Me shumicë kryesia e partisë socialdemokrate vendos për zgjedhje të parakohshme parlamentare | Gjermania | DW | 25.05.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Me shumicë kryesia e partisë socialdemokrate vendos për zgjedhje të parakohshme parlamentare

Kryesia e partisë vendosi gjithashtu që kongresi i partisë të zhvillohet më 31 gusht në Berlin. Zëdhënësja e krahut të majtë të socialdemokratëve, Andrea Nahles, parashikon debate intensive lidhur me kursin e partisë. Kryetari i partisë Franc Myntefering e konsideroi si një sfidë të qartë krijimin eventual të një aleance të majtë mes partisë së socializmit demokratik dhe alternativës elektorale të krijuar nga krahu i majtë i socialdemokratëve.

Franc Myntefering, kryetar i SPD-së

Franc Myntefering, kryetar i SPD-së

Mbledhja e kryesisë së partisë socialdmeokrtate zgjati shumë më tepër nga sa ishte planifikuar. Me më shumë se dy orë vonesë kryetari i partisë Franc Myntefering mbërriti në selinë e partisë, në godinën Vili Brand dhe më pas ai u shfaq përpara gazetarëve me humor jo fort të mirë, gjë e pazakontë kjo për të. Kryetari i partisë komunikoi, se kryesia e socialdemokratëve është shprehur për zgjedhje të parakohshme: "Edhe ne si parti tani do të bëjmë luftë elektorale. Ne mendojmë, se partnerët e koalicionit, partia ekologjike do të bëjë fushatë për vete. Kjo është mëse e arësyeshme që ta zhvillojmë në këtë mënyrë luftën elektorale, sepse edhe spektri që përfaqësojmë do të jetë më i madh dhe më i fuqishëm, se sa po tw vepronim ndryshe."

Më 18 shtator, pra gati pas katër muajsh duhet të zhvillohen zgjedhje të parakohshme. Deri atëherë mund të ketë shumë zhvillime të tjera, nënvizoi Myntefering. "Për raportet në Gjermani kjo është një fushatë elektorale jashtëzakonisht e shkurtër. Por edhe në vende të tjera ndodh kështu. Një gjë e tillë ka të mirat e veta dhe ndoshta kushton më pak, gjë që është pozitive."

Më e rëndësishmja është që tani të përgatitet një manifest elektoral. Me këtë detyrë është ngarkuar ai si kryetar partie dhe kancelari: "Më e rëndësishmja është që vendit t´i jepet impuls dhe të mos lejohet që të krijohen probleme."

Megjithatë probleme ka. Në vend ka 5 milionë të papunë, një ekonomi të dobët dhe asnjë hop zhvillimi. Nga ana tjetër gjithnjë e më shumë njerëzit e zhgënjyer nuk votojnë. Megjithatë Myntefering siguron, se partia do t´i përmbahet paketës së reformave, "agjenda 2010": "Duhet thënë që pjesa më e madhe e ndryshimeve tani që kanë kaluar pak muaj nuk po ecën në mënyrë optimale. Por ne jemi të sigurtë që gjatë verës dhe vjeshtës disa gjëra do të vihen në udhë të mbarë."

Edhe unioni kristjandemokrat duhet të tregojë tani se si ka ndërmend t´i zgjidhë problemet në Gjermani. Deri më sot unioni ka pasur mundësi të shlodhet në rolin e opozitës, por këtej e tutje kryetarja e kristjandemokaratëve Angela Merkel duhet t´i marrë seriozisht konceptet: "Ne besojmë, se është e rëndësishme që të tregojmë, që ka mundësi dhe shpresa, që njerëzit në këtë vend të ndjehen sërish më mirë, që të ketë më shumë vende pune dhe që ne jemi për këtë altermnativa e duhur."

Për socialdemokratët do të jetë mjaft e vështirë që të realizojë një luftë të sukseshme elektorale dhe që të mobilizojë zgjedhësit e lodhur, kjo e preokupon ish-kryetarin socialdemokrat Oskar Lafonten. Ky i fundit deklaroi dje dorëheqjen duke theksuar, se
është përfundimisht i vendosur që: "Nëse partia socialdemokrate vazhdon të ndjekë kursin e reformave të ashtuquajtura Harc IV dhe paketën "Agjenda 2010", unë nuk mund ta mbështes më atë, ndaj deklaroj fundin e antarësisë sime në këtë parti."

Asnjë koment nuk dha për këtë kancelari Gerhard Shrëder - madje ai nuk komentoi as deklaratën e Lafontenit, se ky mund të dalë në luftën elektorale duke kryesuar aleancën e majtë. Kjo është një aleancë mes fraksionit të majtë të socialdemokratëve dhe partisë së socializmit demokratik. Por në partinë socialdemokrate ka nisur të ndjehet nervoziteti, pavarësisht se këtë askush nuk e pranon hapur. Të paktën Franc Myntefering e pranon që: "Kjo aleancë është padyshim një sfidë, unë nuk e nënvleftësoj atë, por ne duhet që t´i bëjmë ballë asaj."

Megjithatë është mëse e pasigurtë nëse kjo aleancë e majtë do të mund të realizohet vërtetë deri në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që janë në prag.

  • Data 25.05.2005
  • Autor Judit Hartl
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar3g
  • Data 25.05.2005
  • Autor Judit Hartl
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar3g