1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

260410 D Migranten Politik

29 Prill 2010

Gjermania ka për herë të parë një ministre me origjinë turke. Juristja 38 vjeçare Aygül Özkan u emërua ministre për Çështjet Sociale, Familjen dhe Integrimin në landin e Saksonisë së Ulët, një prej landeve më të mëdha.

https://p.dw.com/p/N9Ol
Ministrja e sapoemëruar Ayguel Oezkan, CDUFotografi: AP

Vendimi bëri bujë, kur u shpall para një jave, sepse numri i politikanëve me sfond migracioni në Gjermani është ende i vogël. Edhe më i vogël, kur është fjala për një politikane nga rradhët e CDU-së, Unionit Kristian Demokrat.

Nga të gjitha partitë e tjera mund të pritej, por jo nga kristiandemokratët. Por është pikërisht Kryeministri kristiandemokrat i landit Niedersachsen, Christian Wulff, që emëroi për herë të parë në Gjermani një politikane me origjinë turke, muslimane. Mënjeherë në mediat gjermane u fol për një strategji politike, që bëhej për të përmirësuar prestigjin e kristiandemokratëve tek afro katër milionë zgjedhësit me sfond migracioni. Sipas një anketimi të vitit të kaluar 55% e gjermano-turqve do të votonin për socialdemokratët, 23% për të ekologjistët dhe vetëm 10% do të zgjidhnin kristiandemokratët. Për shumë migrantë muslimanë CDU-ja, përfaqëson fenë e krishterë, me siguri një pengesë për të hyrë në këtë parti. A është për këtë arsye emërimi i Aygül Özkan kaq i rëndësishëm për CDU-në? A shërben ajo vetëm si alibi, si migrante, që plotëson kuotën? Aygül Özkan e hedh poshtë këtë.

Aygül Özkan Vereidigung
Ayguel Oezkan merr nga kryministri i Saksonisë së Ulët, Christian Wulff, dokumentin e emërimit, me 27 prill 2010 në HannoverFotografi: AP

„Po ta kisha pasur këtë ndjenjë, do të kisha refuzuar. Sepse unë nuk lejoj që të reduktohem në kuotë. Por nganjëherë në disa pozicione të rëndësishme duhet dhënë një sinjal. Dhe më duket gjë shumë e mirë, që ky sinjal vjen nga landi i Saksonisë së Ulët.“

Sinjal, apo një veprim vetëm simbolik pa pasoja të mëdha?

Për këtë duhet pritur. Megjithatë deri tani politikanët me sfond migracioni përbëjnë vetëm përjashtimin nga rregulli. Nga të 2500 deputetët gjermanë në parlamentet e landeve gjermane, në parlamentin federal dhe në Parlamtentin Evropian as 100 nuk kanë sfond migracioni. Sikur përbërja e vertetë e popullsisë së Gjermanisë të pasqyrohej edhe në parlamente, atëherë deputetët me origjinë të huaj duhet të ishin pesë herë më shumë. Sepse thuajse 20 përqind e banorëve të këtij vendi kanë sfond migracioni, pohon zyra federale e statistikave. Këtu hyjnë të gjithë ata, babai apo nëna e të cilëve kanë një pasaportë gjermane.

Serkan Tören FDP Bundestagsabgeordneter
Deputeti liberal Serkan TörenFotografi: FDP

Kështu është në rastin e 21 prej 622 deputetëve, që ka parlamenti gjerman. Por në periudhën e fundit legjislative vetëm 11 parlamentarë kishin rrënjë të huaja. Megjithë dyfishimin kjo është „tepër pak“, mendon deputeti i sapozgjedhur i liberalëve gjermanë, Serkan Tëren.

“Kjo nuk është pasqyrë e shoqërisë. Për këtë duhet të punojnë të gjithë. Edhe nga të gjithë migrantët dhe gjermanët me sfond migracioni kërkohet të marrin pjesë aktive në politikë. Por edhe partitë duhet t'u drejtohen më shumë migrantëve dhe t'i angazhojnë në politikë."

Për këtë partitë duhet t'i shohin deputetët me sfond migracioni si diçka të vetëkuptueshme dhe jo si përjashtim. Dhe kur ata e kanë përballuar luftën e vështirë të përzgjedhjes dhe kanë arritur në parlament, shpesh angazhohen nga fraksioni atje për tema, që kanë të bëjnë me emigrantët. Politikania Lale Akgün kujton gjithnjë me indinjim, se si një koleg e pati prezantuar në Berlin me fjalët: „Kjo është një grua ekzotike në fraksionin tonë.“ ."

SPD-Bundestagsabgeordnete Lale Akgün
Lale AkgünFotografi: dpa

Lale Akgün: „Ne jemi ende të fiksuar tek të qënit gjerman mbi bazën etnike dhe e kemi të vështirë, që t'u themi gjermanë njerëzve me prejardhje tjetër. Ne kemi dëshirë të përdorim emërtime dyfishe si gjermano-turk, gjermano-italian, muslimano-gjerman, hebreo-gjerman, në vend që ta lëmë tjetrin të jetë gjerman në bazë të pasaportës dhe të jetës së tij në këtë shoqëri.

Pra ashtu siç shihen emigrantët në vende klasike emigracioni, në SHBA, në Kanada, apo në Australi, kur ato kanë nënshtetësinë e vendit, ku jetojnë. Gjermania nuk ka arritur akoma aty, sidomos kur politika dhe shoqëria para pak vjetësh kanë pranuar se Gjermania është vend emigrimi. Por megjithatë një gjë është e sigurtë, sa më shumë zgjedhës me sfond migracioni të votojnë, aq më shumë do ta shohin veten të detyruara partitë, të paraqesin kandidatë me prejardhje të huaj.

Autor: Panajotis Kuparanis/Angjelina Verbica

Redaktoi: VilmaFilaj-Ballvora