1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ministrat e Financave të BE mbyllin rrugë evazioni fiskal

23 Shkurt 2017

Ishujt Cayman, Jersey apo Panamaja: vendet e BE humbasin miliarda për shkak të evazionit fiskal. Ministrat e Financës duan të veprojnë kundër trukeve të taksave të koncerneve të mëdha. Por ky projekt po ngec.

https://p.dw.com/p/2Y6Ww
Steuersünder-CD
Fotografi: picture-alliance/K. Ohlenschläger

Me anë të dokumenteve të Panamasë ose përmes përcjelljes së fitimeve të koncerneve ndërkombëtare: shumë koncerne të mëdha dhe persona privatë që fitojnë mirë i përdorin rrugët e evazionit fiskal për të mos paguar taksa. Por tani, ministrat e Financës të BE ranë dakord në Bruksel për kritere, në bazë të të cilave vende të caktuara mund të vendosen në një listë të zezë me oaze fiskale, me fuqi ligjore në të gjithë BE. Para pak kohës, BE u pati dërguar rreth 90 shteteteve letra për shkak të rezervave në lidhje me legjislacionin e tyre për taksat. Këto shtete tani mund të reagojnë. Lista përfundimtare do të jetë gati deri në fund të vitit.

Truke fare legale

Përparime pati në rastin e një rruge tjetër evazioni fiskal për koncernet në Evropë, të cilin arritën ta mbyllin ministrat e Financave të BE. Sipërmarrjet multinacionale nuk do të mund t'i shpëtojnë më tatimit të fitimit të tyre, duke shfrytëzuar ndryshimet midis sistemeve të tatimeve brenda dhe jashtë BE. Deri tani, koncernet multinacionale, të cilat kanë disa firma bija, kishin mundësi për shembull që ta kalonin fitimin e tyre midis firmave bija, duke arritur që të mos paguanin tatime në asnjë nga vendet.

Rregullorja e re do të kujdeset që koncernet, të cilat janë aktive në disa vende, t'i paguajnë tatimet atje ku i bëjnë faktikisht fitimet. Kjo duhet të sanksionohet më e vonta në fund të vitit 2019 në legjislacionin nacional të shteteve të BE, sepse rregullat e reja do të jenë në fuqi që prej 1 janarit 2019.

Me rekomandim të OECD

Me këtë vendim të 28 shteteve anëtare të BE u zbatuan rekomandime të Organizatës për Bashkëpunimin Ekonomik dhe Zhvillimin (OECD). Ato kërkojnë që të luftohet shkurtimi i fitimit dhe transferimi i fitimit, deklaroi ministri maltez i financave, Edward Scicluna pas takimit me homologët e tij. Rregullat e vendosura tani bazohen në një marrëveshje të verës së kaluar. Për shkak të trukeve në tatimet, arkat publike humbasin rreth 50 deri 70 miliardë euro në vit.

 AUD