Merkel: Gjermania u përmbahet objektivave për klimën | Bota | DW | 15.11.2017
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Merkel: Gjermania u përmbahet objektivave për klimën

Kancelarja e Gjermanisë Merkel në Konferencën Botërore për Klimën në Bon, COP23, paraqiri objektivat e Gjermanisë për mbrojtjen e klimës. Në këtë drejtim një rol të rëndësishëm luan reduktimi i përdorimit të qymyrit.

Në Konferencën Botërore për Klimën kancelarja Angela Merkel theksoi rëndësinë e pakësimit të energjisë së qymyrit për mbrojtjen e klimës në Gjermani. Qymyri dhe veçanërisht linjiti duhet të japin një "kontribut të qenësishëm" për përmbushjen e objektivave për klimën, tha Merkel para të deleguarve në Bon. "Por se sa e saktë është kjo, këtë do të duhet ta diskutojmë në mënyrë më precize së bashku në ditët e ardhëshme", tha ajo. Kjo temë është ndër më të diskutuarat në bisedimet aktuale për krijimin e koalcionit qeverisës të përbërë nga tri parti: CDU/CSU, FDP dhe ekologjistët në Berlin.

COP23: Kush e paguan shpëtimin e klimës?

Mjetet financiare dhe strategjia afatgjatë e planit gjerman për mbrojtjen e klimës deri më 2050 janë hapi tjetër duhet ndjekur për ta plotësuar këtë plan me "masa konkrete", tha kancelarja. Edhe në një vend të pasur si Gjermania kjo nuk është e thjeshtë. Objektivat gjermane për klimën për vitin 2020 janë "një qëllim ambicioz", për arritjen e të cilit "ende ka shumë për të bërë". Pikërisht ky objektiv nënkupton një sfidë të madhe, tha kryetarja e partisë kristiandemokrate, CDU. Deri në vitin 2020 Gjermania do ta ulë me 40 përqind emtimin e gazrave që krijojnë efektin serë. "Ne e dimë, që Gjermania si një vend që ende përdor në masë të madhe qymyrin, kryesisht atë linjit, duhet të japë një kontribut të qënësishëm për t'ia arritur këtij qëllimi.

Macron: Europa duhet të ndihmojë

Presidenti francez Emmanuel Macron propozoi, që Europa të plotësojë boshllëkun në finnacimin e punës së këshillit për klimën IPCC, që krijohet pas deklarimit të SHBA-së për t'u tërhequr. Franca do të japë kontributin e vet. Ai garantoi, që IPCC-së më 2018 nuk do t'i mungojë asnjë Euro, për të bërë punë efikase.

Macron kërkoi gjithashtu të mëbshtetet mbrojtja e klimës, duke vendosur rregulla për ndotjen nga emetimet në BE dhe një çmim prej 30 Eurosh për çdo ton dioksid-karboni të çliruar në atmosferë. Ndërkohë ky çmim është shumë më i ulët. Shtetet e BE-së dhe Parlamenti Europian javën e kaluar ranë dakord për reformën e tregut të të drejtave për emisionet e dëmshme për mjedisin, në mënyrë që të krijohen më shumë stimuj për mbrojtjen e klimës.

 

Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, kërkoi nga bashkësia ndërkombëtare më shumë mbrojtje të klimës edhe pas SHBA-në. Marrëveshja historike e vitit 2015 në Paris duhet të mbetet e pakthyeshme, tha Steinmeier në hapje të fazës vendimtare të Konferencës Botërore për Klimën, COP23 në Bon. Në Paris bashkësia ndërkombëtare ra dakord për uljen nën dy gradë të ngrohjes së Tokës. Por premtimet për mbrojtjen e klimës të vendeve të veçanta nuk mjaftpjnë për këtë. SHBA-ja nën presidentin Donald Trump - pas Kinës si producenti i dytë i madh i gazrave të efektit serë - ka deklaruar shkëputjen nga kjo marrëveshje.

Guterres kërkon më shumë përkushtim

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres u bëri thirrje pjesëmarrësve të Konferencës Botërore për Klimën në Bon që të ndjekin një politikë më ambicioze për klimën. "Ndryshimi i klimës është rreziku përcaktues i kohës sonë", tha Guterres në Bon. "Ne duhet të avancojmë bashkë edhe më tej dhe më shpejt." Apeli i tij vlen për pakësimin e emisioneve të dëmshme për klimën, ashtu edhe për marrjen e masave të nevojshme dhe ndihmat financiare për viktimat më të dobëta të ndryshimit të klimës. Guterres kritikoi në fjalimin e tij, që vitin e kaluar përafërsisht janë shpenzuar 825 miliardë Dollarë për lëndë djegëse fosile. Këto janë "investime jo në dobi të të një të ardhmeje të qendrueshme", një rikonstruktim konform normave të ruajtjes së klimës mund t'u japë një shtysë më të fortë ekonomive kombëtare.

Konferenca Botërore për Klimën në Bon zyrtarisht i mbyll punimet të premten (17.11). Qëllimi i saj është t'i avancojë bisedimet deri sa të mundësojë që në konferencën pasuese vitin e ardhshëm në Katovicë të Polonisë të mund të miratohet i ashtuquajturi libri i rregulloreve për zbatimin e Marrëveshjes së Parisit për Klimën si dhe vendime të tjera të rëndësishme.