1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Milivojeviç: "Gazetaria në Serbi është e padëshiruar"

23 Prill 2019

Qeveria në Serbi kontrollon burimet kyçe të informacionit e gazetaria e vërtetë është e padëshiruar, thotë reporterja serbe e nderuar me çmime, Andjela Milivojevic për DW. Gazetarët e pavarur baltosen si "tradhtarë".

https://p.dw.com/p/3HG65
Zeitungskiosk in Serbien
Fotografi: picture-alliance/dpa

Deutsche Welle: Organizata "Reporterët pa kufi" në raportin e saj të fundit e kategorizoi Serbinë si vend "të pasigurtë" dhe kritikoi "fushatat nxitëse agresive" kundër gazetarëve investigativë. Cili është qëndrimi juaj për lirinë e shtypit në Serbi?

Andjela Milivojeviç: Besoj se organizata "Reporterë pa kufi" kishte të drejtë kur e përshkroi Serbinë si vend të pasigurtë për gazetarët. Ishte mirë që u theksua , por do t'i shtoja kësaj, edhe që gazetaria është e padëshiruar në Serbi. Ka dy probleme kryesore. Njëra prej tyre është që gazetarët janë sulmuar shpesh, incidenti më ekstrem ishte djegia e  shtëpisë së një gazetari lokal nga Beogradi. Tjetra që gazetarët janë injoruar ose sulmuar si armiq në çdo kohë që shkruajnë diçka që nuk lëvdon qeverinë.

Raportimi investigativ nuk ka qenë ndonjëherë popullor në asnjë nga qeveritë e mëparshme në Serbi. Ka ndonjë ndryshim nën presidentin Vuçiq?

Ajo që duket ndryshe [...] këtë herë është që qeveria është shumë më agresive. Ata nuk hezitojnë të ngrenë fushata kundër gazetarëve, duke publikuar fotot e redaktorëve apo e drejtorëve mediatikë në shtypin bulevardesk, duke i veçuar si të padëshirueshëm, si njerëz që urrejnë presidentin, për shembull. Më duket se atmosfera në shoqëri aktualishte është e tillë, që gazetarët vazhdimisht perceptohen si një grupacion i padëshirueshëm, diçka që do të ishte ideale, nëse nuk ekzistonte.

Gjithmonë dëgjojmë për dorën e qeverisë mbi median, si është e mundur të mbahet një nivel i tillë kontrolli?

Qeveria e bën këtë, në shumicën e rasteve, përmes faktit që transmentuesi publik është i zotëruar nga shteti dhe që edhe financiarisht është i varur prej tij. Po ashtu fakt është që kanalet e tjera kombëtare televizive, janë në krah me ta duke injoruar çdo lloj informacioni që nuk është pozitiv për qeverinë. Ne kemi dy realitete në Serbi: Njëri i prezantuar nga media dominante, dhe tjetri realist i raportuar nga portalet online dhe pak media të pavarura, por që nuk arrijnë një audiencë të madhe.

CINS Serbien
Andjela Milievojevic, reportere e CINS në SerbiFotografi: DW/S. Kljajic

Një portal serb në internet e quajti korrespondenten e Deutsche Welles, si një nga gazetarët që "turpërojnë Serbinë" për shkak të një dokumentari për gratë shqiptare. Këtë javë një video online sulmoi Slobodan Georgievin si "tradhtar". Sa të shpeshta janë sulme të tilla dhe sa ndikim kanë ato në punën gazetareske?

Kjo video e fundit para pak ditësh ishte diçka shumë shqetësuese për të gjithë ne. Ajo shenjon Georgievskin kaq qartë si person të padëshirueshëm dhe të keq nga perspektiva e qeverisë, kjo është e pafalshme. Ata na sulmojnë në këtë nivel duke na quajtur "junkies" ose duke thënë, se ne dalim shumë, si në rastin e Sanjës, se ne tradhtojmë serbët, nëse shkruajmë për gratë shqiptare. Rasti i fundit shkaktoi një reagim të fortë, por këto gjëra vazhdojnë. Mendoj, se është e patolerueshme, dhe me sa di askush nga qeveria nuk është distancuar nga këto.

Vendet perëndimore ofrojnë fonde për të mbështetur median e pavarur në Serbi, në të njëjtën kohë liderët europianë janë mjaft të përmbajtur në ngritjen e çështjes së lirisë së medias tek qeveria serbe, e cila e prezanton veten si proeuropiane. Çfarë ndihme do të donit nga politikanët europianë?

Politikanët perëndimorë mund të hedhin një vështrim në atë që po ndodh në Serbi, në vend që të shohin kapitujt e marrëveshjes së anëtarësimit BE-Serbi, apo në ligjet që janë adoptuar, por nuk janë zbatuar. Praktikisht ligjet në Serbi nuk janë jetësuar dhe nuk vlejnë për këdo. Praktikisht ka një ndarje mes atyre që janë të dëshiruar dhe të padëshiruarve. Ne nuk mund t'i mbyllim sytë para faktit, që gazetarët censurohen në mënyrë të vazhdueshme. Ne duam mbështetje të qartë, që politikanët tanë dhe qeveria të mos e trajtojnë median si të dëshirojnë.

 

 

Andjela Milivojevic është një reportere investigative serbe. Ajo ka punuar me Qendrën Serbe për Gazetarinë Investigative, CINS që nga viti 2011. Milivojevic është pjesë e ekipit që fitoi në vitin 2017 Çmimin Europian të Shtypit për një seri artikujsh mbi korrupsionin dhe krimin e organizuar në Serbi.