1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

EU Flugverkehr Sicherheit

12 Mars 2010

Në të ardhmen në rast askidentesh ajrore familjet e viktimave në BE do të informohen më shpejt. Ministrat e transportit të vendeve anëtare të BE-së ranë dakord të enjten (11.3.) në Bruksel për një projektligj përkatës.

https://p.dw.com/p/MQcX
Në foto: Boeing 787 Dreamliner
Fotografi: AP

Deri tani shoqëritë ajrore në BE pas rrëzimit të një avioni teorikisht kanë kohë të pakufizuar në dispozicion për përcjelljen autoriteteve të listës së pasagjerëve. Ministrat e transportit të BE-së kërkojnë që në të ardhmen për këtë të ketë një rregull të njësuar, tha Presidenti i Këshillit, José Blanco:

Ministri spanjoll i Transporteve, José Blanco.
Ministri spanjoll i Transporteve, José Blanco.Fotografi: picture-alliance/ dpa

"Ne të gjithë duam të shmangim që populli të jetojë një kohë të gjatë me frikë dhe pasiguri për fatin e të afërmve dhe miqve. Nga ana tjetër duhet evituar që shoqëritë ajrore të jenë nën trysni të vazhdueshme për dhënien e informacioneve. Për këtë arsye ramë dakord për një kompromis i cili parashikon një afat maksimal prej dy orësh për vënien në dispozicion të listës së pasagjerëve."

Por fillimisht duhet të njoftohen për emrat të afërmit dhe vetëm më pas mediet.

Ministri gjerman i Transporteve, Peter Ramsauer, tha për gazetarët se në Gjermani kjo bëhet që tani shumë më parë, por në negociatat me vendet e tjera anëtare nuk ishte e mundur të vendosej një afat më i shkurtër. Para se të hyjë në fuqi, dekreti duhet të miratohet edhe nga Parlamenti Evropian.

Ministri gjerman i Transporteve, Peter Ramsauer.
Ministri gjerman i Transporteve, Peter Ramsauer.Fotografi: AP

Ramsauer foli edhe për problemet në negociatat mes BE-së dhe SHBA-së për liberalizimin e mëtejshëm të transportit ajror. Sipas ministrit gjerman këtu ende mungon një trajtim plotësisht i barabartë: "Nëse sipërmarrjet amerikane kanë të drejtë të marrin pjesë me deri 49,9% në kapitalin me të drejtë vote të firmave evropiane, ne presim që të vlejnë kushte të njëjta edhe në rastin e anasjelltë."

Edhe në fushën e ambjentit, si p.sh. në temën e mbrojtjes nga ndotja akustike dhe fluturimeve natën, duhet të njihen standardet evropiane. Ramsauer është i pakënaqur me pagesën shtesë për sigurinë në fluturime që kërkojnë shoqëritë ajrore amerikane.

"Nëse fillohet kështu me izolimin reciprok, mund të gjehen gjithnjë argumente. Amerika argumenton gjithnjë gjithçka me sigurinë. Atëherë mund të thoja se është e kuptueshme që të mendohemi për t'ua kthyer me të njëjtën monedhë (në thonjëza). Por unë besoj se ky do të ishte një zhvillim me pasoja tejet negative", tha ministri gjerman i Transporteve, Ramsauer.

Brenda Evropës mendohet ndërkaq për të detyruar pasagjerët të paguajnë për skanerat e kontestuar të trupit. Ndërkohë që në Parlamentin Evropian shumica është e mendimit se për skanerat duhet të paguajë shteti dhe pra gjithë taksapaguesit, pjesa më e madhe e shteteve anëtare janë të mendimit se kjo është diçka që u takon konsumatorëve, pra pasagjerëve të shoqërive ajrore.

Autor: Christoph Hasselbach / Eliana Xhani

Redaktoi: Mimoza Cika-Kelmendi