Merkel viziton Izraelin & Hamasi fiton në zgjedhje | Studimi në Gjermani | DW | 30.01.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Merkel viziton Izraelin & Hamasi fiton në zgjedhje

Kancelarja Angela Merkel zhvillon vizitën e saj të parë në këtë post në Izrael. Kjo vizitë në sfondin e situatës së tensionuar në Lindjen e Mesme pas fitores së Hamasit në territoret palestineze është në fokus të komenteve në shtypin e sotëm.

Ehud Olmert dhe Angela Merkel në Jeruzalem

Ehud Olmert dhe Angela Merkel në Jeruzalem

"Finantial Times Deutschland" komenton: "Vizita e Angela Merkelit në kulmin e turbullirave në Lindjen e Mesme shërben si simbol: Gjermania mbështet shtetin hebre. Pohimi për të drejtën e ekzistencës së Izraelit është për çdo qeveri të re gjermane një detyrim dhe presupozon edhe solidaritetin pikërsht në rast konflikti. Vizita e parë në Lindjen e Mesme e kancelares zhvillohet në një çast mjaft delikat. Megjithatë Angela Merkeli duhet të jetë e përmbajtur. Ajo mund të bëjë sondazh për Perëndimin por çdo përpjekje për rol ndërmjetësues do të ishte mbingarkesë për Gjermaninë" vëren "Finantial Times Deutschland".

Komentatori i së përditshmes "Hamburger Abendblatt" lidhur me qëndrimin e pritur të Izraelit ndaj partisë së re qeverisëse të palesitnezëve shkruan: "Në Izrael mbizotëron lufta elektorale. Kush deklaron, se shpejt ose vonë duhet të negociohet me Hamasin, më mirë të mos e marrë mundimin të dalë në zgjedhje më 28 mars. Natyrisht që kushdo në Izrael e di, se pas zgjedhjeve në një farë mënyre duhet t´i dilet me Hamasin, nëse kjo lëvizje ndryshon sipas shembullit të OÇP-së nga një grup terrorist në një parti politike. Kështu funksionon politika në demokraci. Kusht është që Hamasi të shpallë dorëheqjen nga dhuna dhe të njohë të drejtën e ekzistencës për Izraelin. Kësaj duhet t´i përmbahet edhe Angela Merkeli", shkruan "Hamburger Abendblatt".

Sa u përket shanseve të Perëndimit për ta vënë në lëvizje Hamasin të heqë dorë nga dhuna gazeta "Neues Deutschland" komenton: "Hamasi e ka të qartë, se pa mbështetjen ndërkombëtare do të dështojë politikisht. (...) Autoriteti i autonomisë është i varur prej ndihmave financiare ndërkombëatre, vetëm nga Berlini derdhen 100 milionë euro në vit. Ndaj Hamasi nuk do t´ia dalë pa bërë ndonjë lëshim për paqen. Fillimisht Hamasi nuk do të bëjë më shumë, se sa të shtyjë armëpushimin e vendosur qysh në mars 2005 dhe që në përgjithësi është rrespektuar. Por kjo nuk është shumë, madje është shumë pak. Si mjet presioni paratë mund të shfrytëzohen në mënyrë të kufizuar: sepse bllokimi i parave është një rrugë e sigurt për një shkallëzim më të madh. Tani as që ka shenja për fundin e kësaj dileme", vëren "Neues Deutschland".

Autori i kryeartikullit të "Süddeutsche Zeitung" beson, se Perëndimi ka nevojë për presidentin palestinez Mahmut Abaz, në mënyrë që të mos negociojë me njerëzit e Hamasit që nxisin terrorin: "Vizita e kancelares Merkel i ngjan misionit të një zjarrëfikësi. Direktiva e qeverisë së ShBA dhe e shteteve të BE-së aktualisht është, që ta frenojnë presidentin Abaz të pranojë humbjen dhe të tërhiqet. Ai konsiderohet i lodhur nga posti e kësaj i shtohet edhe indinjata e bazës së lëvizjes Fatah për humbjen e pushtetit. Nga frika për ndonjë reagim të ashpër të Fatahut Abazi në fundjavë anulloi vizitën e planifikuar për në Rripin e Gazës. Thuhet se ai kish frikë mos e sulmonin dhe mund të rrezikonte jetën. Shtetet perëndimore kanë nevojë për Abazin, në mënyrë që të mos bien në ndonjë situatë të turpshme duke vendosur kontakt me antarët e Hamasit, përpara se këta të kenë hequr dorë prej terrorit", analizon "Süddeutsche Zeitung".

"Frankfurter Allgemeine Zeitung" komenton gjendjen në Lindjen e Mesme pas fitores së Hamasit në territoret palestineze: "Pasoja e pashmangshme pas fitores së Hamasit radikal është, që për sistemin palesitnez fillon një fazë e pasigurisë gjë që do t´i mbajë në ankth rajonin dhe aktorët ndërkombëtarë. Se sa do të zgjasë kjo fazë, tani për tani nuk mund ta thotë askush, madje askush nuk është në gjendje të parashikojë, nëse pas këtij tërmeti të pashmangshëm shumë shpejt mund të ndizet edhe dhuna e hapur apo lufta civile", tërheq vëmendjen "Frankfurter Allgemeine Zeitung".

  • Data 30.01.2006
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arre
  • Data 30.01.2006
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arre