Ministrat e jashtëm të vendeve ballkanike diskutuan edhe për statusin përfundimtar të Kosovës | FOKUS | DW | 15.10.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

FOKUS

Ministrat e jashtëm të vendeve ballkanike diskutuan edhe për statusin përfundimtar të Kosovës

Ministrat e jashtëm të vendeve ballkanike që u mblodhën në ishullin Rodos të Greqisë theksuan nevojën e një qëndrimi unik për statusin përfundimtar të Kosovës

Pamje nga Rodosi i Greqisë

Pamje nga Rodosi i Greqisë

Çështje e statusit të Kosovës ishte dhe një nga çështjet që proekupoi shefat e diplomacisë të vendeve ballkanike të cilët u mblodhën në një takim jo të radhës në kuadrin e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore në ishullin grek Rodos. Të pranishmit, siç u theksua në konferencën e përbashkët për shtyp, përshëndeten Raportin e zotit Eide në Këshillin e Sigurimit për Kosovën si “një analizë të hollësishme dhe të ekuilibruar që nuk tenton të fshehë edhe pikat e errëta” dhe u shprehen në favor të “një zgjidhjeje të qëndrueshme konform vlerave dhe kritereve evropiane”. Gjithashtu u theksua nevoja e një qëndrimi unik ballkanik për formën e statusit, siç i mëshoi me forcë dhe në konferencën për shtyp pala rumune nëpërmjet ambasadorit George Ciamba që e cilësoi njëkohësisht zgjidhjen e statusit “një hap shumë të madh për perspektivën evropiane” që përbën tashmë objektivin strategjik të të gjitha vendeve të rajonit.

Takimi u dha mundësinë edhe shefave të diplomacisë greke dhe asaj maqedonase, Molivjatis dhe Mitreva, që edhe me përshendetjen e tyre të përzemërt para kamerave televizive të kalojnë mesazhin se marrëdhëniet miqësore mbeten orientimi i tyre megjithë klimën e ftohjes dhe të keqkuptimeve që sollen zhvillimet rreth emrit dhe veçanerisht kërcënim i Greqisë për veton e mundshme të saj. Ministri i jashtëm grek Molivjatis tha me këtë rast se mbështetja e FYROM “është pjesë e politikës së përgjithshme të Greqisë” dhe se sipas Marrëveshjes së Ndërmjetme të vitit 1995 vendi fqinj mund të aderojë në organizmat ndërkombëtarë me emrin e renë dakort ‘Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë’. Largohet kështu akti i ushtrimit të së drejtës së vetos, që u kritikua dhe nga opozita socialiste greke dhe solli dhe deklaratën e nënsekretarit amerikan të shtetit Nikolas Berns në median maqedonase “për turp të Greqisë” në këtë rast. Deklarata u konsiderua një keqkuptim i diplomatit amerikan për përmbajtjen e referendumit të mundshëm të Greqisë se do të bëhej për çështjen e emrit, por siç sqaroi ministri i jashtëm grek ai do të ketë të bëjë me integrimin ose jo të vendit fqinj në strukturat evropiane dhe euroatlantike në qoftë se deri atëherë nuk do të ketë përftuar një emër të pranuar nga të dyja palët.

E vërteta është se me gjithë problemet pezull dhe zhvillimet në fjalë atmosfera ishte mjaft e ngrohtë dhe konstruktive në Rodos, që në fakt nuk të kujtonte asgjë nga fryma e mosbesimit në konferencën e parë ndërballkanike që mbahej nga mesi i viteve 90-të po në Greqi, në ishullin përbri të Kretes, kur akoma ndër protagonistët ishte ish-presidenti jugosllav Milosheviq dhe iniciohej Proçesi i Bashkëpunimit në Evropën Juglindore. Kryesinë e tij tashmë e ka Greqia dhe pritet ta marrë Kroatia që Bashkimi Evropian në samitin e fundit i hapi porten.

  • Data 15.10.2005
  • Autor Niko Anagnosti
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AqiK
  • Data 15.10.2005
  • Autor Niko Anagnosti
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AqiK