1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Megjithë kritikat Kina, që i hedh poshtë si të pabaza, ajo vazhdon përgatitjet për Olimpiadën

Petra Aldenrat27 Mars 2008

Protestat antikineze në ceremoninë e ndezjes së pishtarit olimpik hodhën hijen e tyre, por pavarësisht syresh Kina thekson se përgatitjet për Olimpiadën po ecin kudo sipas planit.

https://p.dw.com/p/DVlV
Flamur proteste ndaj Olimpiadës në Pekin
Flamur proteste ndaj Olimpiadës në PekinFotografi: AP

Vrapimi me pishtarin olimpik ishte në plan të bëhej një udhëtim i harmonisë. Këtë e deklaruan organizatorët kinezë thuajse një vit më parë. Zjarri olimpik duhet të bëhet një simbol i gëzimit, i paqes dhe i miqësisë, premtuan ata atëherë. Por udhëtimi i harmonisë duket se po kthehet në udhëtim të çharmonisë. Kur u ndez pishtari olimpik në Olimpia të Greqisë, demonstrues prishën atmosferën e ceremonisë. Ata nxorën pankarta, në të cilat unazat olimpike ishin të mbërthyera nga pranga duarsh dhe kërkuan "Liri për Tibetin". Një incident i tillë e zemëroi shumë qeverinë kineze. Qin Gang, përfaqësues i Ministrisë kineze të Punëve të Jashtme deklaroi: "Të prishësh ceremoninë e vrapimit të pishtarit olimpik është turp dhe drejtohet kundër dëshirës së njerëzve. Nuk është Kina ajo që duhet të turpërohet, por ata që sollën shqetësime."

Pas incidentit në Athinë qeveria kineze kërkon nga të gjitha vendet përmes të cilave kalon flaka olimpike të marin masa sigurie

Në mënyrë që njerëzit e thjeshtë në Kinë të mos mësojnë mundësisht asgjë për demonstruesit protibetas në Athinë, lajmet u censuruan. Në televizion dhe në gazeta mund të admiroje fotografi, që tregonin se si ngrihej pishtari olimpik, por për demonstruesit protibetas nuk lexoje gjë. Vetëm një gazetë lëvdoi punën e mirë të policisë greke, e cila i dëboi demonstruesit. Në mënyrë që të mos ketë demonstrata të tjera në stacionet ku do të kalojë pishtari, qeveria kineze kërkoi nga të gjitha vendet përmes të cilave do të kalojë flaka olimpike që të garantojnë një kalim pa probleme të pishtarit.

"Ne e quajmë pa vend, që organizata ose persona të veçantë të politizojnë lojërat olimpike. Kjo është kundër dëshirës së njerëzve të të gjithë botës dhe kundër frymës olimpike. Kjo është e padrejtë përballë Kinës dhe e padrejtë përballë garave olimpike." – tha përfaqësuesi i Ministrisë kineze të Punëve të Jashtme

Rruga e pishtarit olimpik deri në Kinë do të zgjasë 97 ditë. Gjatë këtij vrapimi pishtari do të kalojë nëpër Tibet dy herë për t’u ngjitur edhe deri në majën më të lartë të botës, në Maunt Everest.

Qeveria kineze i ka shpallur në kërkim të ashtuquajturit separatistë tibetas dhe njofton suksese në arrestimet e bëra. Kina synon t'i tregojë botës se shpejt e ka gjendjen nën kontroll. Kina nuk impresionohet as nga protestat e botës së jashtme se gazetarët e huaj pengohen të raportojnë si duhet dhe as nga kërcënimet për bojkotimin e Lojërave Olimpike. Sipas deklaratës së MPJ kineze: "Tibeti është një çështje e brendshme e Kinës. Asnjë qeveri ose organizatë e huaj nuk ka të drejtë të përzihet."

Zjarri olimpik do të arrijë në Tibet në muajin maj.