1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Merkel: Greqia shpëtohet me "kombinime"

25 Mars 2010

Kancelarja Angela Merkel paraqiti një deklaratë qeveritare për shpëtimin e Greqisë. Ajo mund të shpëtohet me një "kombinim" ndihmash bilaterale të partnerve të BE-së dhe mbështetjes së Fondit Monetar ndërkombëtar (FMN).

https://p.dw.com/p/Mc4t
Angela Merkel paraqiti qendrimin ndaj Greqisë
Angela Merkel paraqiti qendrimin ndaj Greqisë

Në prag të takimit të nivelit të lartë të BE-së, që fillon punimet pasdite në Bruksel, kancelarja gjermane Angela Merkel kërkoi nga Bashkimi Evropian që nga kriza e Greqisë të nxjerrë mësimet e duhura për të ardhmen.

"Ne duhet të ndërmarrim masat paraprake në mënyrë që të mos përsëritet një gjendje e tillë, dhe ne e pamë se: instrumentet aktuale të Bashkimit Monetar janë të pamjaftueshme. Prandaj ministri Wolfgang Schäuble ka tërhequr vërejtjen për këtë dhe ka propozuar masa të mëtejshme të cilat unë i mbështes fuqishëm", theksoi Merkel.

Ndihmat - instrumenti i fundit

Megjithatë ndihmat e këtij lloji duhet të jenë instrumenti i fundit në rast se një vend evropian kërcënohet të falimentojë. Në të njëjtën kohë Merkel tha se stabiliteti i monedhës së përbashkët evropiane është prioriteti kryesor i politikës gjermane. Prandaj Merkeli shprehu vendosmërinë e saj për të mbrojtur Paktin e stabilitetit evropian kundër truqeve. Greqia me vetëdije i është shmangur rregullave të Paktit të Stabilitetit, theksopi ajo duke shtuar se "ne diskutojmë që sot për një rregullore, e cila t'i japë të drejtën Zyrës për Statistika të Bashkësisë Evropiane - Eurostat - që çështjet kritike, t'i verifikojë në vendin e ngjarjes. Truqet duhet të pengohen."

Merkel dhe Barroso - në Bruksel pritet debat i ashpër
Merkel dhe Barroso - në Bruksel pritet debat i ashpërFotografi: AP

Çfarë duhet bërë nëse një shtet falimenton?

"Truqet duhet të pengohen, por për këtë nuk mjafton vetëm zgjerimi i kompetencave për Eurostatin", tha Merkel. Po ashtu urgjentisht duhet të sqarohet se çfarë ndodh nëse falimenton një prej 16 vendeve të eurozonës. Kancelarja gjermane do të angazhohet për ndryshimin e Marrëveshjes aktuale dhe aplikimin e sanksioneve kundër zhvillimeve të gabuara.

"Duke shikuar nga e ardhmja ne duhet t'i japim përgjigje kësaj pyetjeje: çfarë ndodh në rast se megjithë masat e ndërmarra falimenton një shtet i eurozonës. Cilat janë mundësitë që kjo të ndodhë përmes një procesi të rregulluar, pa e tronditur stabilitetin e Bashkimit monetar, bile që ai të mbrohet. Prandaj unë do të angazhohem për ndryshimet e nevojshme të Marrëveshjes, në mënyrë që gabimet të mund të luftohen me efikasitet me kohë edhe përmes sanksioneve adekuate...", theksoi Merkel

Merkel kundërshton kritikat

Kancelarja hodhi poshtë kritikat se Berlini ngurron për të ndihmuar Greqinë për të dalur nga kriza. "Një evropian i mirë nuk është patjetër ai që ndihmon shpejt. Një evropian i mirë është më tepër ai që nuk e rrezikon stabilitetin e Evropës", tha Merkeli. Ajo u bëri thirrje partnerëve evropianë që bashkarisht të kapërcejnë pasojat e krizës financiare. Asnjë vend i BE-së, kjo shihet tani me rastin e Greqisë nuk mund të menaxhojë vetë sfidat e jashtëzakonshme: "Së bashku jemi më të fortë", theksoi Merkel.

Jürgen Trittin: "Merkel po e izolon Gjermaninë"
Jürgen Trittin: "Merkel po e izolon Gjermaninë"Fotografi: AP

Europolitikania e Partisë Socialdemokrate (SPD) Angelica Schwal-Düren e akuzoi Merkelin për "sjellje oportuniste" ndaj krizës në Greqi. "Ju po e izoloni Gjermaninë nga Evropa", i tha ajo kancelares Merkel. Shefi i të Gjelbërve Jürgen Trittin e kritikoi Merkelin se me propozimin e saj vetëm se e ka ashpërsuar krizën në BE. Ndërsa shefi i grupit parlamentar të partisë "E Majta" kërkoi ndihma të drejtpërdrejta të BE-së për Greqinë e jo nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Autor: dpa/Esat Ahmeti

Redaktoi: Bahri Cani