Mijëra vetë protestojnë në Gjermani kundër regjimit në Iran | Bota | DW | 03.10.2022
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Bota

Mijëra vetë protestojnë në Gjermani kundër regjimit në Iran

Pas vdekjes së Mahsa Amini në Iran, mijëra vetë në Gjermani u solidarizuan me lëvizjen protestuese në Iran. Protestat po vazhdojnë edhe në Iran.

Mijëra vetë dolën në rrugë në Gjermani për t'u solidarizuar me lëvizjen protestuese iraniane. Sipas policisë, vetëm në Berlin ishin të pranishëm 5000 vetë në disa mitingje. Në Hamburg, policia foli për 4000 demonstrues, në Frankfurt pati rreth 2800. Ata po protestonin kundër sistemit të qeverisjes në Iran dhe diskriminimit sistematik të grave atje.

Në Hamburg, pjesëmarrësit thërrisnin "Ikni, ikni, ikni - mullahët duhet të shkojnë" dhe "Gratë duan lirinë". Në Frankfurt, demonstruesit ndoqën parullat e protestave në Iran me "Gruaja - Jeta - Liria". Një zëdhënës i një grupi të mërguarish iranianë në Berlin bëri thirrje për t'i dhënë fund gjakderdhjes dhe për reforma demokratike në këtë vend. Duke pasur parasysh aktet e dhunës, qeveria gjermane duhet të vendosë sanksione të reja, kryesisht kundër elitave të Iranit, kërkoi ai.

Protestat në Iran

Protestat ndaj regjimit iranian vazhduan në të gjithë vendin edhe në këtë fundjavë në Iran. Sipas dëshmitarëve okularë, mijëra demonstrues bllokuan disa rrugë kryesore në kryeqytetin Teheran dhe brohoritën parulla kundër udhëheqjes politike të Republikës Islamike. Gratë hoqën shamitë dhe thërrisnin "Liri, liri”. Në disa pjesë të qytetit ka pasur përleshje me policinë. Forcat e policisë thuhet se kanë përdorur gaz lotsjellës kundër demonstruesve. Protestat çuan në bllokime të konsiderueshme trafiku në disa pjesë të kryeqytetit. Shumë shoferë dukej se u solidarizuan me demonstruesit dhe u binin borive.

Trazirat e dhunshme shpërthyen të premten në qytetin Sahedan në juglindje të vendit. 19 persona u vranë, duke përfshirë të paktën tre anëtarë të Gardës Revolucionare lokale. 20 të tjerë u plagosën rëndë. Për shkak të gatishmërisë në rritje për të përdorur dhunën nga të dyja palët, ka frikë se incidenti në Sahedan mund të përsëritet edhe në pjesë të tjera të vendit.

Demonstratat u shkaktuan nga vdekja e 22-vjeçares Mahsa Amini dy javë më parë. Policia morale e kishte arrestuar për shkak të "veshjes së saj jo-islamike". Çfarë ndodhi me Aminin pas kësaj është e paqartë. Ajo ka rënë në koma dhe vdiq në një spital më 16 shtator. Kritikët akuzojnë policinë për përdorim të dhunës; policia e mohon. Që nga vdekja e gruas së re, mijëra njerëz kanë protestuar në të gjithë vendin kundër kursit represiv të qeverisë dhe forcave të sigurisë, si dhe kundër sistemit islamik.

 

 

bc/kle/wa (dpa, afp)