Mitet për BE-në: Këshilli Evropian lufton kundër informacioneve të pasakta të mediave evropiane | Evropa | DW | 03.02.2004
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Mitet për BE-në: Këshilli Evropian lufton kundër informacioneve të pasakta të mediave evropiane

Michael Mann mbledh mite nga e gjithë Evropa për BE. Por puna e tij nuk ka të bëjë me mitologjinë. Zëdhënësi i shtypit të Këshillit Evropian mbledh cdo informacion të pasaktë që prodhojnë mediat evropiane mbi BE:

"Njerëzit bombardohen me informacione përse duhet ndaluar futja e bananes së shtrembër dhe kastravecit të drejtë në BE" -tregon ai.

Madje edhe thashetheme fantastike si ai se BE ka vënë normën prej 16 cm për një preservativ, janë shpërndarë nga mediat si qëllime të Brukselit. Michael Mann ka gjetur deri tani të paktën 25 mite nga cdo vend antar i BE. Të gjitha këto ai i ka vendosur në faqen e internetit të BE. Britania e Madhe mban deri tani rekordin e vendit të përrallave me 120 mite për BE, thotë Michael Mann:

"Këto lloj informacionesh botohen edhe në revista skandinave si ato suedeze apo daneze. Por është një fakt i ditur tashmë se shtypit britanik i pëlqen botimi i informacioneve të tilla më shumë se të tjerëve."

Ndërkohë shtete të tjera antare të BE shkruajnë në mënyrë ironike dhe të përgjithshme mbi formën e punës së Brukselit, duke u fokusuar tek mënyra jotransparente e zhvillimit të proceseve nga Parlamenti Evropian. Viola Eggert, përfaqësuese e Këshillit Evropian në Berlin shpjegon se disa mite gjermane për BE kanë një thelb të vërtete në brendësi:

"Sidomos kur bëhet fjalë për rregullimin e ligjeve. Për shembull që BE i thotë qytetarëve se c´hapa duhet të marrin duke influencuar kështu jetën e tyre private" -thotë ajo.

Por sipas Viola Eggert, mitet gjermane për BE nuk përbëjnë ndonjë problem serioz.

Por gazetat britanike nuk kënaqen vetëm me informacione ironike. Ato i quajnë shumë shpejt rezultatet e hulumtimeve të BE si ligje të reja të tij. Thashethemet kthehen shpejt në informacione të vërteta. Për shembull qeni i preferuar i mbretëreshës Elizabeth - Korgit - rrezikohet të përjashtohet nga Evropa sepse nuk i përmbush linjat e reja për qentë të BE. Ndërkohë, sipas një gazete tjetër britanike, shoferët e kamionave nuk do të lejohen të hanë në të ardhmen vezë të skuqura me sallam për mëngjes. Sepse, komenton më tej gazeta, shoferët mund të rrezikojnë trafikun rrugor me duart e tyre plot yndyrë. Dhe këshilla ironike e gazetës është: "Hani më mirë cereale dhe kruasonë."

Raporte të rrezikshme nga kontinenti evropian shiten në Briantinë e Madhe më mirë se raportet e thata të BE, të cilat janë plot fakte të rënda dhe të komplikuara, thotë Michael Mann:

"Tregu britanik i mediave është ndryshe nga shumë shtete të tjera evropiane. Aty ka më shumë gazeta bulevardeske se në vende të tjera. Konkurrenca është aq e madhe sa revistat dhe gazetat përpiqen të ofrojnë tregime dhe histori sa më qesharake, të pabesueshme dhe seksuale. Kjo është arsyeja."

Shumica e këtyre tregimeve nuk shkruhet nga korrespondentët e Brukselit, sepse ata janë të informuar fare mirë mbi cfarë ndodh aty. Po kolegët e tyre në Londër krijojnë tituj si: "Shishet angleze të qumështit rrezikohen të hiqen nga qarkullimi nga BE sepse nuk jane prodhuar në mënyrë ekologjike. Me këtë ligj vdes sërisht një pjesë e jetës britanike."

Shumica e miteve për BE inspirohen nga tema si ajo që Brukseli përzihet në jetën e përditshme të qytetarëve. Edhe në Gjermani ka raste të ngjashme me ato në Britaninë e Madhe. Reporterët e shtypit bulevardesk shkaktuan me lajmin e tyre se taksa e birrës do të rritet, alarm të paparë në rradhët e popullit gjerman, tregon Viola Eggert:

"Sigurisht që në fillim njerëzit janë të habitur dhe indinjuar kur dëgjojnë një lajm të tillë mbi pijen e tyre të preferuar. Por ne i kundërpërgjigjemi këtyre lajmeve dhe të gjithë qetësohen shpejt."

Por në Britaninë e Madhe ndodh ndryshe, shpjegon Michael Mann. Aty thashemthemet ndjekin njëra-tjetrën dhe askush nuk e merr mundimin të sqarojë dikë:

"Mendoj se shumë njerëz i besojnë ato që lexojnë. Besoj se flasim për atë grup të popullit që është mësuar me dozën e përditshme të këtyre materialeve. Dhe ata nuk shohin asgjë tjetër përvec këtyre lajmeve. Por ata nuk shohin se cfarë ndodh në të vërtetë në Bashkimin Evropian, prandaj dhe u besojnë miteve për BE. Ky zhvillim nuk është aspak pozitiv. Por mendoj se këto gjëra ndodhin për arsye se debati mbi Evropën ende nuk zhvillohet në nivelin e duhur në cdo vend" - ankohet ai.

Dhe pikërisht kjo është detyra e zëdhënësit të Këshillit Evropian. Menjëherë pasi zbulon një skandal të madh mbi BE, zyra e shtypit fillon ofensivën duke dhënë informacionet e sakta. Përvec kësaj, zyra e shtypit të Këshillit Evropian përpiqet të botojë informacione të përditshme mbi planet aktuale të BE. Por Michael Mann është i mendimit se zyra e tij ka ende shumë punë për të bërë: "Ne mund të merremi vetëm me një sasi të caktuar informacionesh nga Brukseli. Por qeveritë kombëtare duhet të na ndihmojnë duke filluar të zhvillojnë diskutime serioze me popullin se cfarë është Evropa dhe c´të mira sjell ajo."

  • Data 03.02.2004
  • Autor Daphne Antachopoulos
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArIX
  • Data 03.02.2004
  • Autor Daphne Antachopoulos
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArIX