Ministrat e brendshëm rreth çështjes së nështetësisë | Gjermania | DW | 03.05.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Ministrat e brendshëm rreth çështjes së nështetësisë

Të enjten dhe të premten takohen në Garmisch-Partenkirchen ministrat e brendshëm të federatës dhe të landeve. Temë qendrore, përveç angazhimit të ushtrisë gjermane, Bundeswehr gjatë kampionatit botëror të futbollit, do të jetë edhe çështja e nënshtetësisë.

Garmisch-Partenkirchen një vend i preferuar i MPB për takime dhe konsultime

Garmisch-Partenkirchen një vend i preferuar i MPB për takime dhe konsultime

Gjatë muajve të fundit në Gjermani ka pasur shumë diskutime në lidhje me testet apo praktikat e tjera për marrjen e nënshtetësisë gjermane. Në prag të konferencës së MPB duket se këta kanë rënë dakord për një kompromis, por ende disa çështje janë të hapura.

Sa të larta duhet të jenë pengesat për dikë që dëshiron të marrë nënshtetësinë gjermane? Përgjigjia për këtë pyetje deri tani është kompetencë e landeve. Në landin Baden-Wyrtemberg, që qeveriset prej demokristianëve, që prej fillimit të vitit është në fuqi një udhëzim, në të cilin atij që bën kërkesën për nënshtetësi, i kërkohet të shprehë qëndrimin e vet në lidhje me homoseksualitetin. Landi i Hesenit ka përgatitur një doracak me rreth 100 pyetje, dhe Bavaria po përgatit gjithashtu një test. Landet e drejtuara prej socialdemokratëve mendojnë se të tilla teste nuk kanë vlerë. Ja sesi shprehet në lidhje me këtë senatori i Berlinit për çështjet e brendshme, Erhard Kërting:

"Një test si ai i Baden-Wyrtembergut nuk do të ketë në Berlin. Por unë kam përshtypjen se të gjithë ne jemi të një mendjeje, se njerëzit që duan të marrin nënshtetësinë gjermane duhet të dinë diçka për këtë shtet. Më duket madje se kjo është vetkuptueshme. Dhe në këtë mes do të gjejmë një zgjidhje."

Vitin e kaluar në Gjermani u natyralizuan 130.000 të huaj. Në konferencën e MPB, senatori i Berlinit për çështjet e brendshme, Erhard Kërting do të propozojë që ata që duan të marrin në të ardhmen nënshtetësinë gjermane të marrin pjesë paraprakisht në një kurs ku të mësojnë se si funksionon shteti gjerman, në rast se nuk janë rritur në RFGJ. Këto kurse tremujore do të ofrohen prej shkollave të natës, dhe çdo javë të huajt që duan të marrin nënshtetësinë gjermane, duhet të shkojnë dy orë në kurs për të mësuar sa më lart. Në fund të këtij kursi nuk do të kërkohet që pjesëmarrësit t'i nënshtrohet ndonjë provimi.

Ministri i brendshëm i Bavarisë, Gynter Bekstain ka sinjalizuar sipas gazetës "Süddeutsche Zeitung" gatishmërinë e landeve të drejtuar prej demokristianëve që kurse të tilla të hapen në të gjithë vendin. Gjithësesi nuk është e qartë nëse landet e drejtuar prej demokristianëve do të kërkojnë që në fund të këtyre kurseve të ketë provime. Në rastin më të keq një i huaj që jeton në Bavari apo Hesen duhet të kalojë edhe ethet e provimit për nënshtetësinë, kurse një tjetëri që jeton në Shlesvig-Holshtein do t'i duhet vetëm të shkojë rregullisht në shkollën e natës.

Senatori i Berlinit për çështjet e brendshme, Erhard Kërting është i mendimit se rregullat për nënshtetësinë duhet të jenë unike për të gjithë Gjermaninë.

"Më duket e pakuptueshme që të mos biem dakord për këtë çështje. Kur dikush dëshiron të bëhet gjerman, bëhet gjerman si për Mynihun edhe për Berlinin. Kjo do të thotë se ne duhet të kemi patjetër kritere unike dhe ne do të gjejmë kritere të tilla, për këtë jam tejet e bindur. Ndoshta të premten nuk do ta diskutojmë deri në fund këtë çështje, por besoj se në këtë pikë nuk jemi aq larg njëri-tjerit sa duket nga jashtë."

Në disa pika ministrat kanë rënë që tani dakord. Kështu është rënë dakord që në gjithë Gjermaninë ata që duan të marrin nënshtetësinë t'u nënshtrohen testeve unike për gjuhën gjermane. Po ashtu është rënë dakord, që në të gjitha landet të zbatohen të njejtat rregulla për rastet kur një person ka qenë i dënuar penalisht. Marrja e informacionit pranë Entit federal për mbrotjen kushtetuese për personat që kërkojnë nënshtetësi, se mos për akëcilin ka dyshime për terrorizëm, është tashmë rutinë në Gjermani.


  • Data 03.05.2006
  • Autor Bernd Gräßler
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar0g
  • Data 03.05.2006
  • Autor Bernd Gräßler
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar0g