1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mike e kujt është Franca, e Armenisë apo e Turqisë?

Stefani Markert19 Maj 2006

Asambleja kombëtare në Francë të enjten nën presionin e fortë nga Turqia u detyrua ta shtyjë debatin mbi një projektligj që parashikon ndjekje penale në rast të përgënjeshtrimit të genocidit turk ndaj armenëve.

https://p.dw.com/p/ArB1
Deputetët francezë votojnë për njohjen e genocidit të ushtruar ndaj armenëve në kohën e Perandorisë Osmane, 2001
Deputetët francezë votojnë për njohjen e genocidit të ushtruar ndaj armenëve në kohën e Perandorisë Osmane, 2001Fotografi: AP

Në vitin 1915 dhe vitet që pasuan janë vrarë mëse 1,5 milionë armenë. Parlamenti francez e shtyu pa afat votimin e planifikuar mbi projektligjin e paraqitur nga opozita socialiste. Vëzhguesit e quajnë këtë një skandal

Në një anë të rrugës pas parlamentit demonstron diaspora armene duke mbajtur në duar flamuj francezë dhe evropianë. Përmes altoparlantëve transmetohet debati parlamentar: "Unë dua sanksione kundër kujtdo që përgënjeshtron genocidin. Të gjithë e dinë, kjo ka ndodhur. Unë e kam mësuar këtë prej prindërve të mi. Gjyshërit nuk i kam njohur. Ndërsa familja donte të arratisej u nisën për udhë 42 vetë, por vetëm 6 mbërritën."

Marie Bojadixhan nuk e kupton, se si presidenti i Francës merr rolin e avokatit për Turqinë lidhur me çështjen e BE-së: "Turqia s´ka vend në Evropë. Si do të sillen ata? Ata thonë, që Franca nuk lejohet t´u përgjigjet kërkesave të armenëve. Një veprim i tillë është kundër lirisë së mendimit. Por kushdo që njeh genocidin në Turqi dënohet. Atje nuk ka liri mendimi."

Franca në vitin 2001 ka qenë një ndër të paktët vende që zyrtarisht e njohu si genocid masakrën ndaj armenëve në Perandorinë Osmane. Me këtë shtojcë në ligj socialistët kërkojnë që përgënjeshtrimi i genocidit të ndëshkohet me një vit burg dhe me 45.000 euro gjobë, masë kjo që vlen edhe për përgënjeshtrimin e Holokaustit. Nga ana tjetër Franca është investuesi më i madh në Turqi. Ndërkohë shpresohet për kontrata të reja disa miliardëshe për ndërtimin e centraleve bërthamore. Në internet nga pala turke bëhet thirrje për bojkotimin e mallrave franceze.

Në vitin 2001 Ankaraja pas votës së parlamentit anulloi disa marrëveshje voluminoze për armatimet. Ministri i jashtëm francez, Dustë Blazi përpiqet të ruajë ekujlibrin: "Franca është një mike besnike e Armenisë. Ne jemi vendi i parë që e kemi njohur Armeninë dhe e kemi mbështetur me të gjitha forcat këtë republikë të re. Por Franca është edhe mike e Turqisë..."

Demonstruesit nuk deshën t´ia dinë për këtë. Ministri i jashtëm thekson, se mbi bazën e miqësisë së dyfishtë Franca duhet të ndjekë politikën e paqes dhe të pajtimit. Nëse organizatori i genocidit prehet në mauzoleum, atëherë duhet të miratohen sanskionet, deklaron një deputet i mazhorancës. Ndërsa deputetja e opozitës socialiste shton: "Njohja e genocidit nga Franca ka qenë një veprim i fuqishëm politik. Por kjo nuk mjafton. Përpara disa javësh ndodhi një provokim gjatë inagurimit të një monumenti përkujtimor për viktimat armene. U shpalosën banderola që përgënjeshtronin genocidin. Ndaj nuk duhet vazhduar më që të tilla veprime të lihen pa ndëshkuar."

Kryetari i kuvendit deklaron në mes debatit shtyrjen për një afat të pacaktuar. Duke i rënë tri herë ziles ai paralajmëron mbylljen e seancës dhe largohet nga salla.

Diaspora armene është e indinjuar dhe duke iu afruar parlamentit në zonën e vizitorëve kërkon votën. Vizitorët kujtojnë vlerat franceze: liri, barazi, vëllazëri dhe të dëshpëruar këndojnë Marsejezën. Një gjë të tillë nuk e kam përjetuar kurrë thotë një nga nëpunësit e sigurisë në parlament.

Marie Bojadxhan deklaron me vendosmëri: "Ne do të vazhdojmë. Kjo është më e pakta që mund të bëjmë për të vrarët, për njërëzit që u torturuan dhe iu shkulën rrënjët. Ne do t´i nderojmë ata dhe do të kërkojmë që drejtësia të vihet në vend."