1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Migrantët janë më nacionalistë se vendasit

Jasmina Rose
30 Gusht 2017

Migrantët në Bosnje-Hercegovinë kanë zhvilluar një lloj nacionalizmi në distancë. Tani ka dhe dëshmi shekencore, pas një studimi të sociologes Ana Mijiq nga Universiteti i Vjenës.

https://p.dw.com/p/2j4hL
Ana Mijic, Soziologin Universität Wien
Fotografi: privat

DW: Zonja Mijiq, ju keni bërë një studim sociologjik në Universitetin e Vjenës për Bosnje-Hercegovinën dhe keni konstatuar zhvillimin e një nacionalizmi "Long distance" (në distancë). Çfarë nënkupton ky nocion?

Ana Mijiq: Nacionalizmin „Long distance" e ka përdorur për herë të parë si nocion politologu britanik Benedict Anderson. Ai ka zhvilluar teorinë se personat që jetojnë jashtë vendit të tyre shumë shpesh janë më nacionalistë se ata në vendlindje. Kjo ka të bëjë me faktin se ata nuk janë të pranuar tërësisht në vendin e ri, ku kanë ardhur. Ndaj vendosin një lidhje më të fuqishme me vendlindjen, sepse kjo i ndihmon që të ruajnë mendimin pozitiv për vetveten dhe shoqërinë që i takojnë. Anderson me këtë teori për nacionalizmin e zhvendosur dëshmon një fenomen, i cili zhvillohet shumë më shpejt në kohën e komunikimit modern. Përmes internetit, Skype apo What's App, këta persona mbeten në kontakt me vendlindjen, ndërsa çmimet më të lira të fluturimeve mundësojnë edhe vizita më të shpeshta. Qëndrimi i tyre shndërrohet në një problem, sepse nacionalistët që jetojnë larg vendit të tyre marrin pjesë në këtë mënyrë në jetën politike, por nuk mbajnë kurrfarë përgjegjësie për aksionet politike në vend. Ata ndikojnë në krijimin e një realiteti, në të cilin nuk jetojnë vetë.

Symbolbild deutsch lernen
Fotografi: Fotolia/Tatjana Balzer

A mund të ketë një nacionalizëm kozmopolit - a thua nacionalizmi dhe kozmopolitizmi nuk janë në kundërthënie mes tyre?

Janë në kundërthënie, por këto dy fenomene mund të ekzistojnë tek i njëjti person. Pikënisja e studimit tim është se tek personat që jetojnë jashtë vendit nuk zhvillohet vetëm një nacionalizëm më i fuqishëm por edhe një lloj kozmopolitizmi - një lloj hapje ndaj kulturave, feve dhe përvojave të tjera. Zhvillohet një ndjenjë për gërshetimin e këtyre kulturave. Nga ana tjetër, me shkatërrimin e ish-Jugosllavisë në fillim të viteve 90-të, në Vjenë janë shkatërruar të gjitha klubet jugosllave. I njëjti proces ka ndodhur edhe në Gjermani. Në vend të tyre janë krijuar klube boshnjake, serbe apo kroate, ku mblidhen vetëm përfaqësuesit e këtyre kombeve. Ky është shkaku pse tani flas për diasporën boshnjake, kroate apo serbe nga B-H.

Në studimin tuaj keni konstatuar se individët nga B-H identifikohen më shumë me përkatësinë etnike, edhe sot 22 vjet pas luftës. Pse?

