1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Merkel: Tema e refugjatëve "sfidë qendrore afatgjatë"

AUD (dpa, rtr)31 Gusht 2015

Kancelarja gjermane Angela Merkel kërkoi në konferencën verore të shtypit një qendrim më të zhdërvjellët. Njëkohësisht ajo tha se për ekstremistë të djathtë dhe racistë nuk do të ketë tolerancë në Gjermani.

https://p.dw.com/p/1GOeG
Deutschland Berlin Jahrespressekonferenz Bundeskanzlerin Merkel
Kancelarja Angela Merkel në konferencën vjetore të shtypit, 31.08.2015, BerlinFotografi: Reuters/A. Schmidt

Kancelarja Angela Merkel e përdori konferencën e saj verore të shtypit në Berlin për të folur për temën e politikës ndaj refugjatëve. "Ne e respektojmë dinjitetin njerëzor të secilit", theksoi kryetarja e qeverisë. "Nuk ka tolerancë përballë atyre që i venë pikëpyetje dinjitetit të njerëzve të tjerë."

"Po ndodhin tragjedi të pafundme", tha Merkeli, duke pasur parasysh qindra mijëra refugjatët, që ndodhen aktualisht rrugës për në Evropë. Ajo që po ndodh në Evropë nuk është katastrofë natyrore, por ato që ndodhin janë shumë situata katastrofale. Ajo foli edhe për "akte mizore" në Austri, për refugjatë që "shkatërrohen nga trafikantë të paskrupuj". Në Austri javën e kaluar u zbuluan në një kamion 71 migrantë të vdekur.

Përsa i përket numrit në rritje të refugjatëve, Kancelarja Angela Merkel bëri thirrje për të treguar më shumë zhdërvjelltësi në veprimet e shtetit. Qëndrimi rrënjësor gjerman vërtet është "i shkëlqyer", por "nevojitet edhe zhdërvjelltësi gjermane", tha ajo. Gjermania ia ka dalë mbanë me sukses shumë gjërave dhe do t'ia dalë mbanë edhe kësaj sfide. "Por ne duhet t'i përshpejtojmë tani gjërat" tha ajo. Gjermania duhet të tregojë tani guxim dhe kërkesa të caktuara t'i shfuqizojë përkohësisht.

Shteti duhet të jetë në gjendje të shmanget midis të tjerash nga standardi prej direktivave të caktuara - si ato të mbrojtjes nga zjarri ose të nxjerrjes së emisioneve - për të thjeshtuar ngritjen e strehimeve për refugjatët. Qeveria federale do të paraqesë për këtë një inisiativë ligjore, tha Merkeli. Ajo propozoi edhe kurse ekspres për mësues të gjermanishtes, për ta zgjeruar ofertën e kurseve të gjuhës. "Këto nuk mund t'i bësh me mënyrën normale të veprimit", tha ajo. Procedurat e azilit duhet të përshpejtohen, numri i vendeve në ambjentet e pranimit duhet të shtohet. Dhe federata nuk do ta kundërshtojë një ndarje të drejtë të shpenzimeve me landet dhe komunat "përkundrazi".

Deutschland Berlin Jahrespressekonferenz Bundeskanzlerin Merkel
Kancelarja Angela Merkel në konferencën vjetore të shtypit, 31.08.2015, BerlinFotografi: Reuters/H. Hanschke

Demonstratat - "Mos u shkoni pas"

Merkeli e quajti përballimin e problemit të refugjatëve një "detyrë kombëtare, që i intereson secilit" dhe që do të kërkojë kohë të gjatë. "Do t'ia dalim mbanë", tha ajo.

Pjesëmarrësve në demonstratat kundër të huajve Kancelarja u shpalli luftë. Do të drejtohemi me të "gjithë fuqinë e shtetit tonë juridik" kundër atyre që ngrihen kundër të tjerëve, që i fyejnë dhe provokojnë rëndë ata, tha Merkeli. Kjo vlen edhe për ata që me këngë urrejtjeje përpiqen ta nxisin popullin kundër të huajve. "Mos u shkoni pas atyre që bëjnë thirrje për demonstrata të tilla", bëri thirrje kancelarja Merkel, duke iu drejtuar gjermanëve.

Njëkohësisht kancelarja bëri të qartë se pjesa më e madhe e gjermanëve është e hapur ndaj botës. Numri i atyre që ndihmojnë e "kalon në mënyrë të disafishtë numrin e nxitësve dhe të armiqve të të huajve", tha Merkeli. Prandaj ajo është "krenare dhe mirënjohëse". "Bota e sheh Gjermaninë si vend të shpresës dhe shansit. Dhe situata nuk ka qenë gjithmonë e tillë", theksoi kancelarja.

Jo Evropë e ndarë në Lindje dhe Perëndim

Merkeli u bëri thirrje të gjitha shteteve të BE: "Evropa duhet të lëvizë e gjitha. Shtetet duhet ta ndajnë përgjegjësinë për refugjatët që kërkojnë azil." Ajo shtoi se të drejtat universale civile kanë qenë deri tani të pandara nga Evropa dhe historia e saj. "Ky është një nga impulset e themelimit të BE. " Kancelarja gjermane kujtoi se nëse Evropa dështon në çështjen e refugjatëve "atëherë këputet edhe kjo lidhje e ngushtë me të drejtat qytetare universale, shkatërrohet dhe nuk do të kemi më atë Evropë që përfytyrojmë."