Merkel: ″Dështimi i kushtetutës evropiane një humbje historike″ | Evropa | DW | 17.01.2007
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Merkel: "Dështimi i kushtetutës evropiane një humbje historike"

Kancelarja gjermane Angela Merkel paralajmëroi përpara Parlamentit Evropian në Strasburg, se mosvënia në jetë e një kushtetute evropiane do të ishte një humbje historike

Merkel në Parlamentin Europian

Merkel në Parlamentin Europian

Zëdhënësit e shumë fraksioneve në Parlamentin Evropian e përshëndetën vendosmërinë e Angela Merkelit, për të gjetur një rrugë për reanimimin e kushtetutës. Por nga plenumi u dëgjuan edhe zëra kritikë.

Kryetarja e fraksionit të partisë liberale FDP, Silvana Koch-Mehrin, donte të dinte: "Mbi cilën kushtetutë po flasim këtu? Marrëveshja për kushtetutën dështoi, ajo nuk u pranua. Kërkoni një formë më të shkurtër të kësaj marrëveshjeje, ashtu siç u propozua këtu, apo kërkoni që kjo marrëveshje të qëndrojë ashtu siç ishte? Dhe si do të ratifikohet kjo kushtetutë? Secili shtet do të ecë sipas tempos së tij? Do të zhvillohen referendume, apo do t´i evitoni ato?”

Edhe Daniel Kohn-Bendit, kryetari i fraksionit të të gjelbërve tha: “Në rast se mendoni se mund ta rikrijojmë marrëveshjen për kushtetutën në një dhomë të errët të konferencës qeveritare, atëherë duhet të dini se qytetarët dhe qytetaret e Evropës nuk do ta pranojnë atë. Ne kemi nevojë për një debat publik, ne kemi nevojë për një konventë.”

Merkel nuk e pranoi propozimin për një sondazh në mbarë Evropën dhe krijimin e një konvente, pra një takimi të veçantë, që do të pregatiste dhe formulonte një kushtetutë të re. Presidentja e re e rradhës tha se secili shtet ka të drejtë ta trajtojë sic e shikon të arsyeshme çështjen e kushtetutës.

Angela Merkel kërkoi gjithashtu që tregu i punës të zhvillohet gjatë 6 muajve të ardhshëm. Duhen krijuar sa më shumë vende pune, tha Merkel. Edhe socialdemokratët në Parlamentin Evropian i vunë rëndësi të veçantë kësaj teme.

Shefi i fraksionit Martin Schulz tha: „Ky është modeli i suksesit i shekullit të 20-të, në gjysmën e dytë të tij: Përparimi ekonomik i kombinuar me sigurinë sociale. Në rast se ky kombinim nuk do të vazhdojë, atëherë do të kemi probleme të mëdha Zonja kancelare. Prandaj ju lutem që t´i shtoni kuptimit tuaj për lirinë, të cilin e ndaj plotësisht me Ju, se siguria sociale është gjithashtu liri.“

Një temë tjetër e rëndësishme është për Angela merkelin sigurimi i energjisë për Bashkimin Evropian. Në samitin e G-8 në mars do të diskutohet mbi nënshkrimin e një marrëveshjeje mbarëbotërore mbi klimën. Përsa i përket politikës së jashtme, presidenca gjermane e rradhës e BE-së do të fokusohet tek situatat në Lindjen e Afërt, në Afganistan dhe në Ballkan.

  • Data 17.01.2007
  • Autor Anke Hagedorn
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar99
  • Data 17.01.2007
  • Autor Anke Hagedorn
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar99