1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

HH 2013

9 Nëntor 2012

Komisioni parlamentar gjerman për buxhetin diskutoi 13 orë për buxhetin e vitit 2013. Rezultati ishte një ulje me 1,7 miliardë euro e hyrjes së re në borxhe krahasuar me parashikimin fillestar të Ministrit të Financave.

https://p.dw.com/p/16fxy
Më pak borxhe të reja
Më pak borxhe të rejaFotografi: picture-alliance/dpa

Hyrja e re në borxh e Gjermanisë do të jetë në 2013-n më e ulët se ç'është planifikuar nga Ministri i Financave Wolfgang Schäuble. Ky i fundit parashikonte në verë 302,2 miliardë. Siç vendosi në orët e para të ditës Komisioni Parlamentar për Buxhetin në të ashtuquajturën mbledhje të heqjes së dyshimeve, federata do të marrë borxh vitin e ardhshëm 17,1 miliardë euro. Këto janë 1,7 miliardë euro më pak sesa parashikohej deri tani.

Buxheti, i cili kaloi me votat e koalicionit të përbërë nga Bashkimi Kristiandemokrat/Kristiansocial dhe liberalët, ka një vëllim të përgjithshëm prej 302 miliardë eurosh. Opozita i akuzoi partitë qeveritare për kozmetikë bilanci, për të ulur nivelin e hyrjes së re në borxh në vitin zgjedhor e kësisoj për t'u paraqitur më mirë.

Kursehen para: më pak borxhe të reja
Kursehen para: më pak borxhe të rejaFotografi: Fotolia

Buxhet për fushatë elektorale?

Politikani socialdemokrat Carsten Schneider, ekspert i buxhetit, bëri fjalë për një buxhet për fushatë elektorale. Sipas tij, shpenzimet shtesë mund të financohen vetëm me marifete kontabiliteti (për shembull nëpërmjet zhvendosjes së të ardhurave nga privatizimet). Edhe në saj të këtij fakti u arrit që shkalla e marrjes së kredive të ulet. Të ardhurat nga privatizimet në vëllim prej 800 milionë eurosh, të parashikuara në të vërtetë për 2012-n, po kalohen në planin buxhetor të 2013-s, thonë socialdemokratët. Politika buxhetore solide është tjetër gjë, u shpreh Schneider. Bundestag-u, parlamenti gjerman, voton për buxhetin pas dy javësh.

Si investime janë planifikuar tanimë më shumë 34,8 miliardë euro (këto janë rreth 468 milionë euro më shumë se përllogaritja fillestare). Të ardhurat nga taksat parashikohen me vlerën 260,611 miliardë euro. Si të ardhura të tjera (këtu bëjnë pjesë edhe të ardhurat prej privatizimeve) parashikohen tani 23,59 miliardë euro.

Autor: Elert Ajazaj (dpa, dw)

Redaktoi: Auron Dodi