1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Maas po viziton Libinë në mision paqeje

17 Gusht 2020

Kryediplomati i Gjermanisë Heiko Maas ka bërë një vizitë befasuese në Libi, për të ndihmuar në zgjidhjen e konfliktit. Deri tani, ndërmjetësimi gjerman është përqendruar në mbajtjen e palëve të huaja jashtë luftës.

https://p.dw.com/p/3h5ip
Maas besucht Bürgerkriegsland Libyen
Fotografi: Getty Images/AFP/M. Turkia

Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas arriti në Libi të hënën në një vizitë të panjoftuar më parë - e para e tij që nga një samit në Berlin në janar që nuk arriti të sjellë paqe në vendin e shkatërruar nga lufta.

"Ne shohim një qetësi mashtruese në Libi për momentin," tha ai në një deklaratë me të mbërritur. "Të dyja palët dhe aleatët e tyre ndërkombëtarë po vazhdojnë të armatosin vendin në një shkallë masive dhe kanë vënë kushte për armëpushim," shtoi ai.

Në bisedimet në kryeqytetin Tripoli, me kryeministrin Fayez Serraj, nga qeveria e njohur ndërkombëtarisht e Libisë, Maas do të përqendrohet se si mund të arrihet paqja me gjeneralin Khalifa Haftar.

Haftari ka mbështetjen e një administrate rivale me qendër në Tobruk. Edhe Egjipti, Rusia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe gjithashtu e mbështesin atë. Serraj ka mbështetje nga Turqia dhe Katari.

Maas gjithashtu do të bëjë presion për krijimin e një zone të demilitarizuar rreth qytetit të rëndësishëm strategjik të Sirtes, në bregdetin e Mesdheut, që mbahet aktualisht nga trupat e Haftarit. Propozimi u paraqit nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.

Maas besucht Bürgerkriegsland Libyen
Fotografi: Getty Images/AFP/M. Turkia

Ky qytet së shpejti mund të bëhet arenë e një konfrontimi të madh ushtarak, pasi trupat qeveritare janë zotuar ta marrin përsëri qytetin, megjithë kërcënimet e Egjiptit për të ndërhyrë ushtarakisht nëse trupat qeveritare sulmojnë.

Shtetet evropiane do të donin që ky konflikt në shtetin e Afrikës së Veriut të zgjidhej, pjesërisht sepse mungesa e ligjit që ka shkaktur u ka lejuar kontrabandistëve ta përdorin Libinë si një bazë për të dërguar migrantë në Mesdhe në Evropë.

Pika nga nisen refugjatët

Situata e refugjatëve në Libi është gjithashtu temë e vizitës së tij. Organizatat e të drejtave të njeriut kanë raportuar për keqtrajtime të migrantëve të mundshëm në kampe të mbikqyrura nga autoritetet libiane.

"Ne kemi kohë që kemi kërkuar që qendrat e ndalimit të mbyllen dhe kemi bërë thirrje që të krijohen alternativa në zonat e qytetit," tha ai, duke shtuar se rrjetet e kontrabandës gjithashtu duhej të goditen në mënyrë efektive.

Maas do të fluturojë për në Emiratet e Bashkuara Arabe të hënën në mbrëmje, ku, sipas deklaratës së tij, ai do të diskutojë gjithashtu për konfliktin në Libi, së bashku me çështje që lidhen me Iranin, Sirinë, Katarin dhe Libanin.

BE ka filluar misionin detar Irini, për të ndihmuar në monitorimin e një embargoje të armëve të OKB-së për Libinë, ndërsa Gjermania, Franca dhe Italia kanë filluar një iniciativë për të imponuar sanksione të BE për ato shtete që krijojnë mundësi për të transportuar armë.

Libia ndodhet në konflikt të brendshëm pothuajse të vazhdueshëm që nga viti 2011, kur diktatori Moammar Gadhafi u rrëzua në një kryengritje të mbështetur nga NATO-ja.

aud (rtr)