1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Michael Steiner: „Dayton ishte i domosdoshëm“

Jasmina Rose21 Nëntor 2015

Para 20 vitesh, me marrëveshjen e Dayton-it përfundoi lufta në Bosnje. Kështu që marrëveshja ia arriti qëllimit të vet, thotë Michael Steiner, ish-pjesëmarrës i bisedimeve. Por më pas u bënë shumë gabime.

https://p.dw.com/p/1H9rA
Michael Steiner deutscher Botschafter
Fotografi: Prabhakar Mani Tewari

Më 21.11.1995, pas diskutimeve trejavore, në bazën ushtarake amerikane të Dayton-it (Ohio), u iniciua marrëveshja, përmes së cilës iu dha fund Luftës në Jugosllavi. Nënshkrimi zyrtar u bë më 14 dhjetor 1995 në Paris.

Deutsche Welle: Zoti Steiner, gjendja në Bosnje, edhe 20 vite pas nënshkrimit të marrëveshjes së Dayton-it, vazhdon të jetë shumë e keqe. Në Dayton u vendos ndarja në Republika Srpska nga njëra anë dhe në Federatën boshnjako-kroate nga ana tjetër. Ky vendim duket se është bërë pengesa kryesore për krijimin e një shteti funksional. A nuk mund të parashikohej kjo në 1995-ën në Ohio?

Michael Steiner: Ju duhet të keni parysysh se si ka qenë gjendja atëherë. Asokohe, objektivi kryesor i të gjitha palëve të përfshira – i Bashkësisë Ndërkombëtare, por edhe i njerëzve në Sarajevë – ka qenë paqja. Qëllimi ishte ky: që gjenocidi të marrë fund. Dhe kjo në një kohë, kur nga ana e Bashkësisë Ndërkombëtare kishte njëkohësisht edhe një farë ngurrimi për t'u angazhuar në Bosnje kundër vullnetit të palëve apo qoftë edhe kundër atij të vetëm njërës palë. Bashkësia Ndërkombëtare në këtë kohë nuk ishte e gatshme të ndërhynte me „boots on the ground“, pra me trupa tokësore, kundër vullnetit të palëve.


Ju keni marrë pjesë aktive në bisedat për marrëveshjen e Dayton-it. Luftës iu dha fund, por a nuk kishte asokohe një alternativë tjetër zgjidhjeje përveç asaj të krijimit të dy entiteteve brenda Bosnje-Hercegovinës.

Jo tamam, sepse ne kishim një problem thelbësor. Njëri problem ishin kundërshtitë përsa i përket asaj që donin palët në konflikt dhe deri diku ende edhe sot duan. Boshnjakët donin ta merrnin të gjithë shtetin, këtë donte edhe Bashkësia Ndërkombëtare. Kroatët donin një zgjidhje të ndërmjetme, një autonomi të zgjeruar. Ndërsa serbët donin të dilnin fare, pra donin shkëputjen e një cope mundësisht të madhe të tortës. Ne duhej t'i kapërcenim këto kundërshti, në një kohë, kur ne vareshim nga miratimi i të gjitha palëve. Dhe këto kundërshti mund të zgjidheshin vetëm deri në atë masë sa edhe u arrit me marrëveshjen e Dayton-it. As mua nuk më kanë pëlqyer ato ndërlikimet e tmerrshme, që duhej të ingranonim, megjithatë ne që atëherë kishim këtë përfytyrim: ky është hapi i parë dhe i vetmi i mundshëm për të arritur paqen. Dhe pas kësaj, reformat që do të lejonin një administrim më efektiv të vendit, ishin për mua të vëtëkuptueshme. Por ato nuk u bënë.

Por ndarja në Republika Srpska, nga njëra anë, dhe në Federatën boshnjako-kroate, në anën tjetër, e ka forcuar edhe më shumë ndarjen etnike të vendit.

Ne asokohe duhej të vepronim në botën reale. Cila do të kishte qenë alternativa? Alternativa do të kishte qenë që ky konflikt nuk do të kishte mbaruar kurrë, sepse Bashkësia Ndërkombëtare nuk ishte e gatshme të shkonte në Bosnje pa miratimin e të gjitha palëve, të cilat kishin këto qëndrime diametrikisht të ndryshme. 60.000 ushtarët, të cilët erdhën më pas, në 1996, erdhën vetëm me kushtin e pajtimit të të gjitha palëve në një linjë. Sigurisht, nëse ne do të kishim mundur të thonim: ose ju miratoni një kushtetutë që na pëlqen neve, ose ne vijmë dhe ju detyrojmë ta miratoni – atëherë do të kishim qenë në një situatë tjetër. Por ne nuk e kishim këtë mundësi.


