sulmeve me drone nga Gjermania, qeveria gjermane ndihmon aktivitetet e SHBA. "Duke pasur parasysh njoftimet e presidentit amerikan Trump, kjo ndihmë shërben për të ndërtuar programin e droneve," thuhet në një deklaratë të Amnesty International bërë vitin e kaluar. Organizata botoi në vitin 2018 një analizë për rolin e shteteve europiane në luftën amerikane me drone. Sipas kësaj analize qeveria gjermane nuk bën sa duhet për të siguruar që nuk jep ndihmë në sulmet amerikane nga ajri me drone në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.