Megjithë ofertat evropiano-amerikane Teherani i patundur për vazhdimin e programit atomik | Bota | DW | 12.03.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Megjithë ofertat evropiano-amerikane Teherani i patundur për vazhdimin e programit atomik

Edhe aleanca e re mes SHBA-ve dhe BE-së për të punuar bashkarisht për të zgjidhur krizën për programin atomik të Iranit nuk duket se do të japë rezultate të shpejta, sepse Teherani nuk ka ndërmend të heqë dorë prej programit të tij atomik megjithë paralajmërimet apo kompromiset që ofrojnë SHBA-të dhe BE-ja.

Centrali atomik i Isfahanit në Iran

Centrali atomik i Isfahanit në Iran

Irani është i vendosur që të vazhdojë ta zhvillojë teknologjinë bërthamore për ta përdorur atë për qëllime paqësore dhe "asnjë presion, asnjë shantazh apo kërcënim nuk do ta bëjnë Iranin të përkulet dhe të heqë dorë prej të drejtave të tij"- ishte qëndrimi i fundit zyrtar i Ministrisë iraniane të Punëve të Jashtme. Edhe faqet e para të shtypit vendas ishin mbushur me titujt të tillë si "Bisedimet për çështjet atomike kanë ngecur në vend për shkak të shantazheve nga Evropa". Ndërmjetësuesi iranian për këtë çështje Sirius Naseri deklaroi se "Irani do të vazhdojë prodhimin e lëndëve atomike". Teherani e quan qëndrimin e evropianëve "të palogjikshëm" dhe i konsideron ofertat e SHBA-ve si "kryekëput të parëndësishme".

Një herë për një herë Irani po tregohet krejtësisht indiferent ndaj aleancës së re transatlantike dhe qëndrimit të përbashkët për të cilin ranë dakord të premten evropianët dhe amerikanët në lidhje me programin atomik të Iranit. Për herë të parë SHBA-të ranë dakord jo vetëm verbalisht, por edhe konkretisht me strategjinë evropiane të zhvillimit të bisedimeve me Teheranin. Sipas kësaj strategjie Irani mund të llogarisë se do të shpërblehet edhe prej palës amerikane në rast se heq dorë përfundimisht prej pasurimit të uranit. MPJ amerikane Condoliza Rajs i ofroi Iranit anëtarësimin në Organizatën Botërore të Tregëtisë si dhe heqjen e sanksioneve në lidhje me importimin e pjesëve të këmbimit për avionë. Kancelari gjerman Shrëder u shpreh madje edhe për shitjen e avionëve Airbus për Iranin.

Evropianët nga ana e tyre ofruan të ndërtojnë në Iran edhe një reaktor kërkimor për ujin e lehtë në rast se Irani përveç pasurimit të uranit heq dorë edhe prej një reaktori të ujit të rëndë, në të cilët prodhohet pluton i aftë për të armatime. Po ashtu evropianët ofruan me këtë rast edhe nënshkrimin e një marrëveshjeje ekonomike dhe tregëtare. Në rast se Irani nuk do t'i pranojë ofertat e kombinuara evropiano-amerikane, edhe BE-ja është e gatshme të kërkojë mbledhjen e Këshillit të Sigurimit për të kërkuar vendosjen e sanksioneve ndaj Iranit. SHBA-të kanë kohë që e synojnë një masë të tillë ndëshkimore.

Si shenjë të vullnetit të mirë Irani e ka ndërprerë që prej nëntorit të vitit të kaluar programin e tij për pasurimin e uranit, por thekson se ka ndërmend ta rifillojë sërish. Kjo sepse vetëm në rast se Irani është në gjendje t'i prodhojë vetë elementët djegës për reaktorët atomikë, atëhere është i pavarur prej importeve nga jashtë. Por pasurimi intensiv i lëndëve radioaktive i bën ato të afta edhe për prodhimin e armëve dhe pikërisht prej kësaj ka frikë edhe perëndimi.

E pra tani Irani u ktheu shpinën ofertave evropiano-amerikane. Po kjo nuk duhet të jetë fjala e fundit e tij, sepse më 23 mars do të vazhdojnë bisedimet. Vëzhguesit mendojnë se vendimi përfundimtar në Teheran nuk do të merret para zhvillimit të zgjedhjeve presidenciale në mes të muajit qershor.

  • Data 12.03.2005
  • Autor Jörg Pfuhl
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArQC
  • Data 12.03.2005
  • Autor Jörg Pfuhl
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArQC
Reklamë