1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Meshë përkujtimore në Berlin për Papa Gjon Palin e II-të

Eliana Xhani6 Prill 2005

Marrin pjesë krerët më të lartë të Kishës e politikës në Gjermani dhe trupi diplomatik i akredituar në Berlin

https://p.dw.com/p/Ar49
Bazilika e Shën Johanit në Berlin
Bazilika e Shën Johanit në BerlinFotografi: AP

Me një meshë përkujtimore qëndrore krerët e shtetit dhe shoqërisë në Gjermani janë ndarë sot nga Papa Gjon Pali i II-të. Mesha filloi në orën 11 të paradites në kishën më të madhe katolike të Berlinit Bazilikën e Shën Johanit. Ajo u mbajt nga nunci apostolik Ervin Jozef Ender, Kryetari i Konferencës së Peshkopëve gjermanë Karl Leman, dhe kryepeshkopi i Berlinit Georg Sterzinski. Në kishën e zbukuruar me lule dhe të mbushur plot me besimtarë kardinali Leman vlerësoi përpara politkanëve të lartë, të ftuarve të huaj, përfaqësuesve të kishës dhe shumë pjesëtarëve të komunitetit polak angazhimin e palodhur të kreut të kishës për lirinë, solidaritetin dhe paqen. "Në luftën e tij për paqe Papa nuk iu shmang as konfrontimit me një fuqi botërore si SHBA. Ai u anagazhua për mirëkuptimin në Lindjen e Afërme duke i shpallur luftë në të njëjtën kohë terrorizmit ndërkombëtar. Gjon Pali i II-të ka qenë dhe mbetet ndërtuesi i urave të mirëkuptimit" u shpreh Lehman në predikimin e tij.
Kardinali nuk u ndal në himnet ndaj veprës së Papës por shprehu dhe kritikën për atë që ai e cilësoi një ngrirje në brendësi të kishës katolike për të cilën Papa ka qenë sipas tij një nga përgjegjësit. Jo pak vetë, u shpreh Lehman, e akuzojnë atë sot se ndërkohë që në botë jepte një shembull të shpresës për të gjithë njerëzit në brendësi të Kishës nuk e mbështeste lirinë dhe dialogun.
Ndërsa Nunci Apostolik në Berlin, kryepeshkopi Ervin Josef Ender, në fjalën e tij e ka vlerësuar kreun e vdekur të Kishës Katolike si një të krishterë që rrezantonte besueshmëri të pashoqe.
Në rekuijemin pontifikal në Bazilikën e Shën Johanit morrën pjesë ndër të tjerë kancelari gjerman Gerhard Schrëder dhe kabineti i tij, krerët e opozitës në Gjermani dhe diplomatët e akredituar në Berlin. Presidenti gjerman Horst Këler nuk ka mundur të marrë pjesë pasi ndodhej në rrugën e kthimit nga një vizitë në Japoni. Nunci apostolik Ender në fillim të meshës citoi nga letra e ngushëllimit të presidentit gjerman që sipas tij ka bërë përshkrimin më të goditur të figurës së Papa Gjon Palit të II-të: " Ai ishte në rradhë të parë një njeri i besimit, për njerëzit një dëshmitar i prekshëm i pranisë së Perëndisë."

Shumë politikanë vlerësuan para dhe pas meshës kontributin e Atit të Shenjtë. "Papa Gjon Pali i II-të ka qenë një europian i madh që ka mbrojtur me konseguencë të drejtat e njeriut dhe nocionin e lirisë" është shprehur Ministri i Brendshëm gjerman Oto Shili,njëkohësisht përgjegjës për çështjet e Kishës në partinë social-demokrate gjermane. Ndërsa kryetarja e partisë kristian-demokrate në opozitë Angela Merkel u shpreh se Papa ka qenë një simbol guximdhënës për të gjithë në Lindje. Ai është angazhuar gjithë jetën e tij që njerëzit të mund të jetojnë në liri, ka thënë Merkel.

Bazilika e Shën Johanit është me rreth 1000 vende më e madhja kishë katolike e kryeqytetit gjerman dhe streha shpirtërore e komunitetit polak në Berlin.