1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Merkel dhe Laschet për hapjen e negociatave me talibanët

6 Shtator 2021

Kancelarja tha se synimi do të ishte fillimisht nxjerrja e të rrezikuarve nga vendi. Për dialogun megjithatë kërkohen kushte.

https://p.dw.com/p/3zwm5
Nach Flutwelle | PK Laschet und Merkel
Fotografi: Frank Ossenbrink/imago images

Kancelarja gjermane Angela Merkel është shprehur në favor të hapjes së negociatave me talibanët në Afganistan.

"Lidhur me talibanët, fakti është se natyrisht që duhet të flasim me ata, sepse tani janë ata, të cilëve duhet t'u drejtohesh”, tha Merkeli në një konferencë shtypi në Hagen, në periferi të rajonit të Ruhrit të dielën.

Ajo tha se qëllimi ishte të sigurohej që në veçanti njerëzit që kishin punuar për organizatat gjermane të zhvillimit dhe që ndiheshin të rrezikuar të nxirren jashtë vendit. Organizatat e ndihmës duhet të kenë mundësinë të ndihmojnë popullsinë e vuajtur, tha kancelarja.

Angela Merkeli ishte në rajon për t'u takuar me njerëzit e prekur nga përmbytjet e korrikut, të cilat shkretuan pjesë të Gjermanisë perëndimore.

Kreu i partisë kristjandemokrate gjermane, CDU, Armin Laschet, një kandidat potencial si pasardhës i Merkelit në postin e kancelarit pas zgjedhjeve të 26 shtatorit, tha gjithashtu se ishte e nevojshme të flitej me talibanët, shkruan agjencia e lajmeve, dpa.

Afghanistan l Taliban kontrollieren Straßen in Kabul
Talibanët kontrollojnë rrugët në KabulFotografi: Wali Sabawoon/AP/picture alliance

Komuniteti ndërkombëtar do të duhej të formulonte qartë në një rast të tillë kushtet në të cilat do të ishte i mundur bashkëpunimi.

Ministrat e Jashtëm të shteteve të BE ranë dakord të premten për bashkëpunim të kufizuar me talibanët militantë islamikë në Afganistan.

Për të punuar me BE, talibanët duhet së pari të garantojnë se Afganistani nuk do të strehojë terroristë që mund të organizojnë sulme ndaj vendeve të tjera si në të kaluarën, tha kryediplomati i BE Josep Borrell. Në vend të kësaj, talibanët duhet të respektojnë të drejtat e njeriut, veçanërisht ato të femrave; të krijojnë një qeveri gjithëpërfshirëse; të lejojnë qasje pa pengesa për ndihmat humanitare; dhe të lejojnë shtetas të huaj dhe afganë të kërcënuar të largohen, tha Borrelli.

 

aud (dpa)