Mirëserdhe në klub-Prej ditës së sotme Shrëderi është këshilltar medial | Studimi në Gjermani | DW | 24.11.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Mirëserdhe në klub-Prej ditës së sotme Shrëderi është këshilltar medial

default


Shtypi i sotëm gjerman ndalet para së gjithash në planet ekonomike të koalicionit të madh qeveritar si dhe në veprimtarinë e këshilltarit për një shtëpi botuese zvicerane të ish-kancelarit Gerhard Shrëder.


Filimisht për planet e kursimit të koalicionit të madh. Gazeta NÜRNBERGER NACHRICHTEN ndër të tjera shkruan:

"Atje ku bëhen shkurtime, atje ka edhe protesta: këtë kjo qeveri do ta përjetojë më fort se qeveritë e tjera, nëse e ka vërtet seriozisht me synimin e nevojshëm të konsolidimit të buxhetit. Britma për shkurtimet e pashpallura ende në qarkullimin e distancave të afërta është vetëm hapi i parë i një vargu të gjatë protestash të shoqatave të ndryshme lobiiste. Dhe vetëm një koalicion i madh është në gjendje të durojë një kritikë të tillë të vazhdueshme, sepse të dyja partitë më të mëdha marrin pjesë në vendime të dhimbshme, mbajnë përgjegjësi për to dhe nuk mund t'u bëjnë atyre bisht."


DRESDNER NEUESTE NACHRICHTEN është e mendimit:

"Gjendja e buxhetit është vërtet shqetësuese, shumë masa janë radikale dhe konsumatorët të përmbajtur. Por në Evropë, piketat e vendosura shihen shumë më me optimizëm se në Gjermani, siç e konfirmon edhe komisari i BE, Gynter Verheugen. Inovacion, kjo është një fjalë kyçe e politikës ekonomike evropiane. Kjo fjalë nuk duhet të ketë lidhje vetëm me zhvillimet teknike, por edhe me të menduarit e këtushëm. Sepse në fund të fundit, vetëm besimi i ri tek ekonomia dhe rrethanat politike, mund ta ndihmojnë të rimëkëmbet konjunkturën. Babai i ekonomisë sociale të tregut, Ludvig Erhard priu me shembullin e tij."

Gazeta MAIN POST që del në Vyrcburg shkruan për koalicionin e madh:

"Për tri gjëra ka nevojë qeveria e re, për të rifituar sërish besimin tek politika: ndershmëri (të bësh atë që thua), besueshmëri (të mos premtosh atë që nuk e mban dot) dhe mjeshtëri për t'i organizuar punët. Kur atëherë të fillojnë të shënohen sukseset ekonomike, atëherë politikanët mund ta rifitojnë besimin e humbur muajt e fundit. Kjo do t'i sillte në plan afatgjatë secilit nga ne më shumë se sa do t'i duhet të investojë tani, për shkak të vendimeve të rrepta të kursimeve."

Ndërrojmë temë: ish-kancelari gjerman Shrëder do të jetë në të ardhmen këshilltar i shtëpisë së madhe botuese zvicerane Ringier. Këtë fakt e komentojnë sot shumë gazeta gjermane.

Fillimisht NORDWEST- ZEITUNG:

"Po, dikur Shrëderi konsiderohej si kancelar i medieve. Me ndihmën e "Bild-it, Stern-it dhe Televizorit", (për të cituar Shrëderin) ai nguliti imazhin e tij si njeri, të cilin mund ta prekësh me dorë. Jo, së fundi në fushatën elektorale, gazetarët nuk ishin më miqtë e kancelarit. As edhe ata që qenë ftuar në martesën e tij me Dorisin. Borë mediale e vjetër. Prej ditës së sotme, Shrëderi është këshilltar medial. Pra një njeri i shtypit. Mirëserdhe në klub. Që ish-kancelari angazhohet pikërisht tek një sipërmarrje zvicerane, kjo mund të ketë të bëjë me urrejtjen e tij për menaxherët gjermanë të shtëpive botuese."

MINDENER TAGEBLATT shkruan:

"Shrëderi do të hapë dyer, për shembull në Evropën Lindore- në fund të fundit ai ka një mik të ngushtë në Kremlin, ose në Kinë, ku ish-kryetari i qeverisë pas angazhimit të tij për heqjen e embargos së armëve ndaj Kinës shihet me siguri edhe më tej me qejf. Marrëdhënia e biznesit pra mund të vlejë për zviceranët. Megjithatë, kjo marrëdhënie nuk mund të mos të të tërheqë vëmendjen...Por kjo nuk është shkak pengese për Shrëderin, ai e sheh veten si njeri privat."

Dhe së fundi, HANDELSBLATT, që botohet në Dyseldorf:

"Ndryshe nga (ish-kancelari) Shmidt, Shrëderi ndihet edhe më tej i lidhur me Partinë Socialdemokrate Gjermane. Ai i ka premtuar partisë së tij dhe CDU-CSU-së se nuk do ta minojë me kritika publike punën e koalicionit të madh. Mund të nisemi nga fakti që ish-kancelari edhe do ta mbajë këtë premtim. (Pronari i shtëpisë botuese) Ringier me sa duket shpreson nga Shrëderi që ai t'i hapë shtëpisë botuese dyer politike dhe biznesi në parketin ndërkombëtar. Në këtë drejtim Shrëderi ka shumë përvojë, qoftë në Kinë apo edhe në Rajonin e Gjirit. Si kancelar ai u angazhua në udhëtimet e tij të fundit jashtë vendit në mënyrë masive për interesat e sipërmarrjeve gjermane në tregjet botërore. Si ish-kancelar ai ka të drejtë ta bëjë këtë edhe për interesat e sipërmarrjeve të huaja."

  • Data 24.11.2005
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arsg
  • Data 24.11.2005
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arsg