1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian diskutojnë sot në Bruksel

31 Janar 2005

Komisioneri përgjegjës për zgjerimin Olli Rehn: Ky vit është kritik si për statusin e Kosovës ashtu edhe për bashkëpunimin e vendeve ballkanike me Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës. Dorëzimi i gjeneralit serb Llazareviç është diçka e mirë, por nuk mjafton. Nevojitet një bashkëpunim i plotë i Beogradit me Hagën

https://p.dw.com/p/AquI

Zgjedhjet në Irak, politika e afrimit të Ukrainës me BE-në si dhe heqja përkohësisht e e sanksioneve kundër Kubës - janë temat kryesore që Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian po diskutojnë sot gjatë takimit të tyre të përmuajshëm në Bruksel. Sot pasdite ata kanë filluar të bisedojnë edhe ndaj situatës në vendet e Ballkanit Perëndimor, diskutime që po vazhdojnë edhe në këto momente që po ttransmetojmë këtë informacion. Konkluzionet e Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian si dhe thirrja e Grupit Ndërkombëtar të Krizave për të përshpejtuar një zgjidhje përfundimtare të statusit të Kosovës kanë ushtuar edhe në korridoret e Këshillit të Ministrave të BE-së. Megjithatë pikërëndesa kryesore e bisedimeve të sotme të shefave të diplomacive europiane përsa i takon Ballkanit është bashkëpunimi i këtyre vendeve me Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, problem ky që po mban varur negociatat e Kroacisë, Federatës serbo - malazeze dhe Bosnjës me BE-në. Por njëkohësisht ky problem ka prekur edhe Kosovën.

Kjo temë, pra marrëdhëniet e vendeve ballkanike me Hagën, u bë e njohur edhe nga komisioneri përgjegjës për zgjerimin Olli Rehn gjatë një konference shtypi që dha sot pasdite. Dhe megjithëse konferenca e shtypit e komisionerit Rehn i ishte kushtuar pothuajse tërësisht perspektivës së fillimit të negociatave për anëtarësimin e Kroacisë në Bashkimin Europian, prapëse prapë zyrtari i lartë i BE-së e tejkaloi këtë kuadër duke u shprehur edhe për gjendjen e përgjithshme në vendet e Europës Juglindore. Ndër të tjera ai përsëriti se 2005 do të jetë një vit kyç për Kosovën, por edhe për bashkëpunimin e vendeve të Europës Juglindore me Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës. Edhe një herë tjetër, duke i qëndruar besnik konkluzioneve të samitit të fundit të kryetarëve të shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare të BE-së, të dhjetorit të kaluar, Rehn përsëriti se fillimi i negociatave me Kroacinë më 17 mars varet kryesisht nga dorëzimi në Hagë i gjeneralit kroat Gotovina. Rehn deklaroi se sipas të dhënave që ai kishte në dispozicion Gotovina gjendej ose në Kroaci ose në pjesën kroate të Bosnjës.

Të njëjtën vendosmëri shprehu komisioneri i BE-së edhe ndaj federatës serbo - malazeze. Vendimi pozitiv i raportit të fizibilitetit, (mundshmërisë), së fillimit të procedurave për një marrëveshje asocim - stabiliteti me federatën serbo malazeze në fund të muajit mars varet nga bashkëpunimi i saj i plotë me Gjykatën e Hagës. Dorëzimi i gjeneralit Llazareviç është një lajm i mirë, por kjo nuk mjafton. Nevojitet një bashkëpunim i plotë, - pohoi Rehn. Ai me këtë rast deklaroi se gjatë vizitës së saj të enjten në Bruksel, kryeprokurorja e Gjykatës së Hagës Karla del Ponte do t'i paraqesë presidentit të Komisionit Europian, Hoze Barrozo dhe shefit të politikës së jashtme të BE-së, Havier Solanës një tabllo të hollësishme të bashkëpunimit të vendeve ballkanike me këtë gjykatë.

Ndërsa për marrëdhëniet e Bashkimit Europian me Shqipërinë dhe Serbinë do të diskutohet më në hollësi edhe nesër, të martën, në kuadër të Këshillit të asocimit Shqipëri - BE dhe Serbi - Mali i Zi - BE. Madje shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Europian, Havier Solana, do të ketë nesër edhe një drekë pune me përfaqësues të qeverisë së Beogradit ku do të diskutohet ndër të tjera edhe për afrimin e Federatës me Unionin si dhe për bashkëpunimin e Beogradit me Hagën. Solana gjatë një konference shtypi që dha para pak minutash përkrahu edhe deklaratat e komisionerit Rehn për Kroacinë.

Ndërkohë në takimin ndërministror me Shqipërinë do të marrin pjesë përveç ministrit Islami dhe ambasadorit Kuko edhe kryetari i rradhës i Bashkimit europian, ministri i jashtëm luksemburgas, Zhan Asselborn, komisioneri Rehn si dhe ministri britanik për çështjet europiane Mcshane.