1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Midis shkrirjes së çelikut dhe punës sindikaliste

Friederike Schulz 5 Korrik 2008

"Djalë, shko tek Krup-i!" Tomas Cimerman ishte 17 vjeç, kur i ati i dha këtë këshillë. Jeta e tij si metalurg ka qenë luftë për të fituar vendin e punës dhe ruajtur krenarinë e të qënit punonjësi Krup-it.

https://p.dw.com/p/ENdR

Kaq duhet të jetë. Tomas Cimerman (Thomas Zimmermann) ndal këmbët në platformën e vizitorëve të uzinës për shkrirjen e çelikut Duizburg - Bek (Duisburg-Beeck). I përqëndruar ai hedh sytë tek vinçi që hedh çelikun e shkrirë në forma. Shkëndijat shpërndahen gjithandej kur derdhet masa e shkrirë. "Kjo është e mrekullueshme. Mua më pëlqen shumë kjo pamje." Megjithëse ai e njeh këtë skenë që prej 30 vitesh, gjithnjë entuziazmohet.

Metalurg duke marrë provat për kontrollin e cilësisë, Thyssen Krupp
Metalurg duke marrë provat për kontrollin e cilësisë, Thyssen KruppFotografi: AP

"Secili mund të arrijë çfarë të dojë tek Krup-i"

Ai e ka filluar punën tek Krupi në vitin 1975. Ai ishte atëherë 17 vjeç dhe sipërmarrja kërkonte punëtorë. Në një tabelë në zyrën e personelit ndodheshin reklamat për 50 vende pune, makinistë, merceologë, vinçier. Tomas Cimerman vendosi të bëhet merceolog. Sot ai kujdeset që në uzinën e çelikut Duizburg Rajnhauzen, materilet të hyjnë dhe të dalin pa probleme. Tomas, që kish mbaruar shkollën tregtare, mësoi profesionin e ri, shkoi në shkollën e mbrëmjes dhe mësoi se si shërbehet një server. "Ai që do mund të bëhet diçka", thotë ai, hedh vështrimin mbi forma, ngjit shkallët dhe shkon tek kolegët në pultin e komandimit. Profesioni i tij sot është specialist kompjuterash. Por sot ai ka ardhur këtu me funksionin e tij si anëtar Këshillit të Ndërmarrjes, dhe shpërndan fletushka për mbrëmjen e ardhshme informative.

Prodhimi i metaleve
Prodhimi i metaleveFotografi: AP

Luftë e ashpër e klasës punëtore

Për të si metalurg, angazhimi sindikalist është i vetëkuptueshëm. "Në vitet shtatëdhjetë para se të nënshkruaje një kontratë pune duhet të kishe hyrë në sindikatën e metalurgëve IG Metal", thotë ai pa treguar krenari me zërin e tij. Ai e di më mirë se kushdo tjetër se punëmarrësit kanë nevojë për përfaqësim të mirë. Në vitin 1982 Cimermani dhe kolegët e tij mësuan nga lajmet e televizionit se uzina në Rajnhauzen do të mbyllej. Spontanisht ata lenë punën dhe organizuan demostrata paqësore. "Lufta e atëhershme më është futur deri në kockë, ajo nuk mund të harrohet", thotë ai. Greva zgjati dy muaj, deri sa punëdhënësit pranuan kompromisin për të mos pushuar punonjësit nga puna për arsye të mbylljes së sektorëve, kolegëve të moshuar ju dhanë shpërblime, kurse atyre të rinjve ju ofrua punë në sektorë të tjerë. Tomas Cimermani vazhdoi të punonte në Bohum dhe filloi sërish nga e para punën si merceolog.

Portret i një metalurgu
Portret i një metalurguFotografi: Friederike Schulz

"Vajzë, shko tek Krup-i!"

Por shkurtimi i vendeve të punës nuk morri fund me kaq. Nga viti 1991 deri në vitin 1994 numri i punonjësve u përgjysmua. Bashkimi me sipërmarrjen konkurente Tysen (Thyssen) disa vjet më vonë kushtoi shumë vende pune. Megjithatë Këshilli i Ndërmarjes është i sigurt se : Pa luftën e sindikatave rezultati do të kishte qenë më i dhimshëm. "Puna sindikaliste është për mua më e rëndësishme se sa fitimi i parave." Tre vjet më parë ai u morr sërish me arritjen e një kontrateje midis punëmarrësve dhe punëdhënësve në ndërmarrje. Por ai nuk është i kënaqur me marrëveshjen e arritur - megjithëse Tysen Krup fiton çdo vit miliarda. "Nuk mund ta marr me mend çfarë do të ndodhte nëse ky sektor do t`i kishte punët keq."

Megjithatë ka edhe zhvillime pozitive. Koncerni ka premtuar të hapë më shumë vende pune për të rinjtë që mësojnë profesione të reja. Prandaj Tomas Cimerman do i thotë vitin tjetër të bijës, pas mbarimit të maturës: "Vajzë, shko tek Krup-i."