Me rastin e 9 majit: Putini justifikon ndërhyrjen në Ukrainë | Bota | DW | 09.05.2022
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Bota

Me rastin e 9 majit: Putini justifikon ndërhyrjen në Ukrainë

Në paradën ushtarake, me rastin e 9 majit në Moskë, presidenti rus, Vladimir Putin fajësoi NATO-n . Nga Kievi Zelenski në video-mesazh krahason Putinin me Hitlerin

Fjalimi i Putinit, më 9 maj, me rastin e  fitores mbi Gjermaninë naziste, ishte pritur me padurim nga opinioni mbarëkombëtar. Por presidenti rus nuk shpalli as filllimin e "luftës së madhe" e as fundin e luftës në Ukrainë.

Gjatë fjalimit të tij me rastin e  "Ditës së Fitores" në Moskë, presidenti rus, Vladimir Putin, e përshkroi sulmin ndaj Ukrainës si një hap parandalues. Perëndimi e armatosi Ukrainën dhe po planifikonte të pushtonte vendin tonë, edhe Krimenë", tha Putini para ushtarëve dhe veteranëve në Sheshin e Kuq, në Moskë. Ai tha se ndërhyrja në Ukrainë ishte bërë për të parandaluar agresionin, "Ky ishte i vetmi vendim i duhur".

Putini përkujtoi të rënët në Luftën e Dytë Botërore dhe tha se  "Ne duhet të bëjmë gjithçka që të mos përsëriten tmerret e luftës”.

Presidenti rus e krahasoi "operacionin special në Donbas” me Luftën kundër nazizmit "Ju luftoni për atdheun. Që askush të mos i harrojë mësimet e nxjerra nga Lufta e Dytë Botërore”, tha ai, duke iu drejtuar ushtarëve. Në ai kujtoi të rënët dhe premtoi ndihma për familjet e tyre. 

Pa përshkallëzim retorik

Nga vëzhguesit në Gjermani fjalimi i Putinit u komentua si konservator, pasi aty nuk kishte as përshkallëzim retorik. Presidenti i nismës „Eurodefence", një think tank që merret me arkitekturën e sigurisë në Evropë,  tha në kanalin televiziv gjerman, NTV, se „Putini është duke e parapërgatitur popullsinë e tij për humbjet e ushtrisë ruse në Luftën e Ukrainës". 

Zelenski i drejtohet Moskës

Presidenti ukrainas, Volodimir Zelenski , në një video bardhezi përpara dy ndërtesave të shkatërruara në Kiev i dërgoi Rusisë mesazhin se tani janë ushtarët e saj ata që po bëjnë krime të ngjashme me ato të nazistëve.

"Disa dekada pas Luftës së Dytë Botërore, në Ukrainë është kthyer errësira. Dhe është bërë sërish bardh e zi. Përsëri! E keqja është kthyer. Përsëri! Me uniformë ndryshe, me slogane të ndryshme, por për të njëjtin qëllim.", tha Zelenski. "Një përsëritje fanatike e këtij regjimi. Idetë, veprimet, fjalët dhe simbolet e tij. Riprodhimi i hollësishëm maniakal i mizorive dhe "alibi"-së tij", tha Zelenski duke bërë paralelizma ndërmjet luftës së Putinit dhe asaj të Hitlerit, që përfundoi 77 vjet më parë. 

Ai e shoqëroi videoklipin e tij me një mesazh në twitter: "Këtë vit ne themi një tjetër "kurrë më". Ne dëgjojmë një tjetër "kurrë më". Tingëllon e dhimbshme, mizore. Pa pikëçuditëse, por me pikëpyetje. Ju thoni: kurrë më? Tregojani Ukrainës këtë.” Mesazhi përfundon me dy pasthirrma: Lavdi e përjetshme për të gjithë ata që i rezistuan nazizmit! I përjetshëm kujtimi për të gjithë ata që u vranë gjatë Luftës së Dytë Botërore!”

Ndërmjet 8 dhe 9 Majit 1945 përundoi Lufta e Dytë Botërore me kapitullimin e Gjermanisë hitleriane.Gjermania këtë ditë e feston qysh më 8 maj si Dita e Çlirimit nga Nazizmi, ndërsa ish-Bashkimi Sovjetik dhe Rusia e festojnë një ditë më pas, në ditën kur mbërriti në Moskë dokumenti i kapitullimit të Gjermanisë.

Për Rusinë kjo është "Dita e fitores" dhe festohet me një paradë pompoze, të cilën Putini e ka përdorur kohët e fundit për propagandë lufte. Kësaj here në festë mungonin përfaqësues të qeverive të huaja. 

Në paradë ishte parashikuar edhe një spektakël i Flotës Ajrore Ruse, ku avionët do të formonin në qiell shkronjën "Z", që simbolizon Ushtrinë Ruse, por për shkak të motit të keq, avionët mbetën në tokë. 

Kësaj here në festë mungonin përfaqësues të qeverive të huaja. Në paradë ishte parashikuar edhe një spektakël i Flotës Ajrore Ruse, ku avionët do të formonin në qiell shkronjën "Z", që simbolizon Ushtrinë Ruse, por për shkak të motit të keq, avionët mbetën në tokë.