1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Merkel në Londër

Kim Bytyçi25 Nëntor 2005

Vizita e kancelares gjermane do të shënojë thellimin e marredhenieve anglo-gjermane, ku Gjermania do te marr një rol ndërmjetësues midis Britanisë dhe Francës rreth çështjesh se buxhetit evropian.

https://p.dw.com/p/AqhW
Fotografi: AP

Vizita e kancelares së re gjermane u prit me një interesim të gjerë këtu në Britani të Madhe. Madje para se të mbërrijë, komentatorët filluan të spekulojnë mbi mundësitë e reja në marrëdhëniet gjermano-britanike. Thirrjet e saj për reforma liberale ekonomike në Evropë si dhe theksimi i rëndësisë së marrëdhënieve transatlantike, shihen këtu si konfirmim i qëndrimeve më të afërta të kancelares Merkel me ato të kryeministri britanik.

Buzëqeshjet e vazhdueshme të dy bashkëbiseduesve duket se konfirmonin këto pritje. Deklarat ndërkaq ishin më të matura por jo edhe diskurajuese.

Qysh në fillim, zonja Merkel theksoi marrëdhëniet e vecanta me Francën por shtoi se marrënie të tilla dëshiron edhe me Britaninë e madhe.

“Dëshiroj që me këtë vizitë të nënvizoj faktin se qeveria e re gjermane është mëse e interesuar të ruajë marrëdhëniet e mira me Francën, dhe jo vetëm me Francën por veçmas me Britainë e Madhe”, tha Merkel.

Ndër çështjet kyçe të këtij takimit ishte pa dyshim çështja e rebatit britanik brenda Bashkësisë Evropiane. E pyetur në mënyre direkte se cilën palë e mbështet ajo rreth kësaj çështjeje, Francën apo Britaninë, kancelarja gjermane evitoi një përgjigje direkte duke preferuar gjuhën e sigurtë diplomatike. Situata e çdo vendi, tha ajo, duhet te merret para sysh. Nëse dikush harron interesat e ndonjërit vend, suksesi do të mungojë, tha Merkel.

Britania e Madhe do të paraqesë së shpejti propozimet e reja mbi buxhetin. Por kryeministri Blair nuk dëshironte të spekulojë :

“Natyrisht se do të jete vështirë dhe nuk ka kuptim të hyhet sot në detaje. Por ne do të bëjmë çdo orvatje të arrijmë marrëveshje”, tha kryeministri Blair.

Duke përkujtuar nevojën që Britania dhe Franca të punojnë së afërmi, kryeministri Blair nënvizoi rëndësinë e jashtzakonshme të marrëdhënieve me Gjermaninë, dhe shtoi se me kancelaren e re gjermane pret të zhvillohen marrëdhënie shumë të mira dhe të afërta.

Sidoqoftë, kryeministri Blair shpreson të ketë një aleate të re në kancelaren Merkel kur është fjala për mospajtimin buxhetar me Francës ne BE. Përkundër dëshirës së kancelares gjermane që Britania e Madhe të heq dorë nga rebati, qëndrimet e saj ndaj reformave te gjera ekonomike besohet të jenë më të afërta me ato të kryeministrit Blair se ç’ishte rasti me Gerhard Shroeder.

Në bazë të asaj që u dëgjua me këtë rast, pritet se vizita e kancelares gjermane do të shënojë thellimin e marredhenieve anglo-gjermane, ku Gjermania do te marr një rol ndërmjetësues midis Britanisë dhe Francës rreth çështjesh se buxhetit evropian.

Ndikimi i kancelares Merkel pritet të shihet brenda disa javësh kur në samitin evropian temë kryesore do të jetë finacimi i Bashksisë evropiane.