1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Migrantët hapin më shpesh biznese private në Gjermani

21 Janar 2019

Migrantët në Gjermani janë të prirur më shumë se vendorët që të hapin biznese private. Kjo ka të bëjë edhe me shanset e tyre më të dobëta në tregun e punës.

https://p.dw.com/p/3BrEQ
Türkischer Betrieb in Berlin
Fotografi: picture-alliance/dpa/G. Breloer

Në një studim të bankës KfW thuhet se migrantët në Gjermani hapin më shpesh bizneset e tyre private. Sipas këtij studimi, në periudhën prej vitit 2013 deri 2017, gati çdo i pesti person që ka hapur ndonjë biznes privat është me origjinë të huaj apo ka një nënshtetësi të huaj. Më saktësisht, kjo do të thotë se 18 % e themeluesve të firmave kanë qenë migrantë. Dëshira për të hapur një biznes të pavarur është në veçanti e madhe tek personat qe kanë marrë nënshtetësinë gjermane, tek gjermanët e kthyer nga vendet e tjera, por edhe tek personat që në Gjermani jetojnë me një nënshtetësi tjetër.

Shanset e dobëta në tregun e punës

Migranten gründen häufiger Betriebe
Fotografi: picture-alliance/dpa/F. Rumpenhorst

Njëkohësisht migrantët kanë më shpesh shanse më të dobëta në tregun e punës. Kjo në veçanti vlen për të ardhurit pa ndonjë diplomë, e cila njihet në Gjermani, si dhe për personat, të cilët nuk e zotërojnë mirë gjuhën gjermane. E ashtuquajtura pjesë e kapitalit fillestar tek themelimi i firmave ka qenë tek migrantët 38%, për dallim prej vendorëve ku kjo pjesë përbën mesatarisht 31%, thuhet në vlerësimet e KfW për vitin 2018.

Gjuha gjermane

Türkische Bäckerei Gastronomie Selbstständigkeit in Deutschland
Fotografi: picture-alliance/dpa/M. Gambarini

Gati dy të tretat e migrantëve të moshës 18 deri 64-vjeçare thuhet në sondazh, flasin në shtëpi me familjarët kryesisht në gjuhën gjermane. Ndërsa rreth 35 % thotë se në shtëpi flasin gjuhën e origjinës së tyre. Këtu bëhet fjalë kryesisht për të ardhurit, të cilët nuk janë në Gjermani për një kohë të gjatë.

Përdorimi i një gjuhe tjetër në shtëpi nuk do të thotë automatikisht se këta persona nuk e njohin mirë gjuhën gjermane, por migrantët nga shtëpitë ku flitet vetëm gjuha e origjinës së tyre, shikuar nga të dhënat statistikore, kanë shanse më të këqija në tregun e punës. "Në veçanti tejkalimi i pengesave me njohjen e gjuhës kërkon një kohë më të gjatë. Dhe këtu duhet të ketë më shumë oferta për mësimet e gjuhës", thotë shefi i KfW, Jörg Zeuner.

 

 

 

bc/stu/mak (dpa, kfw.de)