1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Me këto ligje nuk i shërbehet bashkëjetesës paqësore

Auron Dodi10 Nëntor 2005

Komentatorët e shtypit të sotëm gjerman ndalen në krizën në Francë, dhe heqin paralele me Gjermaninë si dhe në bisedimet për formimin e koalicionit qeveritar.

https://p.dw.com/p/Arsw
Demostratë në Paris kundër ligjit që ndalon mbajtjen e shamisë së kokës në shkolla
Demostratë në Paris kundër ligjit që ndalon mbajtjen e shamisë së kokës në shkollaFotografi: AP

Së pari për krizën në Francë. Në gazetën STUTTGARTER ZEITUNG ndër të tjera lexojmë:

"Në bazë të anketimeve, shumica dërmuese e francezëve e mbështesin vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme, ligji i cili ka ekzistuar gjatë kohës së luftës me Algjerinë. Për ta ministri i brendshëm i ka rënë pikës, kur shpalli se do t'i pastrojë nga rrugaçët periferitë e qyteteve me pastruesin e presionit të lartë. Por francezët e spostuar atje dhe që janë me origjinë arabe ose afrikanojugore nuk mund t'i largosh duke u fryrë. Kombi duhet të përpiqet t'i pranojë ata, t'u japë atyre njësoj si bashkëatdhetarëve të tjerë punë dhe banesa, ose ta ketë të qartë se në plan afatgjatë jeton me armiq në vendin e vet. Atëherë për ta revolta pasuese është e afërt. Nëse Sarkozi synon të bëhet president me këto parulla, atëherë Francën e kërcënojnë revolta të papara."

Dy komentatorë komentojnë diskutimin në parlamentin e Landit të Nordrhein-Vestfalisë të ligjit për mbulimin e kokës me shami nga femrat. Fillimisht MINDENER TAGEBLATT:

"Në Francë periferitë kanë marrë flakë, kur në Dyseldorf qeveria e re e landit paraqet një projektligj për ndalimin e mbulimit të kokës me shami nga gratë. Në çështjet parimore ne gjermanët kemi qenë gjithnjë mirë. Për aq kohë sa puna mbetet këtu, mund të bësh një kthesë 180% kur është fjala për të diskutuar çështje konkrete, për shembull për të zhvilluar një debat serioz për integrimin... Ashtu si shamia e kokës kuptohet nga disa prej atyre që e mbajnë në sistemin shkollor si simbol i besimit personal, po kështu shndërrohet edhe grindja politike në një politikë simbolike. Megjithatë, vetëm në një kuptim krejt tjetër: sepse ajo simbolizon vetëm politikë. Një simbol, sipas Brockhausit, është një shenjë me kuptim për të pakapshmen. Shumë e vërtetë. Jo e kapshme këtu është një radhë me kuptim e prioriteteve politike."

Ja edhe NEUE WESTFÄLISCHE:

"Femra të reja myslimane, që kanë mbaruar maturën dhe studimet me sukses, kanë hyrë në shërbimin shkollor dhe mbajnë për arsye fetare një shami koke, nuk përshtaten si simbole të shtypjes së grave nga feja islame. Një ndalim i përgjithshëm i shamisë së kokës në shkolla dhe sanksione eventuale kundër mësuesve do të bëjë që këto myslimane të urta të kalojnë në krahët e fondamentalistëve islamikë, të cilët predikojnë urrejtje kundër Evropës Perëndimore kristiane. Një bashkëjetese paqësore të njerëzve të feve dhe prejardhjeve të ndryshme nuk u shërbehet me ligje si këto."


Ndërrojmë temë: bisedimet për formimin e koalicionit qeveritar midis socialdemokratëve dhe kristiandemokratëve po i afrohen fundit. Komentatorët përgjithësisht janë skeptikë për rezultatet e arritura. Në gazetën MANHEIMER MORGEN për këtë temë lexojmë:

"Këtë pamje paska zgjimi dhe starti drejt së ardhmes? Në fushatën elektorale, unionistët dhe Partia Socialdemokrate Gjermane, në unitet të rrallë mendimesh e vendosën luftën kundër papunësisë në krye të axhendës. Tani, kur janë mallkuar të jetojnë së bashku, përpiqen ta hedhin situatën me formula të politikës së tyre të deritashme të pasukseshme"

Edhe gazeta LÜBECKER NACHRICHTEN ushtron kritikë për rezultatet aktuale të negociatave:

"Pikat e mëdha të dobëta të shtetit tonë social mbeten të paprekura, këtu bën pjesë sistemi shëndetësor si edhe mali i borxheve që rriten. Në tregun e punës, në kantierin qëndror të ndërtimit të krizës gjermane, bëhen manovrime të reja. Unionistët arritën të zbatojnë me të drejtë zbutjen e mbrojtjes ligjore për pushimin nga puna, por që në pasreformimin e Harc IV bëhet e qartë e gjithë situata e pashpresë e politikanëve pa vizion të vërtetë."

Gazeta që botohet në Berlin DIE WELT vëren:

"CDU-ja do të bëjë mirë, që në fund të konsultimeve të shqyrtojë faktin nëse koalicioni i madh, me kufizimet që i ka vendosur vetes është në gjendje t'i sjellë vendit ndonjë zgjidhje, apo të bëhet vetëm pjesë e zgjidhjes. "Koalicione të mëdha zgjidhin probleme të mëdha", u tha në fillim të bisedimeve. Shumë nga kjo deklaratë nuk shihet të realizohet."