Ministrat e jashtëm të BE-së këshillohen për buxhetin e viteve 2007-2013 | Evropa | DW | 21.05.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Ministrat e jashtëm të BE-së këshillohen për buxhetin e viteve 2007-2013

Këtë herë ministrat e punëve të jashtme të Bashkimit Evropian do të takohen që të dielën në mbrëmje e jo si zakonisht të hënave. Atyre u nevojitet më shumë kohë, sepse në takimin e gjatë të natës të dielën do të flitet për para. Bashkimi Evropian duhet të merret vesh për kuadrin e vet buxhetor për vitet 2007 deri 2013. Përfytyrimet e shteteve anëtare janë mjaft divergjente. Edhe ministrat për ndihmën zhvillimore të shteteve të Bashkimit Evropian do të këshillohen për para. Konkretisht bëhet fjalë për rritjen e ndihmës për zhvillim. Një vështrim mbi javën e ardhshme nga Bernd Riegert.

Komisioni Evropian ka propozuar një vëllim buxhetor prej 1.025 miliardë eurosh për periudhën financiare shtatëvjeçare 2007-2013. Në dokumentin e saj të fundit të kompromisit presidenca luksemburgase bën thirrje për shpenzime me vlerë 900 miliardë euro. Nga ana tjetër gjashtë kontribues neto, pra që paguajnë sot për buxhetin më shumë sesa marrin prej tij, mes të cilëve Gjermania, kërkojnë t'i kufizojnë në 815 miliardë euro shpenzimet. Ky vëllim buxhetor përbën një për qind të prodhimit të brendshëm bruto në mbarë Bashkimin Evropian.

Këtë tavan për buxhetin evropian e pohuan edhe një herë në takimin e tyre të enjten në Nancy kancelari gjerman Gerhard Schröder dhe presidenti francez Jacques Chirac. Kontributet vjetore gjermane kapin tani 22 miliardë euro. Edhe në rast kufizimi deri në vitin 2013 ato do të rriteshin në 32 miliardë euro. Nga ana tjetër vende përfituese si Spanja apo Polonia këmbëngulin për një rritje më të shpejtë të shpenzimeve.

Presidenca luksemburgase ka propozuar që rabati i dhënë Britanisë së Madhe prej 21 vjetësh për kontributet në buxhetin evropian të zvogëlohet ngadalë. Në vend të kësaj do të ketë një sistem rabati prej të cilit do të përfitonin kryesisht tre kontribuesit më të mëdhenj neto: Hollanda, Suedia dhe Gjermania. Deri tani Britania e Madhe nuk pranon as të bisedohet për rabatin.

Gjithashtu e diskutueshme është çështja se për çfarë do të shpenzohen paratë. Presidenti luksemburgas i radhës Jean-Claude Juncker propozon kufizimin e subvencioneve rajonale dhe reformimin e tyre. Këto ndihma derdhen hë për hë edhe në landet lindore gjermane, të cilat renditen nën nivelin mesatar evropian të mirëqenies. Në rast se propozimi luksemburgas do të miratohej, atëherë paratë nuk do të derdheshin më në landet lindore; prandaj nga qeveria gjermane në Berlin vjen një "jo" kategorike.

Evropianët janë zënë ngushtë në çështjen financiare dhe rrugëdalja nuk dallohet. Ka gjasa që edhe takimi i qershorit i krerëve të shteteve dhe qeverive evropiane të mos sjellë zgjidhje.

Për para bëhet fjalë edhe në takimin paralel të ministrave për ndihmën zhvillimore në Bruksel. Të martën ata do të këshillohen lidhur me mënyrën e përmbushjes së synimeve të mijëvjeçarit të përcaktuara nga Kombet e Bashkuara në vitin 2000. Ndër të tjera deri në vitin 2015 synohet përgjysmimi i nivelit të varfërisë së skajshme. Për këtë arsye planifikohet që deri në vitin 2015 shtetet më të pasura, të industrializuara ta rrisin në 0,7 për qind të prodhimit të brendshëm bruto ndihmën e tyre për zhvillim. Në Bashkimin Evropian këtë vlerë e kapin vetëm Luksemburgu, Danimarka, Hollanda dhe Suedia. Vitin e ardhshëm Gjermania do të paguaj rreth 0,33 për qind të prodhimit të brendshëm bruto. Duke treguar nga arka e zbrazët e shtetit ministri gjerman i financave Hans Eichel refuzon të përcaktojë synime të tjera.

Tani ministrat evropianë duan të diskutojnë për një strategji të përbashkët, të cilën do ta mbronin më pas në samitin e Kombeve të Bashkuara në shtator. Edhe anëtarët e rinj nga Evropa lindore do të kontribuojnë më shumë në ndihmën për zhvillim. Deri në 2015-ën ata do të japin rreth 0,3 për qind të fuqisë së tyre ekonomike. Po diskutohet edhe për futjen e një takse për biletat e fluturimit për të shtuar ndihmën zhvillimore, por një masë e tillë kundërshtohet nga vendet që përfitojnë nga turizmi i fluturimeve.

  • Data 21.05.2005
  • Autor Bernd Riegert
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArEM
  • Data 21.05.2005
  • Autor Bernd Riegert
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArEM