1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Habeck në Lindjen e Mesme: diskutime për klimën e gazin

6 Qershor 2022

Ministri i Ekonomisë Robert Habeck është nisur në Lindjen e Mesme. Ai tha se mbrojtja e klimës do të jetë në qendër të diskutimeve. Por lufta në Ukrainë e ka vënë sërish në agjendë shfrytëzimin e gazit natyror.

https://p.dw.com/p/4CKfV
Deutschland | Pressekonferenz | Treffen der G7-Minister für Klima, Energie und Umwelt
Fotografi: Annegret Hilse/REUTERS

Ministri i Ekonomisë dhe Mbrojtjes së Klimës, Robert Habeck filloi sot një udhëtim katërditor në Lindjen e Mesme. Zëvendëskancelari do të kërkojë atje mundësi për rritje të bashkëpunimit në fushën e energjisë dhe mbrojtjes së klimës. "Pikërisht në këtë rajon shihet se sa ngushtë duhet të bashkohen politika e sigurisë dhe politika klimatike dhe sa urgjente është të kufizohet ngrohja globale në një nivel të përballueshëm," tha Habecku përpara se të niste udhëtimin e tij në Izrael, territoret palestineze dhe Jordani.

Mesdheu lindor përballet me sfida të mëdha, vazhdoi politikani ambientalist. "Tensionet politike, dallimet sociale, pasojat e luftës në Siri dhe efektet e prekshme të krizës klimatike janë mes tyre”. Sipas tij, këto kriza të ndryshme janë të ndërthurura.

Mbrojtja e klimës është ende e re në agjendë

Habeck fillimisht shkon në Izrael, ku do të takohet me anëtarët e qeverisë. Vetëm me ardhjen në detyrë të kryeministrit Naftali Bennett verën e kaluar, tema e mbrojtjes së klimës hyri në agjendën politike izraelite. Në tetor, qeveria miratoi një plan gjithëpërfshirës për mbrojtjen e klimës. Qëllimi është të zhvillohen teknologji që reduktojnë emetimet e dioksidit të karbonit dhe të bëhen përgatitje për ndryshimet klimatike.

Deutschland | Robert Habeck besucht die PCK Raffinerie in Schwedt
Fotografi: Monika Skolimowska/dpa/picture alliance

"Gjithmonë mungon gazi”

Do të diskutohet gjithashtu për shfrytëzimin e një fushe të re gazi. "Ka ende mungesë gazi, nëse duam të bëhemi të pavarur nga Rusia," tha Habecku.

Në atë rajon mungon infrastruktura, ndaj në plan afatshkurtër nuk do të ketë eksport gazi në Evropë prej atje. Ndërtimi i një infrastrukture që do të përfundonte rreth vitit 2027 "dhe do të duhej të çmontohej pas pesë vjetësh nuk ka kuptim," vuri në dukje Habeck. Megjithatë, nëse vendoset shpejt bashkëpunim me vendet fqinje, që kanë terminale LNG, "kjo me siguri mund të ndihmojë". Megjithatë, prioriteti i udhëtimit të tij është zhvillimi i energjive të rinovueshme.

Robert Habeck
Fotografi: Lisi Niesner/File Photo/REUTERS

Në brigjet e Izraelit ka depozita të mëdha të gazit natyror. Përballë luftës së agresionit rus në Ukrainë, qeveria gjermane dëshiron të rishqyrtojë, në bashkëpunim me Greqinë dhe Qipron, një projekt tubacioni gazi përmes Mesdheut në Evropë, i cili ndërkohë ishte braktisur.

Konferenca e Energjisë në Jordani

Robert Habeck bëri thirrje që të shfrytëzohen mundësitë "që janë në mbrojtjen e klimës globale" dhe përmendi zhvillimin e energjive të rinovueshme, prodhimin e hidrogjenit si dhe inovacionet teknologjike. Kështu mund të shfaqen forma të reja bashkëpunimi. "Kjo është ajo që ne duam të forcojmë sa më shumë që të jetë e mundur, për të arritur bashkëpunim në rritje brenda rajonit, si dhe bashkëpunim më të ngushtë midis Gjermanisë dhe Bashkimit Evropian nga njëra anë dhe Mesdheut Lindor nga ana tjetër”, tha z. Habeck.

Të martën, politikani i gjelbër planifikon të vazhdojë vizitën e tij në territoret palestineze dhe Jordani, ku do të marrë pjesë në një konferencë energjetike gjermano-jordaneze. "Mena Europe Future Energy Dialogue" është organizuar bashkërisht nga qeveritë jordaneze dhe gjermane. Habeck dëshiron të marrë pjesë në ceremoninë e hapjes, e cila do të mbledhë së bashku rreth 800 pjesëmarrës.