1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Armeni: Demostrata kundër kryeministrit Pashinjan

4 Maj 2022

Opozita e republikës kaukaziane të Armenisë, akuzon kryeministrin Nikol Pashinjan se kërkon t’i japë Azerbaixhanit fqinj rajonin e Nagorni–Karabakut. Qeveria ndërhyri me ashpërsi.

https://p.dw.com/p/4AnTz
Armenien Jerewan Opposition Proteste
Fotografi: Vahram Baghdasaryan/Photolure/TASS/picture alliance

250 vetë janë arrestuar në kryeqytetin armen, Erivan, pas protestave të fundit kundër kryeministrit, Nikol Pashinjan. Në manifestime morën pjesë, sipas agjencisë gjermane të lajmeve, dpa, më shumë se 20 mijë vetë. Policia ndërhyri me shumë ashpërsi kundër demonstruesve, mes të cilëve ndodheshin edhe deputetë, tha duke treguar gjendjen për mediat kombëtare zëvendëskryetari i Parlamentit, Ishchan Sagateljan, i cili është pjesë e opozitës. Të arrestuarit akuzohen për rezistencë kundër dhunës së shtetit.

Ditën e dielë(01.05), opozita ngriti një kamp me çadra në sheshin qendror para Operës dhe Baletit në Erivan. Kampi do të prishet kur Pashinjan të ketë dhënë dorëheqjen. Demonstruesit patën bllokuar po ashtu shumë rrugë të kryeqytetit.

Prej ditësh zhvillohen demostrata kundër qeverisë në ish-republikën shumë të varfër sovjetike. Opozita akuzon Pashinjanin se kërkon t'ia japë komplet Azerbaixhanit rajonin e kontestueshëm të Nagorni Karabakut, ku shumica e popullsisë është armene. 

Në muajin mars, kryeministri pati thënë në Parlament, se komuniteti ndërkombëtar i ka drejtuar një apel Armenisë, ku i kërkon „të ulë kërkesat në lidhje me Nagorni- Karabakun".

Armenien Jerewan Opposition Proteste
Fotografi: Vahram Baghdasaryan/Photolure/TASS/picture alliance

Kryetari i opozitës, Sagateljan flet për „tradhëti" dhe thekson se „statusi politik i Nagorni-Karabakut brenda Azerbaixhanit" është i papranueshëm.

Mijëra të vrarë në vjeshtë të 2020

Republikat kaukaziane të Armenisë dhe Azerbaixhanit, popullsia e të cilit është kryesisht myslimane, ndodhen prej dekadash në konflikt për të marrë kontrollin e Nagorni - Karabakut. Në vjeshtë të 2020, të dy vendet filluan luftën që i kushtoi jetën më shumë se 6500 vetëve. Luftimet përfunduan me një marrëveshje armëpushimi të vendosur me ndërmjetësimin rus. Një pjesë e madhe e territoreve të kontrolluara më parë nga Erivani, i kaluan nën kontroll qeverisë në Baku. Kjo shkaktoi një krizë të rëndë politike në Armeni. Pashinjani arriti të fitonte zgjedhjet e reja verën e kaluar. Por shumë armenë vazhdojnë të ndihen të marrë nëpër këmbë për shkak të dhënies së territoreve Azerbaixhanit.

Rusia ndërmjetëson në konflikt 

Armenia kërkon të arrijë me ndërmjetësimin ndërkombëtar, mes të tjerëve edhe nga Rusia, një marrëveshje paqësore me vendin fqinj të armiqësuar. Armëpushimi midis azerbaixhanasve dhe armenëve ruhet nga ushtarë rus të vendosur në rajonin e Nagornit. Megjithatë pas dhënies fund të luftimeve, ka vazhduar të ketë herë pas here konflikte të armatosura në kufi.