Me vrasjen e ish-presidentit çeçen Mashadov Rusia i ka hapur vetes telashe | Studimi në Gjermani | DW | 12.03.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Me vrasjen e ish-presidentit çeçen Mashadov Rusia i ka hapur vetes telashe

default

Tema që sundon shtypin e huaj të kësaj jave është vrasja e ish-presidentit çeçen Asllan Mashadov prej njësive speciale ruse. Të gjithë gazetarët janë të të njëtit mendim, se me këtë veprim Rusia i ka hapur vetes shumë probleme.

Gazeta austriake "Salzburger Nachrichten" nxjerr në pah rëndësinë që kishte Mashadovi:

"Mashadovi ishte i pazëvendësueshëm sepse ai ishte i pari president i vendit i zgjedhur vërtet lirisht prej popullit çeçen. Ndërkohë që politikën e Grosnit e bënin një sërë politikanësh marioneta të Moskës, shumica e familjeve në Kaukaz e konsideronin Mashadovin si kreun e tyre të vërtetë dhe si një njeri të besuar. Rrolin e Mashadovit nuk mund ta marrin mbi vete as përmbaruesi aktual që ka caktuar Putini, as klanet radikale që sundojnë pas kulisave dhe as terroristi Shamil Basajev. Vdekja e Mashadovit hapi një hendek në një vakuum pushteti jashtëzakonisht të rrezikshëm në kuadrin e një lufte të mëtejshme civile."

Gazeta amerikane "Washington Post" heq një paralele me periudhën e regjimit të apartejdit në Afrikën e Jugut në vitet 80-të dhe me figurën e Nelson Mandelës:

"Regjimi afrikano-jugor e dinte, se në rast se Mandela dhe aleatët e tij nuk do të merrnin pjesë në arritjen e një zgjidhjeje demokratike, atëhere do t'i duhej që më vonë të përballej me një brez të ri aktivistësh më radikalë. Ky është skenari që po luhet tani në Çeçeni. Pas Mashadovit në krye të çeçenëve do të vihet Shamil Basajevi, një terrorist, i cili është edhe përgjegjës për pengjet në shkollën në Beslan. Vrasja e Mashadovit mbyll për të ardhmen e afërt të gjitha shancet për një zgjidhje diplomatike të konfliktit në Çeçeni."

Gazeta bullgare "Sega" është gjithashtu pesimiste:

"Kandidatët e mundshëm për postin e Mashadovit do të vijnë nga brezi i çeçenëve që janë rritur në kushtet e luftës, që nuk flasin asnjë fjalë rusisht dhe që dinë vetëm të luftojnë. Të gjitha këto premisa çojnë në ashpërsimin e konfliktit."

Gazeta spanjolle "El mundo" bën përgjegjës presidentin rus Vladimir Putin për vrasjen e Mashadovit:

"Separatisti Mashadov u vra prej ushtrisë ruse. Me këtë veprim presidenti i Rusisë Vladimir Putin i tregon botës edhe një herë tjetër se konceptet e tij për pushtetin dhe qeverisjen nuk kanë të bëjnë fare me rregullat elementare të një demokracie. Ai duket se po përpiqet me të gjitha forcat që ta trajtojë Çeçeninë si një provincë ku mund të bëjë ç'i do qejfi për t'i dëshmuar pjesës tjetër të Rusisë pushtetin e vet. Në këtë rast Putini përfiton edhe prej indiferencës me të cilën reagon perëndimi ndaj shkeljes së të drejtave të njeriut në Kaukaz. Perëndimi sillet sikur ka të bëjë me një çështje të brendshme të Rusisë në luftë ndaj terrorizmit. Po me vrasje të tilla si ajo e Mashadovit terrorizmi jo vetëm që nuk luftohet, por përkundrazi nxitet më tepër."

Edhe gazeta austriake "Kurier" mendon se Perëndimi është bashkëpërgjegjës për mënyrën se si vepron Rusia në Çeçeni:

"Opinioni botëror kthen kokën mënjanë. Në takimin e nivelit të lartë mes Bushit dhe Putinit që u zhvillua në mes të shkurtit në Bratislavë nuk u tha asnjë fjalë për luftën në Kaukaz. Kancelari gjerman Gerhard Shrëder mendon se Putini është demokrat. Propozimet e ekspertëve që të paktën të ndihmohet për rindërtimin ekonomik të këtij rajoni krize nuk gjejnë jehonë në radhët e BE-së. S'ka shpresa që rajoni i Kaukazit verior, i cili bën pjesë gjithashtu në Evropë, do të stabilizohet. Kaukazi mbetet një rrezik dhe jo vetëm për Kremlinin."

Gazeta "International Herald Tribune" mendon se tani Putinit i duhet të veprojë:

"Vrasja për të ardhur keq e kreut të çeçenëve Asllan Mashadov prej ushtrisë ruse do të thotë se Kremlini tani nuk ka më alibi për të justifikuar dështimet e tij për fillimin e një procesi demokratik në Çeçeni. Deri tani Moska kishte deklaruar gjithmonë botërisht se Mashadovi ishte një terrorist me të cilin nuk mund të hyhej në bisedime. Tani që Mashadovi vdiq duhet që udhëheqja ruse të dëshmojë se ajo është e interesuar për një proces politik të legjitimuar në Çeçeni."

  • Data 12.03.2005
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArwM
  • Data 12.03.2005
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArwM