1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Merkel telefonon me Koshtunicën

Anila Shuka9 Maj 2007

Qeveria gjermane u bën thirrje serbëve të krijojnë një qeveri proevropiane deri më datën 15 maj

https://p.dw.com/p/ArVu
Koshtunica dhe Merkel në Berlin (15 maj 2006)
Koshtunica dhe Merkel në Berlin (15 maj 2006)Fotografi: AP

Kancelarja gjermane Angela Merkel ka telefonuar të mërkurën në mesditë me kryeministrin serb Vojislav Kostunica, tha zëdhënësi i qeverisë gjermane, Ulrich
Wilhelm, në konferencën e rregullt të shtypit në përgjigje të pyetjes së programit shqip të Deutsche Welles:

"Nga njëra anë ajo ka shprehur shqetësimin e saj për zgjedhjen e Zotit Nikoliq si kryetar të kuvendit të Serbisë, dhe në anën tjetër ajo ka paralajmëruar vetë urgjentisht që të shfrytëzohet afati i shkurtër që ka mbetur për krijimin e një qeverie demokratike, për të ruajtur perspektivën evropiane të vendit", tha Vilhelm të ërkurën në Berlin.

Zëdhënësi i qeverisë nuk iu përgjigj pyetjes se a i pat dhënë Koshtunica kryetares së radhës së BE-së, Angela Merkel, ndonjë sinjal për krijimin e qeverisë serbe, deri më 15 maj, ashtu siç e parashikon kushtetuta serbe.

Qeveria gjermane kishte reaguar të mërkurën paradite edhe me një deklaratë për media, të cilën e lexoi në konferencën e shtypit zëdhënësi i ministrisë së jashtme gjermane, Martin Jaeger: "Kryesia e BE-së apelon tek të gjitha partitë reformatore në Beograd që ta shfrytëzojnë afatin e paraparë nga kushtetuta deri më 15 maj, për të krijuar një qeveri demokratike të mazhorancës, që e ripërtërin orientimin evropian të politikës së Serbisë", thuhej mes të tjerash në deklaratë.