1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Misioni i Shtëpisë së Fëmijës ”Zyber Hallulli”

21 Nëntor 2009

Fëmijëve jetimë dhe atyre me gjendje të vështirë ekonomiko -sociale në familjet natyrale në Shqipëri u vijnë në ndihmë shtëpitë e fëmijëve që financohen nga shteti. Një prej tyre është Shtëpia e fëmijës "Zyber Hallulli".

https://p.dw.com/p/KcOI
Emiliano Mejdani në Shtëpinë e Fëmijës ”Zyber Hallulli”.
Emiliano Mejdani në Shtëpinë e Fëmijës ”Zyber Hallulli”.Fotografi: Ani Ruci

"Sot do të flasim se si mund të ruhemi nga rreziqet në shtëpi dhe si mund t' i shmangim ato. Po, Emiliano, kush do tjetër të përgjigjet.."

Ndodhem në orën e mësimit të edukatës qytetare, në shtëpinë e fëmijës ”Zyber Hallulli” në Tiranë. Këta fëmijë kanë histori të ngjashme: janë jetimë ose familjet e tyre natyrore nuk janë në gjendje ekonomiko- sociale që t'i mbajë. Emiliano Mejdani është njëri nga këta të fundit. Ai më thotë që prindërit e tij Fatmira dhe Miri Mejdani, janë të papunë dhe me 6 fëmijë të tjerë për të mbajtur. Familja e tij naturale jeton me asistencë dhe prindërit lypin në rrugë. Pak muaj pas lindjes Emilianon e pranoi një qendër private e licensuar për fëmijët jetimë dhe ata në kushte tepër të vështira në familjet e tyre. Kur qendra u mbyll për probleme financiare ai erdhi në këtë shtëpi, të financuar nga shteti, që ndodhet në një nga zonat më të bukura të Tiranës, në Rrugën e Elbasanit.

Kuota për çdo fëmijë është 2 euro në ditë thotë drejtorja, Jonida Stajanoski.
Kuota për çdo fëmijë është 2 euro në ditë thotë drejtorja, Jonida Stajanoski.Fotografi: Ani Ruci

E pyes Emilianon sesi ndihet në këtë shtëpi fëmije? “Ndihem shumë mirë. Kam ardhur para katër vitesh dhe tani jam në klasën e katërt,” thotë ai.

Drejtorja e kësaj qendre, Jonida Stojanoski tregon se çfarë u ofrohet fëmijëve jetimë dhe atyre që familjet nuk janë në gjendje t'i mbajnë. “Misioni i Shtëpisë së Fëmijës,”Zyber Hallulli” është mbështetja, përkujdesja psiko-sociale dhe rezidenciale për fëmijët në nevojë të moshës nga 5 deri në 15 vjeç. Ky institucion krijon për fëmijët kushtet dhe karakteristiakt e një ambienti të përafërt me atë familjar, integrimin e tyre në ambientin e jashtëm. Shëbimet që ofrohen në këtë institucion janë strehimi rezidencial, pra 24 orë, edukimi, arsimimi i detyrueshëm 9 vjeçar dhe përkujdesja psiko- sociale,” thotë ajo.

Për të realizuar këtë mision në Shtëpinë e Fëmijës “Zyber Halluni" ka mjekë pediatër, punonjës socialë, psikologë, instruktorë që merren me argëtimin e fëmijëve dhe kultivimin e prirjeve të tyre jashtëshkollore. Çfarë i pëlqen Emilianos? “Më pëlqen më shumë nga lojrat futbolli. Kurse nga mësimet dituria e natyrës”

Ai shkon në stërvitje, luan futboll me skuadrën e shkollës dhe merr pjesë ne ndeshjet me skuadrat e futbolllit të shkollave të tjera nëntëvjeçare të Tiranës. Kjo është një nga mënyrat që fëmijët e kësaj qendre të integrohen në mjedisin e jashtëm, gjë që përbën një nga përparësitë e kësaj qendre. Ajo varet financiarisht nga buxheti i shtetit dhe Ministria e Punës, Shanseve të Barabarta dhe Përkrahjes Sociale.

Sa është kuota për çdo fëmijë? Drejtoresha thotë që ajo është rreth 2 euro në ditë për ushqim dhe rreth 60 euro për veshmbathje. A u siguron fëmijëve një jetë normale kjo kuotë? “Kuota duhet të rishikohet . Tregu lëviz, çmimet rriten, standartet rriten, edhe kuota ushqimore ka nevojë të rrritet,” thote Drejtorja Jonida Stajanoski

Ndryshimi i ligjit ekzistues- domosdoshmëri

Kjo do të thotë që duhet ndryshuar ligji për statusin e fëmijëve jetimë. Ligji që zbatohet ende është ai i vitit 1996, që funksionon në nje realitet, i cili në harkun kohor të 13 viteve ka ndryshuar shumë. Në Shqipëri sot ka 11 qendra të tilla shtetërore për fëmijët jetimë dhe ata në nevojë dhe 16 Fondacione private, të licensuara, që menaxhohen kryesisht nga bamirës shqiptarë dhe të huaj. Kuota ditore në këto fondacione për një fëmijë eshtë 4 herë më e lartë sesa në qendrat shtetërore.

Ndihem shumë mirë. Kam ardhur para katër vitesh dhe tani jam në klasën e katërt,” thotë Emiliani Mejdani.
"Ndihem shumë mirë,” thotë Emiliani Mejdani.Fotografi: Ani Ruci

Për të ndryshuar këtë situatë në qendrat shteterore Instituti Kombëtar për Integrimin e Jetimëve, një organizatë kjo jofitimprurëse e shoqërisë civile, ka hedhur idenë që fondet të kalojnë pranë Bashkive, të cilat kanë mundësi të gjenerojnë fonde shtesë.

Në raportin vjetor, të publikuar së fundi, ky institut ngre një problem të madh: fatin e jetimëve dhe fëmijëve në nevojë, pas mbarimit të shkollës 9 vjeçare dhe largimit nga qëndrat shtetërore ose private. Ligji parashikon një mbështetje minimale financiare. Jetimët që nuk kanë fatin të adaptohen mbeten në moshën 15 vjeçare pothuajse në rrugë. Mosha e re dhe privimet financiare i bëjnë ata një gjah të lehtë për rrjetet e krimit të organizuar dhe prostitucionit.

Situata mund të ndryshojë vetëm me një ligj të ri, ku të parashikohet vazhdimi i përkujdesjes për jetimët adoleshentë, tanimë.

Autor : Ani Ruci

Redaktoi : Aida Cama