Por unë besoj se thelbi i problemit nuk qëndron këtu. Kryesorja është që ne të palës ndërkombëtare, e ndoshta edhe ata të palës boshnjake, kishim idenë se: Kur të jetë vendosur së pari paqja, dmth, kur të kenë pushuar armët dhe të ketë ardhur demokracia, atëherë gjërat do të zhvillohen vetë në drejtimin e duhur. Ky sigurisht që ishte një gabim. Unë gjithmonë kam qenë i bindur që, që në fillim, në vend të asaj pranie të lehtë civile që ne kishim atje, ne duhej të kishim krijuar – asokohe flitej për një zgjidhje në formën e protektoratit – një administratë të përkohshme me kompetenca të gjera nga ana e Ndërkombëtarëve. Vetëm atëherë do të duhej të kishim ndërmarrë hapin e radhës, atë të organizimit të zgjedhjeve dhe të rikthimit të vetëadministrimit të vendit.

Ka qenë e gabuar të mendosh që më parë ndërtohet demokracia e më pas vjen rregulli, drejtësia dhe siguria – e kundërta funksionon. Ti së pari ke nevojë për një sistem të rregullt, ty të duhet së pari ndjesia e sigurisë së njerëzve dhe vetëm atëherë mund të zgjedhësh – jo anasjelltas.

Për mua dhe Carl Bildt (Përfaqësuesi i parë i Lartë për Bosnjen dhe Hercegovinën, Red.) kjo ishte shumë e qartë, kur luftuam me këmbë e me duar kundër organizimit aq të hershëm të zgjedhjeve. Por ky ishte një udhëzim ndërkombëtar, i cili sigurisht që rezultoi i gabuar. Sikur të gjithë angazhimin, që gjithsesi kemi treguar gjatë 20 viteve të fundit, si edhe shpenzimet, t'i kishim vënë masivisht në përdorim që në fillim, atëherë sot sigurisht që do të ishim një hap më përpara.

Nëse do të kishit në dorë të mund të ndryshonit diçka në Bosnje – çfarë do të bënit ju tani konkretisht?

Unë sigurisht besoj se është në interes të të gjithë njerëzve në Bosnje – pra të serbëve, të kroatëve dhe boshnjakëve – që vendi të ketë një kushtetutë funksionale. Marrëveshja e Dayton-it ishte një mjet për të arritur qëllimin, paqen, sepse nuk kishte mundësi tjetër. Por ajo është tanimë një anakronizëm. Dhe përveç kësaj, ka edhe një detyrim ligjor, pasi Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në 2009, ka kërkuar ndryshime. Pra është një detyrim ligjor, por edhe një detyrim politik në interes të njerëzve, që kushtetuta t‘i përshtatet asaj çka është e domosdoshme për një shtet, që ai të mund të funksionojë siç duhet. Përveç kësaj duhet gjithashtu, që propaganda ideologjike e jashtëzakonshme, që ekzistonte atëherë, që ka ekzistuar në 20 vitet e fundit dhe që ende ekziston, të ketë përballë, si kundërpeshë, raportimin objektiv në media.

Kush ka dështuar në Bosnje sipas jush? Bashkësia Ndërkombëtare, pasi nuk ka treguar kujdesin e duhur, apo boshnjakët, pasi, siç thuhej shpesh në Bruksel, nuk arrinin të binin dakord?

Secili këtu mban përgjegjësinë e vet. Unë besoj se Bashkësia Ndërkombëtare e di edhe sot, se ishte e gabuar që u përqendruam vetëm tek fundi i luftës dhe që, si të thuash, trajtimin e mëtejshëm e morëm pak lehtë. Por: ka një përgjegjesi vetjake edhe nga ana e njerëzve në Bosnje, nga të gjitha palët. Mentaliteti nacionalist ka dominuar mbi ndjenjën e përgjegjësisë ndaj një mirëqënieje të përbashkët funksionale. Këtu edhe boshnjakët kanë faj. Unë besoj se së bashku do të kishim ecur më përpara nga ku kemi arritur. Por nuk duhet të harrojmë edhe diçka: Në Dayton është siguruar paqja dhe në Dayton është arritur diçka të cilën shumëkush nuk e besonte: që atij horrori të viteve të mëparshme t'i jepej fund. Dhe kjo është një pasuri e çmuar. Natyrisht që duhet të arrihet më shumë, por as kjo nuk duhet nënvlerësuar. Sepse vitet paraardhëse kanë qenë një makth për njerëzit, dhe prandaj kjo asokohe kishte përparësi. Dhe në këtë këndvështrim ka funksionuar: lufta mbaroi.

Diplomati gjerman, Michael Steiner, ka koordinuar angazhimin gjerman në përpjekjet për vënien e paqes në rajonet e ish-Jugosllavisë në kohën e luftrave civile atje. Në këtë funksion ishte ai edhe gjatë bisedimeve për marrëveshjen e paqes së Dayton-it. Gjatë viteve 1996 dhe 1997, ai ka qenë zëvendës i Përfaqësuesit të Lartë të Bashkësisë Ndërkombëtare në Bosnje dhe Hercegovinë.