1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sicherheitskonferenz München

Nina Werkhäuser9 Shkurt 2009

Konferenca e Sigurisë në Mynih përfundoi ditën e diel duke dëshmuar edhe një herë ekzistencën e vlerave të përbashkëta transatlantike. Aktiviteti ishte miqësor në ton dhe me pretendime të larta përsa i përket përmbajtjes

https://p.dw.com/p/Gq5V
Tone miqësore midis Evropës dhe SHBA: kancelarja gjermane Merkel dhe zv.presidenti i SHBA, Joe Biden
Tone miqësore midis Evropës dhe SHBA: kancelarja gjermane Merkel dhe zv.presidenti i SHBA, Joe BidenFotografi: AP

Konferenca e Sigurisë është një termometër i mirë për të matur temperaturën midis SHBA dhe Evropës. Vitet e kaluara evropianët kanë qenë konfrontuar rregullisht me unilaterizmin amerikan, të shoqëruar me pak cinizëm. Por këtë vit amerikanët tingëlluan shumë të ngrohtë, sidomos zëvendëspresidenti Joe Biden. Fakti që Obama dërgoi në Mynih burrin e dytë të shtetit, pak ditë pas marrjes së pushtetit dhe në mes të krizës ekonomike, ishte dëshmi e besueshmërisë.

Me fjalimin e tij Bideni arriti të bindë edhe skeptikun më të madh. Për qeverinë e re amerikane Evropa është shumë më tepër se sa një grumbull vendesh jointeresante, prej të cilave vetëm disa mund të vlejnë si aleatë besnikë. Barack Obama i mbylli në sirtar sjelljet prej sherifi të George Bushit dhe hodhi mbi veten e vet një sasi përulësie. Qeveria e re amerikane do të dëgjojë çfarë kanë për të thënë aleatët, do të presë prej tyre këshilla dhe ndihmë, deklaroi zëvendëspresidenti. Amerika nuk do të përdorë më torturën, dhe nuk do të luajë më me vlerat e veta prej shqetësimeve të tepruara në çështjet e sigurisë. Dëgjuesit, që vitet e fundit kanë ngritur dyshime mbi ekzistencën e vlerave të përbashkëta transatlantike, morën frymë lirisht.

Por Joe Biden-i, prezantoi në Mynih edhe programin ambicioz të qeverisë së tij. Ndalimin e ndryshimit të klimës, përgjysmimin e varfërisë deri në vitin 2015, vendosjen nën kontroll të krizës financiare dhe gjithë krizave të tjera. Këto detyra nuk mund të arrihen të vetme, prandaj toni i ri pajtues nuk vjen prej lluksit, por prej domosdoshmërisë. Qeveria e re amerikane kërkon pra ndihmës vullnetare, me ndryshimin që kritikët të mos hiqen nga lista e partnerëve, si në qeverinë e Bushit.