Merkel mbështet presidecën e Austrisë në BE | Politika | DW | 02.01.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Politika

Merkel mbështet presidecën e Austrisë në BE

Në fillim të presidencës austriake në BE, kancelarja Angela Merkel vizitoi Vjenën në ditën e parë të vitit të ri. Pas koncertit tradicional të vitit të ri të Filarmonisë së Vjenës, ajo pati një drekë me kancelarin austriak Voflgang Shysel

Volfgang Shysel dhe Angela Merkel në koncertin e Vjenës

Volfgang Shysel dhe Angela Merkel në koncertin e Vjenës

Së bashku Gjermania dhe Austria duan ta çojnë përpara BE-në. Kancelarja Angela Merkel siguroi presidentin e radhës të këshillit presidencial të BE-së, homologun austriak, Volfgang Shysel, se do ta mbështesë atë në qëllimet që i ka vënë vetes. Politika fillimisht mbeti në sfond të vizitës së Merkelit në Vjenë. Shysel e ftoi kancelaren në koncertin tradicional të vitit të ri në sallën e artë të shoqatës muzikore të Vjenës. Kancelarja udhëtoi në Vjenë me bashkëshortin e saj. Nën drejtimin e dirigjentit të Radio Bavarisë, Maris Janson, Filarmonia e Vjenës sipas traditës iu përkushtua kryesisht kompozimeve të dinastisë Shtraus. Por për herë të parë në koncertin e sivjetëm u interpretuan edhe vepra të Moxartit me rastin e 250 vjetorit të lindjes së kompozitorit të madh. Kancelarja Merkel: "Më pëlqeu shumë. Ishte një fillim i shkëlqyeshëm dhe mjaft i gëzueshëm i vitit. Besoj, se miliona njerëz që kanë ndjekur e kanë pëlqyer koncertin."

Në drekën e përbashkët në Muzeun e Vjenës Albertina Merkel dhe Shysel folën kryeshit për tema evropiane. Kancelari austriak shpjegoi qëllimet që i ka vënë vetes për gjashtë muajt e ardhshëm: "Ne kemi marrë përsipër që në këtë gjashtëmujor t´i japim një hov të ri Evropës. Për këtë kemi nevojë. Ne kemi një bazë të mirë me parashikimin e financave për shtatë vitet e ardhëshme. Në vendimin për krijimin e kësaj baze ka influencuar shumë edhe kancelarja. Ne kemi tani për shtatë vjet një perspektivë, që do të verë në lëvizje për Evropën një plan të dyfishtë Marshall. Tani synojmë që në gjysmën e parë të vitit t´i japim theks politikës së jashtme në Ballkan. Nga ana tjetër synohet që projektin për financat ta realizojmë së bashku me Komisionin dhe Parlamentin."

Ndoshta në Francë bashkëpunimi i ngushtë mes Berlinit dhe Vjenës mund të shihet me mosbesim. Mos vallë ky aks do të zëvendësojë partneritetin mes Berlinit dhe Parisit? Jo, përgjigjet Angela Merkel: "Marrëdhëniet mes Gjermanisë dhe Austrisë janë tradicionalisht të mira. Ne s´kemi nevojë për thekse të veçanta, sepse Austria është njëri prej fqinjëve tanë. Ne duam që presidenca austriake të jetë e sukseshme. E këtu s´ka asgjë kundër të tjerëve, përkundrazi është në interesin e përbashkët."

Merkel tha, se duhet të ripërtërihet ekonomia e Evropës. Për këtë është e nevojshme që të hiqen rregullat e tepërta. Edhe sa i përket debatit të mbetur në vendnumëro për kushtetutën evropiane kancelari Shysel sheh shanse: "Nëpërmjet një rregullimi më të mirë, me rregulla më të mira dhe me më pak syresh duam të ndryshojmë kontekstin e politikës evropiane dhe vemë sërish në jetë kushtetutën. Këtë ia kemi vënë qëllim vetes."

Kancelari austriak dëshiron të riformulojë edhe rolin e Gjykatës Evropiane. Gjyqtarët e Luksemburgut e kanë përpiluar më me zemërgjerësi të drejtën e BE-së duke i dhënë një shtysë kalimit të kompetencave kombëtare në nivel evropian. Merkel theksoi mbështetjen gjermane edhe në këtë drejtim. Ajo dëshiron që bashkë me kancelarin austriak të kujdeset për një klimë të mirë në BE.

  • Data 02.01.2006
  • Autor Gervald Herter
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AqrW
  • Data 02.01.2006
  • Autor Gervald Herter
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AqrW