Përkatësia etnike është shndërruar në pikën qendrore të personit. Kjo nuk vlenë vetëm për Bosnjen, por për të gjitha vendet e rajonit. Lufta ka shkaktuar shkrirjen e individit në grupin e tij etnik, sepse "uni" është shkrirë në "ne". Gjatë luftës në linjat nacionale ka pasur vrasje, dhunime, dëbime. Përkatësia etnike është shndërruar në pjesë të identitetit. Sfida më e madhe pas luftës ka qenë se si të prezantohet pozitvisht grupi etnik që i takojnë, pra kategoria "ne". Ndaj të gjitha pohimet për krimet e një grupi etnik që i përkasin ata, janë hedhru poshtë si të pavërteta, sepse ata duan ta prazantojnë grupin e vet në frymën pozitive. Identifikimi i fuqishëm me grupin etnik bën që të gjitha kritikat ndaj grupit të përjetohen si akuza dhe sulme ndaj tij personalisht. Kujtoni vetëm aktakuzat ndaj Radovan Karaxhiqit, Ratko Mlladiqit apo Ante Gotovinës. Vetë përmendja e emrit të Karaxhiqit dhe Mlladiqit tek serbët, apo Gotovinës tek kroatët, ka rezultuar me nevojën për mbrojtje. Gjatë studimeve kam konstatuar se të gjitha grupet etnike në B-H mendojnë se janë viktimë dhe ky lloj viktimizimi u ndihmon atyre që ta paraqesin veten në një frymë pozitive. Kjo shpjegohet me moton: "Ai që është viktimë nuk mund të jetë njëkohësisht edhe aktor i krimeve.‘

Ana Mijic, Soziologin Universität Wien
Fotografi: privat

Lufta në B-H ka përfunduar kaherë, por ju keni konstatuar në studim se konfliktet akoma ekzistojnë. A mund të rezultojnë ato me një luftë të re?

Në B-H sot më shumë bëhet fjalë për perspektivën e prezantimit të realitetit. Lufta për të kaluarën dhe për atë që ka ndodhur pas luftës, është shndërruar në një luftë për të vërtetën. Konfliktet mbi linjat etnike u shërbejnë elitave për forcimin e pozitës, sepse vetëm në këtë mënyrë, pra me ruajtjen e tendosjeve etnike, mund të ruajnë pushtetin. Në jetën e përditshme njerëzit nuk janë të prekur nga këto gjëra. Shumë herë kam konstatuar gjatë takimeve me njerëzit e grupeve të ndryshme etnike se ata nuk flasin për luftën. Bisedat për gjërat që kanë ndodhur gjatë luftës janë tabu. Kjo heshtje bart me vete shanse, por edhe rreziqe. Në njërën anë mundësohet komunikim. Ndërsa në anën tjetër, nëse nuk flitet për gjërat që kanë ndodhur, kurrë nuk do të mund të zhvillohet perspektiva e përbashkët për të kaluarën. Ndaj secili grup do ta trajtojë veten vetëm si viktimë dhe nuk do të ndjejë përgjegjësi për krimet e bëra.

Si mund të reflektohet ky lloj identifikimi i personave me grupin, siç e keni konstatuar ju në studimin për migrantët, tek e ardhmja e Bosnjes? Me ndarje „de jure"?

Marrëveshja e Dejtonit ka vulosur ndarjen e B-H. Nuk e besoj se do të ketë ndarje të shpejtë të B-H sipas linjave etnike, madje edhe nëse liderët e Republikës Srpska kërcënojnë me referendum dhe shpalljen e pavarësisë. Por mendoj se nuk do të ketë integrim të qendrueshëm në një shtet të përbashkët. Një integrim të tillë nuk do të ketë përderisa elitat politike vazhdojnë nxitjen e frikës nga grupet tjera enike, mobilizimin politik mbi linjat enike dhe përderisa heshtet për krimet e grupit etnik që i takojnë.

Ana Mijiq ka përfunduar studimet e politologjisë dhe sociologjisë në Universitetin Tübingen. Prej vitit 2007 punon në Institutin për Sociologji në Vjenë. Temat e doktoraturës së saj ka qenë „Dëmtimi i identitetit". Prej vitit 2016 merret me studimet sociologjike dhe politike të diasporës boshnjake.

Intervistoi Jasmina Rose