Ministri i jashtëm gjerman Joschka Fischer përuron në Kaliningrad konsullatën e parë gjermane | Bota | DW | 12.02.2004
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Ministri i jashtëm gjerman Joschka Fischer përuron në Kaliningrad konsullatën e parë gjermane

Hera e parë për një ministër të jashtëm. Kjo nuk është vetëm vizita e parë e ministrit të jashtëm gjerman Joschka Fischer në Kaliningrad, por edhe vizita e parë e një ministri të jashtëm gjerman në ish kryeqytetin Königberg pas luftës së dytë botërore. Ministri i jashtëm Fischer u shfaq i kënaqur:

"Jam shumë i gëzuar që ndonëse kemi dimër ndjehet flladi i pranverës dhe se unë pikërisht në këtë ditë ndodhem këtu në Kaliningrad" - tha Fischer.

Qytetarët e Kaliningradit kanë shumë besim tek gjermanët. Kjo pjesë ruse do të rrethohet së shpejti vetëm nga zonë e Bashkimit Evropian. Qeveria ruse debatoi shumë kohë për një kontratë transiti, deri sa më në fund, në vitin 2002 u arrit një kompromis për të lejuar një dokument të thjeshtë udhëtimi. Dhe kështu banorët e Kalininigradit, nuk kanë më nevojë të shkojnë deri në Moskë për të kërkuar një vizë Shengen. Ministri i jashtëm gjerman Fischer hapi të enjten konsullatën e parë gjermane në Kalininigrad.

Si datë të hapjes së konsullatës, Joschka Fischer zgjodhi 200 vjetorin e vdekjes së filozofit gjerman Imanuel Kant, i cili jetoi dhe vdiq në Kalininigrad. Filozofia e Kantit është sot më e gjallëruar se kurrë më parë, u shpreh ministri i jashtëm gjerman gjatë përurimit të konsullatës gjermane. Pothuajse 10 vjet zgjatën diskutimet ruso-gjermane për hapjen e konsullatës në Kaliningrad. Sidomos nacionalistët rusë dhe komunistët ishin kundër një konsullate gjermane në Kalininigrad. Ministri i jashtëm gjerman Fischer u shpreh gjatë inagurimit të konsullatës:

"Me hapjen e kësaj konsullate ne shohim një dëshmi të besimit reciprok dhe se rusët dhe gjermanët janë të gatshëm të bashkëpunojnë për një të ardhme më të mirë. Shpresoj që në të ardhmen të biem dakord edhe për transitin e mallrave nga zonat e Bashkimit Evropian, sepse vetëm kështu do të mund të arrijmë një bashkëpunim që i tejkalon kufinjtë mes Bashkimit Evropian dhe Kaliningradit."

Konsulli i parë gjerman Kornelius Sommer kërkon ndërkohë një ndërtesë të aftë për të hapur konsullatën aty. Ai tani jeton në një hotel. Por në fillim të verës zyra e vizave do të fillojë zyrtarisht punën.

Ministri i jashtëm gjerman Fischer u takua të enjten mbasdite me presidentin rus Vladimir Putin. Pas takimit gati dyorësh, Putini u shpreh përpara mediave se bashkëpunimi mes Rusisë dhe Gjermanisë po zhvillohet pozitivisht. Putini e quajti hapjen e konsullatës gjermane në Kalininigrad si një hap të vogël por të rëndësishëm. Ai rikujtoi edhe njëherë marrdhëniet e mira ekonomike të dy shteteve dhe investimet gjermane prej më shumë se 10 milionë euro në Rusi. Putin theksoi gjithashtu se Gjermania luan një rol të rëndësishëm për marrdhëniet mes Rusisë dhe Bashkimit Evropian.

Fischer u takua edhe me homologun e tij rus Igor Ivanov. Temat kryesore të bisedimeve ishin Iraku dhe lufta ndërkombëtare kundër terrorit.
  • Data 12.02.2004
  • Autor Karla Engelhard
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArU2
  • Data 12.02.2004
  • Autor Karla Engelhard
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArU2
Reklamë