Me paraqitjen e planit financiar për vitet 2007 - 2013, Komisioni i BE hapi luftën e ashpër për subvencionet e BE. | Evropa | DW | 11.02.2004
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Me paraqitjen e planit financiar për vitet 2007 - 2013, Komisioni i BE hapi luftën e ashpër për subvencionet e BE.

Komisioni reagoi ndaj kritikave të shteteve kontribuese për arkën e tij dhe caktoi një buxhet më të ulët se sa pritej nga këto vende.

Komisioni dëshiron të shpenzojë mesatarisht 1,14 përqind të të ardhurave nacionale bruto. Dhe kishte kërcënuar me 1,24 përqind. Këto shifrat pas presjes janë të rëndësishme, sepse të përkthyera në shifra konkrete për vitin 2013 ato janë të barabarta me 15 miliardë euro: në vend të 158 miliardë eurove Komisioni kërkon tani vetëm 143 miliardë euro. Për paguesit neto, të cilët pas dështimit të takimit të nivelit të lartë për kushtetutën formuluan "deklaratën e kursimeve", ky është një sukses i parë.

Komisioni lëvizi - tani e kanë radhën të lëvizin edhe shtetet anëtare, nëse nuk duan ta shkallëzojnë pa shkak grindjen për paratë. Kërkesën e tyre populiste, për ta ngrirë buxhetin e BE ne një përqind të të ardhurave nacionale bruto, ato nuk do të jenë në gjendje ta zbatojnë. Përballë detyrave, që i ka caktuar vetes BE me zgjerimin dhe politikën e jashtme të pavarur, rritja e buxhetit me siguri që është e pashmangshme. E shprehur me fjalë të tjera: nëse ministrat evropianë të financave duan të kursejnë seriozisht, shtetet anëtare duhet t'u ulin shpenzimet dhe kërkesat e tyre. Nëse aktualisht ato janë në gjendje ta bëjnë këtë, kjo është e diskutueshme.

Barrat më të rënda, në një vështrim financiar të buxhetit të BE deri në vitin 2013 mbeten edhe më tej subvencionet agrare dhe mjetet strukturore për rajonet në pozitë më të disfavorshme: gati 80 përqind e parave derdhen në makinerinë gjigante të shpërndarjes, kuptimi i ekzistencës të së cilës ndërkohë shihet me dyshim nga shumë ekspertë dhe parlamentarë të BE. Këtu komisioni i BE përpiqet të kundërveprojë, duke i shumëfishuar deri në vitin 2007 shpenzimet sot modeste për arsim, kërkime dhe inovacione. Shuma subvencionuese për bujqësinë mbetet afërsisht e njëjta, me fjalë të tjera: pjesa relative e kësaj në buxhetin e përgjithshëm ulet.

Justifikimi i subvencioneve për bujqësinë dhe për fusha të tjera duhet të rishqyrtohet urgjentisht. BE duhet të përpiqet më shumë për të shkurtuar administratën e pafundme të tij dhe për të kursyer edhe në këtë mënyrë shpenzime. Aparati i nëpunësve të BE shpenzon rreth 6 përqind të buxhetit. Po t'i shtosh kësaj edhe shpenzime të fshehta, arrin pa problem në 10 përqind ose dhjetë miliardë euro. Parlamenti Evropian me dy qendrat e tij në Bruksel dhe Strasburg, me administratën e tij në Luksemburg dhe pajisjet me të vërtetë të rehatshme të punës shpenzon një miliardë tjetër të ardhurash.

Në fund të betejës financiare për masterplanin e buxhetit duhet të votojnë të 25 shtetet anëtare. Spanja, përfituesi më i madh neto i parave të Brukselit duhet të kënaqet me më pak para nga Brukseli. Anëtarët e rinj duan të përfitojnë nga subvencionet. Polonisë i duhen më shumë subvencione për bujqit e saj. Kjo mund të shkaktojë një ulje të subvencioneve të deritashme edhe për landet e reja lindore të Gjermanisë.

Luftërat e shpërndarjes nuk kanë nisur ende. Ato madje mund të përzihen edhe me debatin për kushtetutën, në të cilin një rol qendror luajnë edhe Spanja me Poloninë. Kancelari gjerman Gerhard Shrëder, kryeministër i vendit kontribues më të madh neto në arkën e BE, e ka bërë të qartë më shumë se një herë, se ndryshimi i qendrimit në grindjen për kushtetutën mund t'ia vlente financiarisht për Spanjën dhe Poloninë.

Në planin e tij buxhetor, Komisioni Evropian ka tërhequr vëmendjen për faktin se "Projekti Evropa" nuk është vetëm një model marrje-dhënie midis kontribuesve neto dhe përfituesve neto në BE. Shumë më tepër fjala duhet të jetë për solidaritetin evropian dhe për pikët politike plus që sigurojnë nga BE kontribuesit. Le të shpresojmë se kryetarët e shteteve dhe të qeverive do t'i marrin për zemër këto fjalë në atmosferën e aktuale të krizës në Evropë.
  • Data 11.02.2004
  • Autor Koment nga Bernd Rigert
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArIR
  • Data 11.02.2004
  • Autor Koment nga Bernd Rigert
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArIR