1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Merkel dhe Bler - të një mendimi në politikën ndërkombëtare

Nina Verkojzer17 Shkurt 2006

Të premten, kryeministri britanik Toni Bler u takua në Berlin me kancelaren Angela Merkel. Ishte vizita e parë e Blerit në Berlin që prej marrjes së postit nga Angela Merkel. Në agendën e të dy kryetarëve të qeverive ishin para së gjithash tema të politikës së përditshme.

https://p.dw.com/p/Aqqu
Merkel dhe Bler në Berlin
Merkel dhe Bler në BerlinFotografi: AP

Për bisedime konstruktive dhe miqësore foli kancelarja Merkel pas takimit të saj më Toni Blerin. Të dy demonstruan unitet në të gjitha cështjet e rëndësishme të politikës ndërkombëtare, midis të tjerave në trajtimin e Hamasve radikalë islamikë, të cilët kanë dalë fitimtarë në zgjedhjet parlamentare në zonat palestineze. Merkeli përsëriti edhe njëherë kushtet, që qeveria gjermane ka vendosur njësoj si qeveria britanike për fillimin e bisedimeve me Hamasët:

"Në radhë të parë këtu kemi të bëjmë natyrisht me heqje dorë nga dhuna, së dyti me njohjen e së drejtës për ekzistencë të Izraelit dhe së treti me pranimin e hapave të deritashëm në procesin e paqes. Ne besojmë se veprohet drejtë, kur Evropa thotë në këtë rast shumë qartë, se cilat janë kriteret, për të avancuar në procesin e paqes."

Toni Bleri plotësoi, se ai e pranon rezultatin e zgjedhjeve dhe mandatin që kanë marrë hamasët. Por kushtet e përmendura nga kancelarja janë parakushti që procesi i paqes të ecë përpara. Vetëm një zgjidhje e dy shteteve mund t'i japë fund konfliktit në Lindjen e Mesme. Izraeli duhet të jetojë në siguri dhe duhet të ekzistojë një shtet palestinez i aftë për të mbijetuar dhe i pavarur.

"Nuk do të ketë një zgjidhje të procesit të paqes në Lindjen e Mesme, nëse Izraeli dhe Palestina nuk jetojnë krahas njeri-tjetrit si dy shtete."

Edhe në bisedimet atomike me Iranin, Toni Bleri dhe Angela Merkeli duan të flasin me një zë, ashtu si ka vepruar deri tani Britania e Madhe dhe Gjermania. Merkeli për këtë tha:

"Këtu Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe kanë dhënë vitet e fundit një kontribut shumë të madh, që bashkësia ndërkombëtare të bëjë të qartë, se Irani e ka shkelur vijën e kuqe. Ne kemi folur natyrisht për atë, se në cilën mënyrë do të vazhdojnë përpjekjet diplomatike në të ardhmen, për ta bërë Iranin të zërë sërish atë pozicion, që e bën të mundur një kooperim me Iranin."

Toni Bleri foli edhe për kërkesën aktuale të qeverisë iraniane, që qeveria britanike t'i tërheqë menjëherë trupat e saj nga Iraku. Trupat do të qendrojnë atje, theksoi kryeministri britanik,dhe Irani nuk duhet të tërheqë vëmendjen nga vetja e tij me kërkesa të tilla. Pyetjes për qëndrimin e tij për kampin amerikan të të burgosurve në Guantanamo, Bleri iu pergjegj se ky kamp është një anomali dhe vonë apo herët duhet të ndërmerret diçka. Jo vetëm sekretari i OKB-së, Kofi Anan, por edhe kolegu i kabinetit të Blerit, Peter Hain kanë kërkuar mbylljen e këtij kampi.